Kulturë

Qendra rekreative e Swindonit në listën e ndërtesave të rrezikuara në Britani të Madhe

(The Guardian) – Një qendër rekreative porsi anije hapësinore, që e frymëzoi edhe Liam Gallagherin ta quante bendin e tij “Oasis”, është vendosur në dhjetëshen e listës me ngrehina të shekullit të 20-të që janë më së shumti në rrezik.

Qendra rekreative “Oasis” në Swindon është përfshirë në një listë që bëhet publike çdo dy vjet nga “Twentieth Century Society”, duke i shpërfaqur kërcënimet që i kanosen trashëgimisë më të re arkitektonike. Në krye të listës është hapësira e dyqaneve “Bull Yard” në Conventry, kurse ngrehina të tjera të përfshira janë edhe “City Hall” në Londër, si dhe qendra Swansea.

Qendra rekreative zë një vend interesant në historinë britanike të popit në atë që Gallagheri e mendoi një emër më të mirë për bendin të cilit sapo iu bashkëngjit.

Kjo qendër është gjithashtu e “një rëndësie kombëtare arkitektonike”, kanë thënë nga shoqëria. E përshkruar si “strukturë fantazie”, “Oasis” ka basene dhe një kupolë transparente prej 45 metrash me një “pjatë fluturuese”. Shoqëria e përshkruan atë si një “mbijetojë e rrallë dhe e rëndësishme” e qendrave rekreative komunale të krijuara për dëfrim e për familje më shumë sesa për stërvitje apo për gara.

Image

“Bull Yard” në Coventry është në krye të listës me objekte të rrezikuara (Foto: Fabio De Paola/The Observer)

Vitin e kaluar u njoftua se qendra nuk do të rihapej pas pandemisë, me planin që ajo të jetë pjesë e rizhvillimit në një shumë prej 270 milionë funtesh, ku parashihet edhe një qendër skijimi. Kjo nënkupton disa shembje, por që kundërshtohen nga shoqëria. Ka vendosur ta mbrojë ngrehinën përmes përfshirjes në listim. Ndërkaq zona e dyqaneve e “Bull Yardit”, në Coventry, është në krye të listës për shkak të planit të propozuar për rizhvillimin e qendrës së qytetit prej 15 akrash. Këshilli po arsyetohet se po bën përpjekje për ta përshtatur Coventryn me shekullin e 21-të, por fushatuesit po bëjnë thirrje për ndreqje, e jo për shkatërrim.

Coventry është qyteti i sivjetmë i kulturës në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë Catherine Croft, drejtoreshë e “Twentieth Century Society”, duke dhënë “një mundësi të shkëlqyer për këshillin që ta shpalosë ndërtesën e pasluftës, por për fat të keq ka shpërfillur me të madhe shqetësimet tona teksa vazhdon të tregojë një pandjeshmëri tërbuese ndaj detyrës së vet për të mbrojtur siç duhet trashëgiminë më të rëndësishme arkitektonike të qytetit”.

“City Hall”, ngrehina e shquar në xham që u hap afër Tower Bridge në Londër më 2002, është në rrezik për shkak se kryetari, Sadiq Khan, po e zhvendos “Greater London Authority” te Royal Docks në Newham.

Image

“City Hall” në Londër (Foto: Alastair Grant/AP)

Qendra civile e Swanseas, një ngrehinë impozante e stilit brutalist që u ndërtua në dy faza mes viteve 1979 dhe 1984, është shënjuar për prishje si pjesë e një plani për ripërtëritjen e qendrës së qytetit.

Shoqëria ka bërë të ditur se në listë është përfshirë vetëm një sallë uellsiane e shekullit të kaluar, “Shire Hall” në Newport, e ndërtuar më 1902. Të tjera ngrehina në top-dhjetëshe janë: “The Lawns Halls of Residence” në Universitetin e Hullit; zyrat e dikurshme të “London Electricity Board” në Bethnal Green; pronat e Cressingham Gardens në Tulse Hill, Londra jugore; “Derby Assembly Halls”; zyrat moderniste të këshillit të Shropshireit, “Shirehall” në Shrewsbury, si dhe baseni për not në Halifax dhe muralet e tij prej qeramike, që paraqesin jetën e pellgjeve britanike.

Shoqëria ka thënë se ka pak lajme të mira nga dhjetë rastet e përfshira në listën e mëparshme të vitit 2019. Dy ngrehina janë shkatërruar dhe nuk ka rezultate pozitive për të tjerat.

Image

Qendra civile në Swansea është shënjuar për shembje si pjesë e planit për rizhvillim (Foto: Athena Picture Agency/Alamy)