Kulturë

Ekipi i “Quo Vadis, Aida?” e sheh si fitore arritjen deri në “Oscars”

Ndarja e çmimeve “Oscar” ka vërtetuar paralajmërimet se filmi “Quo Vadis, Aida?” i regjisores boshnjake Jasmila Zhaniq, do ta ketë të vështirë që të mposhtë dramo-komedinë daneze, “Another Round”. Parashikimi ishte bazuar në mënyrën e deritashme të vlerësimeve brenda “Academy Awards”, që vazhdon të kritikohet. Për diçka të tillë del të ketë hapësirë edhe këtë vit. Sidoqoftë, krenaria vazhdon të mbizotërojë brenda ekipit të “Quo Vadis, Aida?”. Ata ndihen fitues ani pse në ceremoninë që u mbajt në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, sipas kohës sonë, nuk rrëmbyen trofeun e shumëdëshiruar. Përkundër rezultatit, ekipi ka thënë se mbetet me rëndësi që Bosnja e Hercegovina ka një film tejet të rëndësishëm për gjeneratat që vijnë.

Ekipi i filmit “Quo Vadis, Aida?” u mblodh në Teatrin Kombëtar të Sarajevës për të përcjellë së bashku edicionin e 93-të të “Academy Acards”, me shpresën që Bosnja do të bëhet me “Oscarin” e dytë. Bosnja mori çmimin prestigjioz në vitin 2002 me filmin “No Man Land”, i cili edhe arriti të shpërblehet në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

“Quo Vadi, Aida?” prek rritjen e frikës që ngjallet gjersa zbërthen rrëfimin që zë vend gjatë masakrës në Srebrenicë në vitin 1995. Më shumë se 8 mijë myslimanë boshnjak u vranë nën komandën e Ratko Mlladiç, që tani përballet me dënim të përjetshëm. Kjo ndodhi në zonën e sigurt të Srebrenicës – të shpallur kësisoj nga Kombet e Bashkuara – pikërisht para paqeruajtësve ushtarakë holandezë të caktuar për t'i mbrojtur.

Aida, të cilën e luan aktorja serbe, Jasna Gjuriçiq, është kryepersonazhi i filmit. Punon si përkthyese për Kombet e Bashkuara në kohën kur boshnjakët në Srebrenicë i pret masakra. Në film ajo shihet duke vrapuar nëpër labirintet e kampit duke u përpjekur që të shpëtojë familjen e saj gjersa njëkohësisht merret me tmerrin që nuk mund ta parandalojë. “Tarik, a e ke parë familjen time?”, i drejtohet ajo kolegut të saj.

Tariku e luan aktori shqiptar, Alban Ukaj. Aktori i njohur, i cili tash e dy dekada jeton dhe vepron në Bosnjë, ishte i pranishëm në Teatrin Kombëtar të Bosnjës bashkë me miqtë e tij. Ukaj, pasi që u bë e ditur se fitues është “Another Round”, theksoi se përkundër rezultatit, rëndësi ka fakti se ai është i bindur se “Quo Vadis, Aida?”, ka një jetë të gjatë përpara.

“Jam shumë i lumtur që ka arritur deri këtu, kaq larg, që shumë njerëz e kanë shikuar dhe që shumë prej tyre edhe e kanë rishikuar. Ky është një film për të cilin të gjithë ne kemi nevojë dhe do të na shërbejë si purifikim”, ka thënë Ukaj për mediat boshnjake.

E kur u pyet se a është e zhgënjyer me rezultatin, aktorja Emina Minka Muftiq që ka rolin e Munirës në film ka thënë: “jo aspak, nuk ka shanse”.

“Ky është një film që thekson padrejtësitë sociale, një film që do të ndikojë në rrjedhën e historisë, trajtimit social, vendimeve politike...Ky është padyshim një film i rëndësishëm për kinematografinë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se kjo është shumë e rëndësishme për Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe për të gjithë njerëzit.

“Ky është një film i maturisë, shpengimit ... Sapo ka filluar të përmbushë misionin e tij. Nuk ka asnjë gjurmë zhgënjimi. Veçanërisht nuk do të doja që i gjithë ekipi i filmit të ndihet sikur nuk i përmbush pritshmëritë. Ky film do të tejkalojë pritjet e tyre”, ka thënë Muftiq.

Aktori Izudin Bajroviq, i cili në film ka rolin e Nihadit, ka thënë se as ai nuk është aspak i zhgënjyer si dhe ka përsëritur se “Quo Vadis, Aida?" nuk është një film për ta shikuar një natë, por një film që do t’u mbetet edhe gjeneratave që vijnë pas.

"Unë nuk jam i sigurt që filmi fitues në ‘Oscar’ sonte do të mbetet po aq domethënës sa filmi ynë. Ne nuk duhet të ndihemi të mposhtur, duhet të jemi krenarë për filmin tonë dhe të mos ndiejmë se rezultati i mbrëmjes së sotme e zvogëlon vlerën e tij në asnjë mënyrë - sepse kjo me të vërtetë nuk do të ishte e vërtetë ”, ka thënë Bajrovi.

Jasmila Zhaniq njihet për filmin e saj debutues të metrazhit të gjatë “Gabavica” me të cilin në vitin 2016 fitoi “Berlin Golden Bear”. “Quoa Vadis, Aida” është konsideruar si një material sensitiv që nuk mund të vrojtohet vetëm si një vepër artistike, por edhe si një fenomen kulturor. Këtë e ka theksuar veçanërisht “Artechock”, revista më e vjetër online në Gjermani dedikuar filmit, në kritikën e shkruar për “Quo, Vadis Aida?”. Miranda Jakiša, autore e këtij teksti, vë në pah se filmi është realizuar për dy audienca: vendës apo rajonin dhe për atë ndërkombëtare që nuk është aq e njohur me ngjarjet e verës së vitit 1995.

"Gjersa audienca mësohet dhe madje argëtohet në një nga filmat artizanalë rreth ngjarjeve historike rreth masakrës dhe ngjarjeve që pasuan atë, audienca lokale përfiton dy herë pasi që filmi kundërshton harresën dhe mbështet pajtimin”, ka thënë ajo. Sipas saj, regjisorja Zhbaniq, si dhe personazhi kryesor, Aida, janë si një ndërmjetësuese midis botëve: kinemasë dhe audiencës në Hollivud nga njëra anë dhe përvojave historike e përjetimeve nga ana tjetër.

Për filmin “Quo Vadis, Aida?” që në fillim kur u bisedua për edicionin e sivjetmë të “Academy Aëards”, u tha se meriton më shumë vëmendje. E përditshmja amerikane “Neë York Times” theksoi se në fokus duhet të jetë edhe aktrimi i fuqishëm i aktores, Jasna Duricic. Sidoqoftë, nuk mohoi se dramo-komedia daneze, “Another Round” me yllin Mads Mikkelsen dhe me nominimin e Thomas Vinterberg për regjinë me të mirë bën që filmi danez të jetë i vështirë për t’u mposhtur. Në anën tjetër, prestigjiozja britanike “The Guardian” në parashikimet për “Oscar” pati theksuar se “Quo Vadi, Aida?” duhet të fitojë, ani pse “Another Round” do të jetë fituesi.

Danimarka siguroi çmimin e katërt në “Academy Awards” me “Another Round” nën regji të Thomas Vinterberg, ose "Druk" siç njihet në danez, e që është një odë e jetës dhe të gjitha rreziqeve të saj. Premisa e tij, sidoqoftë, bazohet në teorinë e psikiatrit norvegjez Finn Skårderud, se njerëzit lindin me një 0,05% alkool në gjak. Në terma laikë,"Another Round " teston kufijtë e asaj që do të thotë të dehesh, dhe pastaj të qëndrosh i dehur, në kuptim që të dehesh çdo ditë.

Të nominuarit e tjerë në kategorinë për filmin me të mirë ndërkombëtar ishin "Better Days" nën regji të Kwok Cheung Tsang, “Collective" nën regji të Alexander Nanau dhe "The Man Who Sold His Skin" nën regji të Kaouther Ben Hania. Pesë nominimet ishin përzgjedhur nga 93 kandidatë.