Koloseumi antik romak do të ketë përsëri dysheme. Kjo do të bëhet e mundshme falë një projekti të ri me teknologji të avancuar, ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, raporton Reuters.
"Është një projekt i jashtëzakonshëm”, ka thënë ministri i Kulturës, Dario Franceschini, duke detajuar planet për të krijuar një dysheme fleksibile që do t’u japë turistëve një ide më të qartë se si do të dukej arena kur gladiatorët luftuan për vdekje.
"Ju do të jeni në gjendje të ecni mbi të dhe të shkoni deri në qendër të Koloseumit, duke e parë atë në të njëjtën mënyrë si e kanë shikuar më parë vizitorët deri në fund të shekullit XIX", ka thënë Franceschini.
Kati i fundit është larguar nga arkeologët për të dhënë një pamje më të mirë të labirintit të dhomave dhe korridoreve që shtriheshin poshtë arenës. Asnjëherë nuk u zëvendësua plotësisht.
Një firmë inxhinierike italiane, “Milan Ingegneria”, fitoi kontratën prej 18.5 milionë eurosh për të hartuar dyshemenë e re dhe është zotuar që do ta përfundojë projektin deri në vitin 2023.
Platforma prej druri do të përbëhet nga qindra pllaka që mund të rrotullohen për të sjellë dritë natyrore në dhomat nëntokësore që dikur strehonin gladiatorët dhe kafshët përpara luftës së tyre vdekjeprurëse.
Koloseumi është atraksioni më i njohur turistik i Italisë, që tërhoqi rreth 7.6 milionë vizitorë në vitin 2019, para se bota të goditej nga koronavirusi.
E ndërtuar 2 mijë vjet më parë, arena prej guri ishte amfiteatri më i madh në perandorinë Romake. Dikur kishte deri në 70 mijë vende dhe organizonte luftime gladiatorësh, ekzekutime dhe gjueti kafshësh. Mund të mbushej gjithashtu edhe me ujë për të rikrijuar beteja detare.