Kulturë

Harpistja shqiptare në skenat belge me muzikën si gjuhë emocionesh

Me hapa të sigurt ajo po ecën drejt një karriere të bujshme. I ka për zemër pikërisht veprat e kompozuara në klasicizëm që nxjerrin në pah melodinë e qetë të këtij instrumenti, por që njëkohësisht theksojnë dhe potencialin e tij. “Për mua muzika është emocion dhe një mjet i përkryer që ndahet shumë lehtë me njerëzit. Kur luaj, dua që emocioni ta prekë secilin”, thotë Bujana Ameti

Harpa ka kohë që është pjesë e muzikës klasike. Kompozitori i njohur austriak Wolfgang Amadeus Mozart është në mesin e atyre që përfshijnë tingujt e saj në kompozime të veta. Vepra e tij, “Koncert për flaut, harpë dhe orkestër”, është koncerti i tij i vetëm për dy instrumente. Por në klasicizëm harpa ishte ende në zhvillim dhe nuk konsiderohej instrument standard për orkestër. Prandaj dhe kombinimi i harpës dhe flautit konsiderohej jashtëzakonisht i pazakonte. Në periudhën e romantizmit në Evropë, ky instrument u përfshi më shumë në kompozime. Kur zuri vend nëpër sallone ngjalli imazhin e muzikës për elitë ose të engjëjve në mes të reve. Tingujt e njomë të këtij instrumenti bënë për vete shumë instrumentistë.

Një histori të pazakonshme me harpën ka edhe 15-vjeçarja shqiptare Bujana Ameti. Me hapa të sigurt ajo po ecën drejt një karriere të bujshme. I ka për zemër pikërisht veprat e kompozuara në klasicizëm që nxjerrin në pah melodinë e qetë të këtij instrumenti, por që njëkohësisht theksojnë potencialin e tij.

Image

Koncert nga “Musica Mundi School”, 31 maj 2018

Tinguj që ngjallin emocion

“Më kujtohet kur isha e vogël, xhaxhai im më ka dhuruar një violinë për ditëlindjen e pestë”, tregon Ameti për KOHËN. Është e bindur se aty kanë nisur edhe interesimi dhe dashuria e saj për muzikën klasike. Ishte e vendosur që ta studionte edhe më shumë këtë instrument. Shqiptarja e lindur në tetor të vitit 2005 në qytetin Liège të Belgjikë, me prindër nga Kumanova e Bujanoci, filloi që të kërkonte kurse dhe mundësi të tjera se si ta perfeksiononte këtë instrument. Lista e njerëzve për t’ia mësuar ishte e gjatë kudo që ajo shikonte. Kjo nuk i pëlqeu. Kështu ia nisi që të interesohej për instrumente të tjera. I ra në sy harpa. “Nga ai moment nuk kam menduar për ndonjë instrument tjetër”, thotë ajo.

Të dy instrumentet që janë të mrekullueshme. Sidoqoftë, harpa të cilën e zgjodhi Ameti ka një tingull me të ngrohtë, më të butë e diçka edhe më të heshtur se violina, që ka një tingull më të mprehtë.

“Për mua muzika është emocion dhe një mjet i përkryer që ndahet shumë lehtë me njerëzit. Kur luaj, dua që emocioni ta prekë secilin”, thotë ajo.

Image

Bujana Ameti në kishën “St. Paulus” në Antwerp, në koncertin bamirës për viktimat e tërmetit në Shqipëri, më 22 dhjetor 2019

Mësimet e para në harpë i mori në vitin 2014. Mbështetja e familjes dhe dashuria për instrumentin qenë katalizatorët kryesorë. Në Akademinë e Waremmeit afër Liège të Belgjikës ndoqi kurse për solfezh, harpë dhe teatër si aktivitet jashtëshkollor. Mësuesja e saj e parë, Primor Slushin, e cila është harpiste edhe e Operës së Liègeit, u bë motiv shtesë. Slushin dhe metodat e saj të punës e bënë Ametin që të rriste dozën e dashurisë dhe interesimit për këtë instrument. Ameti ndoqi po ashtu edhe mësime në shkollën shqipe “Iliria” për dy vjet në qytetin Tongeren ( 2015-2017) e më pas edhe në Bruksel në shkollën “Vatra” (2017-2019).

Në vitin 2016 në konkursin për harpë të Belgjikës, “Harpegio”, fitoi çmimin e parë në duo. Aty shpërblehen muzikantët e rinj që shfaqin potencial në harpë. Një vit më vonë në konkursin tjetër ndërkombëtar për harpë “Félix Godefroid”, që mban emrin e harpistit belg që njihej si kompozitor për instrumentin e tij dhe piano, mori çmimin e “Shpresave”. Më 2018 në “Konkursin Francez për Harpë” që mbahet në qytetin Limoges të Francës mori çmimin e parë, kurse në “Harpegio Antwerpen” në Belgjikë mori çmimin e katërt.

Në kërkim të perfeksionit

Shumë vjet do t’i duheshin harpës për të dalë nga sallonet e muzikës klasike e për t’u shndërruar nga një instrument orkestral në një shtesë elegante në botën e jazzit. Gruaja përgjegjëse për këtë inovacion ishte kompozitorja e jazzit e lindur në Detroi, Dorothy Ashby. Me albumin e saj debutues “The Jazz Harpist”, në vitin 1957, i dhuroi botës tinguj plotësisht të rinj duke përdorur këtë instrument. Harpa ndër vite gjeti strehë edhe në zhanre të tjera. Francezja Laura Perrudin, që ndryshe njihej si harpistja rebele, i bëri vend këtij instrumenti edhe brenda R&B-së dhe muzikës soul. Në anën tjetër, harpistja Gayle Levant bëri bujë në Hollywood. Është në mesin e instrumentistëve që kanë incizuar me Frank Sinatran, Paul McCartneyn, Joni Mitchellin, Michael Jacksonin, Lady Gaga dhe shumë të tjerë. Kur kërkohet një mjeshtër i harpës, Levant është e para në listën.

Image

Ameti në interpretim në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Bruksel - 26 shkurt 2019

E artistja e re shqiptare, që ka vetëm shtatë vjet me këtë instrument, ende s’u ka hyrë këtyre ujërave. Ajo nuk është aq eksperimentale se harpistet që bashkëpunuan me rock e pop muzikantë.

“Kuptimi dhe interpretimi i drejtë i veprës”, njëherë përnjëherë janë sfidë për të. Thotë se është e re dhe se ka shumë për të mësuar. Prandaj edhe nuk mendon se ka një stil të sajin për të cilin mund të njihet. Është në rrugë për të formuar një bazë të shëndoshë për të vazhduar më pas në eksplorime të ngjashme me Ashbyn, Perrudin apo Levant. Tash është e fokusuar te muzika klasike. Vepra e saj e preferuar në këtë kohë është “Une Châtelaine en sa tour” nga kompozitori francez Gabriel Urbain Fauré.

“Është një vepër e shkruar për harpë ku në fillim shprehja muzikore luhet me pasion, në mes është më shumë vallëzuese, kurse në fund ka një kontrast i cili sjell një tingull të butë të harpës”, thotë ajo. Kompozitori i veprës ishte ndër kompozitorët me të njohur francezë të gjeneratës së tij dhe stili i tij muzikor shërbeu si frymëzim për shumë kompozitorë të shekullit XX.

“Me muzikë mund t’i kuptosh të tjerët dhe anasjelltas, dhe kur mëson ndonjë vepër duhet ta studiosh në detaje dhe pastaj kuptimi i veprës ka kuptim shumë të thellë”, thotë Ameti. Tregon se ka dëshirë që të performojë në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë dhe ta promovojë harpën tek të rinjtë shqiptarë.

Prej vitit 2018 ajo ndjek mësimet në një shkollë private ndërkombëtare që quhet “Musica Mundi School” në Waterloo të Belgjikës. Aty mësuese të harpës ka pasur Catherine Michel, harpiste në Operën e Parisit, artiste me renome ndërkombëtare, kurse tani ndjek mësimet me Sivan Magen, harpist i njohur ndërkombëtarisht. Ka performuar në një koncert me violonçelistin Olsi Leka, violonçelist i parë në Orkestrën Kombëtare Belge. Ishte e ftuar të performonte nga Ambasada e Kosovës në Bruksel me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë. Pandemia e ndryshoi agjendën e saj. Ndikoi që shumë projekte të shtyheshin. Tani është duke punuar për të perfeksionuar interpretimin e veprës “Koncert për harpë” të kompozitorit gjerman të periudhës së Barokut, Georg Friederich Handel.