Kulturë

“Autostrada Biennale” dhe “Manifesta 14” – bashkë për artin në tejkalim të izolimit

“Autostrada Biennale” dhe “Manifesta 14 Prishtina” kanë njoftuar të martën për shpalljen e bashkëpunimit dhe partneritetit mes vete
 

Pandemia ka mpakur prurjet e organizimet kulturore, por kjo rrethanë ka nxitur edhe përshtatje e mënyra kreative për të vazhduar tutje aktivitetet. Dy bienalet që vazhdojnë të veprojnë në Kosovë, “Autostrada Biennale” dhe “Manifesta 14 Prishtina”, kanë njoftuar të martën për shpalljen e bashkëpunimit dhe partneritetit mes vete. Në një kumtesë të përbashkët për media, ato kanë njoftuar se, në frymën e bashkëpunimit, miqësisë dhe solidaritetit, në korrik të këtij viti do të shpalosen punët artistike të të dyja palëve e ku do të jetë i përfshirë edhe publiku.

“’Autostrada Biennale’ dhe ‘Manifesta 14 Prishtina’ aktualisht po përgatiten secila për edicionet e tyre të radhës për verën e këtij viti dhe vjeshtën e vitit 2022, me gjithë rrethanat e vështira. Ne besojmë se veçanërisht gjatë këtij realiteti të shtrënguar të dyja bienalet e vendosura në Kosovë duhet të qëndrojnë të bashkuara dhe në solidaritet me njëra-tjetrën. Duke e pasur këtë në mendje, jemi të lumtur e të kënaqur që po e lansojmë partneritetin tonë”, thuhet në kumtesën e dërguar në adresë të mediave.