Kulturë

Violeta Rexhepagiqi – ikona që frymëzon edhe sot

Të gjithë thonë dhe e pranojnë: Viki ishte “përtej kohës” së saj. Kjo vetmi prej avangardisteje nuk vinte vetëm nga stili i veçantë, performancat e veçanta apo eksperimentimi muzikor në një kohë që nuk ishte ideale thuajse për asgjë. Për dikë, Violeta Rexhepagiqi ishte, sikurse koncepti i Tarkovskit për “Hamletin”, një njeri i së ardhmes i dënuar të jetojë në mesin e bashkëkohësve fizikë në të tashmen. “Ajo vendosi një standard të thyerjes së kufijve provincialë në një kohë dhe në një vend ku diçka e tillë nuk ishte aspak e thjeshtë”, vlerëson këngëtari Shpat Deda. E tërhequr relativisht herët nga skena muzikore, ajo rrezatoi shumëçka nga “hubrisi” i saj edhe në gazetari, madje në kohërat kur luftërat po errësonin qiellin e njerëzisë

Në të gjallë e posteritet, ajo ishte krahasuar me emra kumbues, si Kate Bush, Guesch Patti, Debbie Harry e Siouxsie Sioux.

E sprovuar nga fundvitet ’80 me zhanret alternative të valës së re muzikore, Violeta Rexhepagiqi ishte përfundimisht artistja e parë femër që eksperimentoi me stilin e saj. Me këngë shqipe doli edhe para jurisë jugosllave teksa muzika e saj po merrte primesa edhe të revoltës artistike.

Me flokët e shpupurishura, prishtinasja e guximshme çau përmes vështirësish e paragjykimesh. Edhe pse publiku i pamësuar me rrymat e reja muzikore shpesh nuk e kuptonte, Rexhepagiqi veç kishte plazmuar një standard të lartë për kohën e për vitet që do të vinin.

Si sot, para një viti, në mëngjesin e së enjtes së gjashtëmbëdhjetë prillit ajo u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Prishtinë. Ishte 55-vjeçare.

Me mandatën e konfirmuar edhe nga Policia që e gjeti pa shenja jete, një mal kushtimesh të ndjera nga miq, kolegë e të afërm përbashkohej në një pikë: Violeta Rexhepagiqi – Viki ishte avangarde për kohën kur krijoi dhe bartëse e denjë e modernitetit në art.

“Energji, ritëm, guxim e sinqeritet”

Kur Prishtina po bënte plot një muaj në izolim të plotë sebep pandemisë së koronavirusit, këngët e Rexhepagiqit do të emetoheshin si tribut për të. Atë mbrëmje në orën 20:15, për pesëmbëdhjetë minuta rresht, qielli i kryeqytetit kishte jehuar nga këngët e rebeles prishtinase.

Falënderimi i përshpirtshëm nga kolegët, me art e përmes artit, kishte vijuar edhe ditë më vonë. Muzikanti, Tomor Kuçi, kishte zgjedhur të rimerrte diçka nga thesaurusi i repertorit muzikor të para tri dekadave. Ai e kishte rikrijuar këngën “Të dua” – një prej më të njohurave të bendit “Vivien” në vitet ’80 – tek e cila gjente “energji, ritëm, nostalgji, guxim, sinqeritet dhe dashuri”.

Shaini: “Një avangarde jo vetëm në të kënduar”

Për miq, kolegë artistë e dashamirë të saj, edhe një vjet pas, Rexhapagiqi kujtohet si një ikonë që frymëzon edhe sot.

Kitaristi nga Shkupi, Ismet Shaini, e cilëson artisten prishtinase si një nga emrat më të spikatur në skenën muzikore shqiptare.

“Violeta ishte avangarde në stilin e saj jo vetëm të kënduarit ose paraqitjes skenike”, ka thënë ai në një prononcim për KOHËN, duke shtuar se Rexhepagiqi solli risi edhe në stilin e jetës, imazhin dhe botëkuptimin mbi muzikën në përgjithësi.

Shaini – i cili është pjesë e bendit “Telex” si kitarist – nuk e fsheh pakënaqësinë që Rexhepagiqi njihet pak nga brezat e rinj.

“Një pjesë të fajit e kanë edhe mediumet ngase shumë pak i përkujtojnë vlerat e viteve ‘80”, shton ai.

Deda: “Theu kufij provincialë”

Njësoj frymëzuese dhe mësuese shëmbëllen edhe te brezi i ri i artistëve: kantautori prishtinas Shpat Deda thotë se njerëzit e mëdhenj, si Violeta, lënë trashëgimi kudo që shkojnë.

Duke evokuar miqësinë më të, ai e përshkruan Rexhepagiqin si një femër të guximshme, të talentuar, punëtore, inteligjente dhe të pakompromis.

“Ajo e vendosi një standard të thyerjes së kufijve provincialë në një kohë dhe në një vend ku diçka e tillë nuk ishte aspak e thjeshtë”, ka vlerësuar Deda.

Për vitin 2019, me rastin e festave të fundvitit, ai kishte interpretuar këngën e Rexhepagiqit “Nuk të harroj” tok me vargjet e mirënjohura: “Sa herë të kam thënë/ se do të vijë dita/ të zhveshur, të lodhur për qiell/ do të humbin papritmas/ Duket dielli shumë më herët perëndoi/ vetmia po afrohet, po jehon/.

“Si në çdo interpretim të saj, edhe në këtë këngë ndjehet shpirti i Violetës”, thotë Deda teksa evokon me mall afërsinë dhe kujdesin që kishte treguar e ndjera kur ky kishte kërkuar leje për interpretimin e këngës.

“Tash, sa herë e interpretoj këtë këngë, më kujtohen pikërisht butësia dhe dashuria e madhe e Violetës”, shton ai.

Shala: “Ajo u vra nga neglizhenca e shoqërisë”

Muzikanti dhe shkrimtari, Agron Shala, ka bindjen që një grua si Violeta, “me kreativitet e karrierë për lakmi” në gazetari e muzikë, u vra çdo ditë nga harresa dhe neglizhenca e shoqërisë shqiptare. E gjithë kjo, thotë ai, ia kujton një munxë të urtakut Tahir Berisha që kishte thënë “U bofsh e mos paç ku!”

“U harrua për së gjalli dhe vazhdon të harrohet për së vdekuri, sepse hapësirat mediatike çdo herë e më shumë dominohen nga fjalamanët, nga kuazi-artistët që nuk bëjnë art po lajme, nga mediokret e keqpërdoruesit e fondeve që në rrethana normale do të ishin që të gjithë në hijen e saj – të heshtur e anonimë”, thotë Shala.

Me këtë rast, ai ndërmend një interpretim të Andrei Tarkovskit për “Hamletin” e Shakespeareit, në zemër të idesë të së cilit është konflikti i një njeriu të së ardhmes me të tashmen.

“Ai pra, Hamleti, e kapërceu intelektualisht epokën e tij, por ishte i detyruar të jetonte në mesin e bashkëkohësve fizikë. Ky ishte edhe fati i Violeta Rexhepagiqit”, thotë Shala.

Në kohën kur po vijojnë debate për deklarata mbi “rolin” e burrit dhe të gruas, vijon ai, Rexhepagiqi ishte një prej shembujve më të mirë të emancipimit të gruas shqiptare që theu çdo stereotip maskulin.

“Sepse ajo ishte mbase krijuesja më avangarde në rock-skenën e viteve ’80 në Kosovë. Ishte edhe gazetarja më e guximshme. Si e tillë vlerësohet nga shumë krijues e artistë në vend”.

Megjithëkëtë, sipas Shalës, kjo nuk vlen për shumicën e popullatës, për “konsumuesit e showbizit”.

“Përderisa vlera dhe vepra e mirëfilltë nuk bëhen lajm, nuk pres të vlerësohet si duhet, nga shumica, trashëgimia e Violeta Rexhepagiqit. Ky realitet bardhezi i triumfit të injorancës dhe bota e saj plot ide e ngjyra, fatkeqësisht janë në një shpërputhje të madhe”, thekson ai.

E veçantë kudo…

E lindur më 16 shkurt 1965 në Prishtinë, Violeta Rexhepagiqi do t’i niste mësimet në shkollën fillore “Faik Konica” krahas ndjekjes së shkollës së ulët të muzikës.

Më pas do të regjistrohej në drejtimin matematikor në gjimnazin “Xhevdet Doda”, ndërkohë që do të studionte për psikologji në Sarajevë.

Ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë, ndërsa zëri i saj kishte “ngjyrosur” plot personazhe në radio-drama të ndryshme për fëmijë.

Në vitin 1984, bashkë me vëllain e saj, Armendin, do të krijonte bendin “Vivien”. Si emër ishte zgjedhur ai i Vivien Leighut, aktores së zemrës për Rexhepagiqin.

Ky grup katër-anëtarësh, bashkë me Luan Osmanin (bas kitarist) dhe Petrit Rizën (baterist), do të bënte emër jo vetëm në skenën muzikore në Kosovë. Grupi mori pjesë në emisionet e famshme të asaj kohe “Stereovizija” (Zagreb) e “Hit meseca” (Beograd). Në vitin 1986, si 21-vjeçare, ajo do të merrte pjesë në përzgjedhjen jugosllave të këngës që do të përfaqësonte Jugosllavinë në “Eurovision”.

E kënduar në shqip, kënga “Nora” do ta rendiste të shtatën në ranglistë.

“Ka qenë shumë e bukur dhe tragjike”, e kujtonte këtë situatë shumë vite më vonë. “A ka më keq se sa kur dëgjon prej anëtarëve të jurisë që pyesin se a mundet kënga shqipe ta përfaqësojë Jugosllavinë në ‘Eurovision’? Ishte zhgënjim aq i madh dhe ti e di që je ajo”.

Edhe në edicionin e radhës për “Eurovision”, ajo performoi me këngën “Nuk të harroj”, e cila u rangua në vendin e 20-të. Më mirë doli kënga “Fedora”, e shpalosur si pjesë e grupit “Vivien”, që u rangua në vendin e 13-të.

Pas uzurpimit të Radiotelevizionit të Prishtinës në kohën e masave të dhunshme të Serbisë, edhe Rexhepagiqi pati fatin e qindra mijëra shqiptarëve që u flakën në rrugë.

Por së shpejti ajo do të niste punë si korrespondente e “TV Sky News” për t’u angazhuar edhe në agjenci lajmesh, si “News Network” e “WTN”.

Profesionin e saj e kishte përshkruar si tejet të vështirë.

“Ishte shumë e vështirë, sepse njerëzit asokohe nuk ishin të mësuar që femrat të jenë gazetare”, tregonte Rexhepagiqi për punën e saj në terren.

Në një intervistë të para disa viteve, ajo ka evokuar një rast se si i kishte shpëtuar demonstruesit shqiptarë, ndërsa ishte duke xhiruar në rrugë.

“Shpesh më ka ndodhur të isha e pranishme edhe në demonstrata. Atyre që ishin aty iu thosha që ta kthejnë kokën në anën tjetër, në mënyrë që të mos iu shihej fytyra. Kishte shumë gazetarë që i xhironin fytyrat dhe pastaj policia i burgoste. Duhej të kisha kujdes në këtë profesion që të mos iu sillje të këqija njerëzve”.

Vitet në vijim do ta shpinin atë edhe në fronte të nxehta të luftës. Kështu në bagazhin e saj gazetaresk janë reportazhe vivide nga Vukovari, Spliti e vende të tjera të luftës, ashtu sikundër edhe intervista me kriminelë lufte si Zhelko Razhnatoviq, i njohur si “Arkan”, ish-diktatorin irakian, Saddam Hussein e të tjerë.

Në artikullin “Mozaiku dhe gjurmët që nuk shlyhen”, të botuar në “KOHA” si fejton në vetën e parë, në tetor të vitit 1994, Rexhepagiqi kishte rrëfyer me ngjyra të gjalla për bombardimin e qytetit të Splitit nga forcat serbe, por edhe përvoja të tjera.

“Ishim të vendosur në hotelin ‘Split’, atë natë kur nga orët e mesnatës më zgjuan nga gjumi detonimet aq të forta, aq që nga fuqia e tyre e madhe filloi të ‘lëvizë’ çdo gjë në dhomë, thuajse është tërmet i shkallës më të lartë të Rihterit. Duke u mbajtur për muri dhe për pjesët e tjera të mobileve, ia dola që t’i afrohem dritares. I tërë mundi im ishte i kotë, sepse terri e kishte mbështjellë Splitin, andaj nuk lejonte dëshmitarë”, kujtonte në atë seri shkrimesh. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte intervistuar edhe kriminelin serb, “Arkanin”.

Duke rrëfyer vite më vonë, Rexhepagiqi kishte thënë se nuk kishte ditur si të reagojë kur ishte takuar me të.

“Aty tha se me Kosovën do të ndeshemi në fund, Kosova do të ketë luftë kurdo”, kujtonte Violeta fjalët e kriminelit serb.

Përveç punës së saj në RTK, Viki ishte tërhequr nga jeta publike. Me të rrallë ndonjë intervistë për media, artistja dukej sikur po mjaftohej me vetminë. Sepse si e vetmuar edhe kishte mbërritur majat në një kohë që pak e kuptoi…