Kulturë

Simbolika e Ditës Botërore të Librit me thirrjen për lexim të përditshëm

Tradicionaliteti i bashkimit të autorëve, lexuesve e institucioneve drejtuese në një vend, për të diskutuar mbi të ardhmen e librit, po vazhdon edhe në Prishtinë. Të premten, njëra prej ngjarjeve për Ditën Botërore të Librit ka qenë paneli i diskutimit “Libri mes ofertës dhe kërkesës”. Përtej diskutimeve, emërues i përbashkët qe konstatimi se leximi duhet shndërruar në nevojë të përditshme, e për ta arritur këtë në lojë hyjnë shumë faktorë – duke nisur prej shkrimtarëve, botuesve e lexuesve, deri te politikat shtetërore

Pavarësisht që mund të tingëllojë si diçka ironike ekzistimi i një dite të tillë – përballë domosdoshmërisë së përditshme për të – 23 Prilli mbetet data kur vëmendja njerëzore kthehet te rëndësia dokumentuese dhe ndikimi i rreshtave të shkruar, gjegjësisht librit.

Tradicionaliteti i bashkimit të autorëve, lexuesve e institucioneve drejtuese në një vend, për të diskutuar mbi të ardhmen e librit, po vazhdon edhe në Prishtinë.

Zëra panelistësh për “melodinë e lëvizjes së fletëve” u ndjenë gjatë së premtes në ambientet e qendrës “Libart”, në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, në panelin e diskutimit “Libri mes ofertës dhe kërkesës”.

Këshilltari politik i ministrit të Kulturës, Qerim Ondozi, çmoi rëndësinë e lexueshmërisë.

“Ne e kemi mision ngritjen e komunikimit gjuhësor, i cili realizohet përmes kulturës dhe leximit”, ka thënë Ondozi.

Ai përmendi se letërsia shqiptare ka autorë të mrekullueshëm, por nuk ka përkthime sa duhet dhe premtoi se do të punohet në këtë pikë. Ondozi ka shtuar se politikat e tyre kulturore do të shtrihen mbi bazën e konsultave me profesionistët e fushës.

“Ne jemi shumë të interesuar që të marrim ide nga sektori i botuesve, përkthyesve, Shoqata e Shkrimtarëve dhe bibliotekat, për të parë se cilat janë nevojat”, ka thënë Ondozi, i njohur edhe si përkthyes.

Sipas tij, bashkëpunimi midis institucioneve do të ketë ndikime afatgjata në shoqëri.

“Duhet të kemi një plan të detajuar ndaj kulturës, sepse lexueshmëria do të përkthehet në një qytetari aktive, demokraci e pushtet më të mirë, si dhe zhvillim të gjithëmbarshëm të shtetit”, ka thënë ai.

Shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni ka folur për transformimet që ka pësuar letërsia dhe lexuesit e saj ndër vite.

“Ndikimi i librit nuk është aq primar si më parë, sot është më selektiv. Lexohet prej një rrethi më të ngushtë, por më të ngritur”, ka thënë Apolloni, i cili së fundmi ka sjellë romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.

Ka vlerësuar se autorë duhet të kenë stilin e pandryshueshëm, pavarësisht kërkesave të tregut. Pra, secili të ruajë një stil unikat të të shkruarit, në mënyrë që të veçohet edhe nga lexuesit.

Mbi ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale, ai ka thënë se këto të fundit ndikojnë në promovimin, e jo në largimin prej librit. Mirëpo, kjo ndërron në rastin e Kosovës, ngase, sipas tij, vëmendja mediale nuk është e kënaqshme ndaj kulturës.

“Nuk është e gjithë bota kaq kaotike si në Kosovë”, ka përmbledhur mendimin e tij.

Pyetjes se nga të gjitha krijimet vetjake cilën vepër e ka më në qejf, Apolloni ia dha një përgjigje simbolike.

“Libri im i preferuar është ai që s’e kam mbaruar”, ka thënë Apolloni.

Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Munish Hyseni, ka thënë se institucioni që ai drejton ka 8.000 lexues të anëtarësuar. Ndërkaq, për dallim nga vitet e mëparshme kur fëmijët përbënin moshën me lexueshmëri më të lartë, viteve të fundit këtë vend e zënë studentët.

“Në radhë të parë lexohet letërsia, pastaj vijnë edhe fushat tjera, siç janë psikologjia, filozofia e deri edhe shkencat ekzakte. Te letërsia dominon ajo botërore”, ka thënë Hyseni.

Përderisa gjatë diskutimit u diskutua për librat të cilët kanë arritur të kenë shitje të lartë në mbarë botën, por jo edhe të zotërojnë vlerë letrare, Hyseni ka dhënë “sinjal” të mirë.

“Librat që i përmendëm si komercialë më pak janë të kërkuar, çuditërisht”, ka thënë ai.

Jo fort e zakonshme, në panele qe edhe një vajzë e vogël, e cila në vitin 2019 ishte shpallur lexuesja e vitit nga kjo bibliotekë. Tuana Çitaku ka thënë se ngritja e lexueshmërisë duhet të bëhet në aso forme që dikur njerëzve t’u kthehet në dëshirë e nevojë.

“Mendoj që problemi te ne është se rekomandohen apo obligohen të lexojnë vetëm një libër për një muaj. Mendoj që është jashtëzakonisht pak, nëse nxënësit do të obligoheshin vazhdimisht, ata vazhdojnë të motivohen që nëse një seri ia rekomandon mësimdhënësi ata janë shumë kuriozë dhe vazhdojnë të lexojnë seritë e tjera”, ka thënë Çitaku.

Në fund të diskutimeve, vëmendja iu dha atyre që gjatë gjithë vitit kishin arritur të krijojnë një relacion të veçantë me librin.

Organizata joqeveritare ETEA, bashkorganizatore e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Librit, bashkë me Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, kanë bërë edhe verifikimin për lexuesit më aktivë të periudhës 2020-2021.

Në sektorin për fëmijë, Julian Palokaj arriti të shpërblehet për vizitën e tij, ashtu siç i tha KOHËS, çdo dy-tri javë e të stacionohet në raftet e kësaj biblioteke.

“Libri është miku yt në çdo kohë”, përmblodhi Palokaj emocionet e tij.

Bardha Osmani u bë e shpërblyera si lexuesja më aktive në sektorin e të rriturve.

“Sa më shumë që lexojmë, ngrihemi intelektualisht e psikikisht”, ka përfunduar ajo.

Ashtu siç bën çdo vit, edhe sivjet, UNESCO-ja ka bërë përzgjedhjen e tre sektorëve të librit dhe kryeqytetit të kësaj dite për sivjet. Me qendër në Tbilisi të Gjeorgjisë, tri fushat kryesore përfshijnë shtëpitë botuese, libraritë dhe bibliotekat.

Slogani i vitit 2021 është: “Në rregull. Libri yt i radhës është...?”, duke u fokusuar në teknologjinë moderne për promovimin e librit e leximit te gjeneratat e reja.