Kulturë

“Biber” përzgjedh 25 tregime që bëjnë thirrje për paqe në Ballkan

Sipas jurisë, autorët e tregimeve në mënyrën e vet unike i kanë dhënë mbështetje idesë së krijimit të paqes, mirëkuptimit dhe lidhjes mes njerëzve. Njëlloj si në edicionet e kaluara, autorët e tri tregimeve më të mira do të shpërblehen, e 25 tregimet e përzgjedhura do të botohen në vjeshtë si një libër

Janë 25 tregime të shkurtra që vënë në pah mirëkuptimin, zbutjen e urrejtjes dhe kapërcimin e paragjykimeve. Të gjitha rrugës për të parë botimin. Tregimet që kanë të bëjnë me pajtimin e popujve në ish-Jugosllavi, të përbashkëtat, ballafaqimin me të kaluarën e mbi të gjitha që bëjnë thirrje për paqe, do t’i japin formë librit të katërt të nxjerrë nga konkursi “Biber”. Mes faqeve do të shtypet edhe tregimi “Ptičice” nga Bojan Krivokapiq nga Novi-Sadi, që ka zënë vendin e parë. Pastaj tregimi “Kućica u šumi” nga Alma Tabak nga Sarajeva, që ka zënë vendin e dytë, dhe tregimit “Trokut” nga Maja Halapir nga Samobori, që ka zënë vendin e tretë. Njëlloj si në edicionet e kaluara, autorët e tri tregimeve më të mira do të shpërblehen e përmbledhja shumëgjuhëshe me tregime pritet që të dalë në dritë në vjeshtë.

Këtë vit juria është përbërë nga poetja kroate Tatiana Gromac, që nxiti debat për koleksionin e saj të parë me poezi “Nešto nije u redu”? (Diçka s’është në rregull?), Anton Berishaj, botues i disa librave poetikë, si “Lule mëngjesi”, pastaj librat studimorë “Retorika dhe letërsia” dhe “Letërsia performative”, për të cilin ka marrë shpërblimin vjetor kombëtar për librin më të mirë në fushën e studimeve dhe eseistikës për vitin 2010, të cilin e ndan Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, e që njëkohësisht njihet edhe si përkthyes. Anëtar është dhe shkrimtari Selvedin Avdiq nga Bosnja, novela debutuese e të cilit “Seven Terrors” (2010) bëri bujë ndërkombëtarisht dhe u përkthye edhe në anglisht nga shkrimtari e përkthyesi australian Coral Petkovich.

Juria pati përgjegjësinë që të selektonte tregimet fituese, si dhe 25 tregimet e përzgjedhura nga 750 të cilat ishin dërguar për këtë edicion në adresë të ekipit të “Biber”-it.

Në vendimin e lëshuar nga treshja e jurisë është shkruar se të gjithë pjesëmarrësit që i janë përgjigjur këtij konkursi, në mënyrën e vet unike, i kanë dhënë mbështetje idesë së krijimit të paqes, mirëkuptimit dhe lidhjes mes njerëzve. Sipas tyre, për përmbledhjen “Biber” kanë zgjedhur 25 tregime, të cilat sipas gjykimit të tyre kanë lënë gjurmë më të mëdha.

“Ne konsiderojmë se ky konkurs ofron një hapësirë tejet të mirë dhe shumë të nevojshme për komunikim letrar mes vendeve të Ballkanit, dhe këtë duam ta përshëndesim në veçanti si shembull pozitiv i komunikimit, njohjes dhe përafrimit”, është shkruar aty.

“Biber” është konkurs për tregim të shkurtër, të angazhuar në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, kroate, serbe dhe malazeze.

Tema e konkursit, ashtu si edhe viteve të kaluara, ishte pajtimi në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë. E siç shkruhet edhe në ueb-faqen e “Biber”-it çdo herë merren parasysh edhe “tregimet që mund të kontribuojnë për mirëkuptim më të madh mes njerëzve, që zbusin urrejtjen dhe thyejnë paragjykimet, tregime kundër luftës, tregime rreth ballafaqimit me të kaluarën, thyerje të imazheve për armikun, tregime të dhembshurisë për të tjerët, tregime të guximshme që guxojnë të ecin me këpucë ‘të armikut’, tregime që lëvizin kufijtë dhe hapin rrugën për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurt dhe më të lirë për të gjithë”.

Qerim Ondozi nga ekipi i “Biber”-it ka thënë se edhe këtë vit shkrimet përthekojnë në mënyrën më të mirë temën e konkursit, pasi që përfshijnë një gamë të gjerë, prej ballafaqimit me të kaluarën deri tek të kuptuarit e armikut, vetes e deri te tregimet që kapërcejnë paragjykimet e ndryshme.

“Kemi vendosur që një temë të jetë sa më e gjerë që të mos fokusohemi vetëm në atë konceptim klasik të ballafaqimit me të kaluarën, por të shkruhet për kontekstin e përbashkët në të cilin kanë jetuar popujt e ish-Jugosllavisë dhe luftërat e përgjakshme me të cilat jemi ballafaquar gjatë viteve ‘90”, ka theksuar Onduzi.

“Biber” është ekip letrar-aktivist i formuar rreth idesë se arti mund të frymëzojë ndryshime shoqërore. Këtë e beson edhe Onduzi. Sipas tij, artistët, ose shkrimtarët, në këtë rast konkret kanë qenë të parët që e kanë vendosur një komunikim.

“Shkrimtarët, poetët, artistët në përgjithësi konsiderohen një lloj avangarde e marrëdhënieve në mes të dy shoqërive dhe gjithmonë kanë qenë të parët që i kanë përafruar popujt, ndoshta, sepse kanë guxuar që të trajtojnë tema që për një shoqëri janë tabu”, ka thënë ai. Sipas tij, takimet ndërmjet popujve të armiqësuar gjithmonë kanë përfshirë së pari artistët e pastaj kanë kaluar nëpërmjet nivelit politik.

“Të mos themi një pajtim, pasi që është fjalë shumë e madhe por një komunikim, vendosje të komunikimit ndërmjet popujve dhe besoj fuqishëm që letërsia i paraprin këtij dialogu në mes të popujve të armiqësuar”, ka thënë ai.

Përveç tregimeve të shpërblyera, në përmbledhje do të përfshihen edhe 22 tregime të tjera, autorët e të cilave janë: Aleksandra Jovanoviq nga Vranja, Aneta Velkoska nga Shkupi, Besa Morina nga Prishtina, Bojan Krivokapiq nga Novi-Sadi, Boshko Lomoviq nga Gornji Milanovac, Dinko Teleqan nga Zagrebi, Goran Paladin nga Zagrebi, Hoja Ogrizoviq nga Novi-Sadi, Irena Skopljak- Bariq nga Vërboveci, Jelena Kalajxhija nga Bijeljina, Jovana Matevska-Atanasova nga Manastiri, Marijana Çanak nga Novi-Zhedniku, Mihovil Rismondo nga Zagrebi, Milan Vorkapiq nga Vërnjaçka-Banja, Milena Babiq nga Krushevaci, Milica Rashiq nga Nishi, Nikola Nikoliq nga Podgorica, Nikola Petroviq nga Beogradi, Petra Rapaiq nga Novi-Sadi, Sanja Tërpkovska nga Shkupi, Senad Jusiq nga Bugojno dhe Vesa Qena nga Prishtina.

Vitin e kaluar në konkurs ishin dërguar 464 tregime. Përmbledhja me 25 tregime nga ai edicion ishte përkthyer edhe në gjuhën angleze. Autori i tregimit që do të zërë vendin e parë do të marrë 800 euro, i dyti 600 euro dhe vendi i tretë 400 euro. “Biber” e organizon ekipi në bashkëpunim me Qendrën për Aksion të Padhunshëm, Sarajevë-Beograd.