Kulturë

Artistja nga Kosova zbërthen në Berlin historitë e pathëna të punëtorëve

“Këtu (ajri është i helmuar por përsëri ne marrin frymë)” është titulli i ekspozitës personale të Doruntina Kastratit, e cila prej sot do të jetë e hapur në “ChertLüdde” të Berlinit. Nëpërmjet saj, ajo zbërthen eksploatimin e klasës punëtore nga sistemi i politikave neoliberale prej të cilave është mbërthyer bota. Për të është ekspozita më e rëndësishme deri tani

Doruntina Kastrati vazhdon që me artin e saj të nxjerrë në pah historitë e pathëna të punëtorëve të ndërtimtarisë në Kosovë. Narrativën artistike që për temë ka lëndimet e punëtorëve gjatë punës – që në jo pak raste përfundojnë me fatalitet – do ta shpalosë edhe në Gjermani, në ekspozitën e saj të parë personale në këtë vend. Artistja e re nga Kosova, të premten, do ta hapë ekspozitën “Here (Air Carries Poison But Yet We Breathe)” – “Këtu (ajri është i helmuar por përsëri ne marrin frymë)” – me të cilën synon që të vetëdijesojë nëpërmjet artit për çështjen e të drejtave të punëtorëve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 qershor të këtij vitit në galerinë “ChertLüdde”.

Ekspozita “Here (Air Carries Poison But Yet We Breathe)” e Kastratit është bërë pjesë edhe e organizimit që në Berlin njihet si “Fundjava e galerisë”. Çdo vit gjatë pranverës, rreth 50 galeri në Berlin hapin ekspozita të artistëve të rinj e atyre me nam dhe mirëpresin vizitorë nga e gjithë bota në datat tashmë tradicionale, më 1 e 2 maj.

Sipas përshkrimit në ueb-faqen e kësaj ngjarjeje, “Fundjava e galerisë” në Berlin ka nisur në vitin 2005 si një iniciativë private e galerive dhe shumë shpejt ka arritur të kthehet në një ngjarje me rëndësi në kalendarin ndërkombëtar kulturor të artit.

“Në Berlin, gjatë fundjavës, lartësohen galeritë dhe artistët nëpërmjet këtij formati unik që sjell ekspozita cilësore dhe një eksperiencë të pashembullt”, është shkruar aty. Galeritë do të qëndrojnë të hapura nga mesdita deri në orën 19:00.

Galeria “ChertLüdde”, e hapur në vitin 2008 nga Jennifer Chert, që nga fillimi ka shfaqur krijimtarinë e artistit të njohur nga Kosova, Petrit Halilaj. Prej 6 marsit deri më 17 prill mirëpriti ekspozitën “I Decided to Draw Bigger Hands” – (Vendosa të vizatoj duar më të mëdha) – me vepra të piktores së parë kosovare, Alije Vokshi. Ekspozita ishte realizuar në bashkëpunim me familjen Vokshi dhe kuratoren nga Kosova, Hana Halilaj.

Themeluesja e galerisë, me rastin e hapjes së ekspozitës me vepra të Vokshit, kur pati paralajmëruar edhe ekspozitën e Kastratit, kishte thënë se galeria është duke shfaqur vepra të këtyre artistëve me qëllim që ta nxisë dialogun në lidhje me artin në Kosovë.

“ChertLüdde” në ueb-faqe kanë shkruar se në këtë ekspozitë Kastrati do të prezantohet më një video dhe skulptura të reja tredimensionale. Aty është treguar se videoja e re e titulluar “Këtu” është filmuar nëpër punishte të ndryshme të ndërtimtarisë dhe nëpër rrugët kryesore në Kosovë.

“Bazuar në një dokumentar të mëparshëm që rrëfen historitë e punëtorëve të ndërtimtarisë, ‘Here’ është një vazhdim i hulumtimit të vazhdueshëm të Kastratit mbi çështjet socio-politike të Kosovës dhe Ballkanit, duke filluar nga jeta e personave të prekur që përjetojnë zemërim, vetmi dhe indinjatë nga shfrytëzimi që u bëhet në mënyrë që ta ndërtojnë qytetin në rritje”, është shkruar aty. Sipas përshkrimit, videoja shfaq një perspektivë marramendëse e armiqësore të vendit, ku infrastruktura e betonuar lë në hije dhe mbulon njerëzit.

“Ekspozita përfshin vepra të reja të realizuara me skanim 3D, që kanë marrë formë sipas lëndimeve të punëtorëve në punë”, është shkruar aty. Sipas përshkrimit, skulpturat – të realizuara nga pëlhura, rrëshira dhe leshi – e ftojnë publikun në një diskutim mbi disonancën midis politikave lidhur me vendin e punës në Kosovë dhe shfrytëzimit që bëhet brenda sektorit privat.

Image
Skenë nga videoja “Këtu”, që është pjesë e ekspozitës së Doruntina Kastratit

Në korrik të vitit të kaluar, artistja Doruntina Kastrati erdhi për publikun në Prishtinë me ekspozitën e saj “Heronjtë publikë dhe sekretet”, e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Aty shpalosi për herë të parë në mënyrë artistike hulumtimin e saj, i cili vë në pah gjendjen e klasës punëtore, aksidentet dhe përditshmërinë e tyre, madje edhe vdekjet.

E, për prezantimin në Berlin, Kastrati ka treguar se ka punuar enkas vepra të reja.

Kastrati ka thënë se e veçanta e ekspozitës “Here (Air Carries Poison But Yet We Breathe)” është se mbahet pikërisht gjatë “Fundjavës së galerisë”, një ngjarje me rëndësi për artin bashkëkohor.

“Janë katër skulptura 3D dhe një video e shkurtër e cila rrëfen narrativa të disa punëtorëve të rajonit të Kosovës dhe Ballkanit, me theks të veçantë të klasës punëtore, e cila është në numër të theksuar në rajonin tonë si vende të varfra ekonomikisht që jemi”, ka thënë Kastrati për KOHËN. Sipas saj, ekspozita rrëfen për eksploatimin e klasës punëtore nga sistemi i politikave neoliberale, prej të cilave është kapluar globi. Ka shtuar se për të si artiste kjo është ekspozita më e rëndësishme që ka pasur në këto shtatë vjetët e ekspozimit të punës së saj artistike.

“Në thelb, mendoj që puna si punë artistike në këtë rast trajton problematika globale, mirëpo me theks në ato regjionale – Kosovë, Shqipëri, Serbi, Greqi. Gjuha artistike mendoj që prek secilin person, prej secilit kënd të globit. Pastaj kjo besoj se edhe është fuqia e artit”, ka thënë artistja.

Sipas saj, titulli i ekspozitës është një proces shumë intim i një marrëdhënieje me artistin. Për të titulli shpesh bëhet shkak i një pune pa filluar mirë, e në disa raste vjen në fund, si finalizimin i procesit artistik të një vepre të caktuar. Në rastin e saj, Kastrati ka thënë se është ndërtuar në mes dhe në fund.

“’Here’ ka të bëjë me përcaktimin e një vendi, ku dihet vendi (lokacioni), koha (moti), pozita gjeografike... që flet në retrospektivë. Në këtë rast, duke ia shtuar ‘Air Carries Poison But Yet We Breathe’, shprehet një rezistencë, se pavarësisht një helmimi të vazhdueshëm ne frymojmë. ‘Here’ këtu nuk flet më për retrospektivën, po për një ‘të tashme të vazhdueshme’”, ka thënë ajo.

E lindur më 1991 në Prizren, Doruntina Kastrati ka studiuar për dizajn grafik në Universitetin e Prishtinës. Vepra e saj është shpalosur nëpërmjet ekspozitës personale “Peizazh i Kuq” (Stacion Qendra për Art Bashkëkohor), si dhe në një varg ekspozitash grupore në vend e jashtë, si në Gjenevë, Hamburg e Romë. Në vitin 2014, Kastrati ka fituar çmimin “Artistët e së Nesërmes”, si dhe qe fituese në edicionin e parë të “Hajdex6” në vitin 2017, e po ashtu edhe rezidente e “International Studio and Curatorial Program” në New York në vitin 2015. Po ashtu, ajo ishte artiste në rezidencë në “Who Cares About Art” në Shkodër, si dhe në “Initiators” në Athinë.

Image
Skulpturat – të realizuara nga pëlhura, rrëshira dhe leshi – e ftojnë publikun në një diskutim mbi disonancën midis politikave lidhur me vendin e punës në Kosovë dhe shfrytëzimit që bëhet brenda sektorit privat