Kulturë

“Rocks” dhe “Nomadland” kryesojnë me nominime në “BAFTA” që zhvillohet sonte

Descriptive Text

Drama britanike “Rocks” dhe filmi amerikan “Nomadland” udhëheqin garën në Akademinë Britanike të Çmimeve në Film “BAFTA” e cila do të zhvillohet të dielën, në një ceremoni më ndryshe për shkak të pandemisë me koronavirus.

Hugh Grant, Tom Hiddleston dhe Priyanka Chopra Jonas, janë në mesin e prezantuesve të cilët do të shpallin fituesit nga skena e Royal Albert Hall në Londër. Fituesit e çmimeve do t’i marrin ato duke mbajtur distancën ndërkohë që nuk do të ketë fare audiencë e cila do t’i duartroket triumfuesit.

Princi William ishte i caktuar për të mbajtur një fjalim në rolin e tij si president i Akademisë britanike të filmit mirëpo kjo është anuluar për shkak të vdekjes së gjyshit të tij, Princit Philip, të premten e kaluar.

Filmi “Nomadlan”, një dramë nga Chloe Zhao, flet për një grua të moshës së mesme e cila udhëton nëpër Amerikën Perëndimore ndërkohë që drama “Rocks” e Sarah Gavron, flet për një vajzë adoleshente me ngjyrë në Londër. Këta janë dy filmat që prijnë me nominime, secili me nga shtatë sosh.

Akademia britanike e filmit ndryshoi anëtarësinë dhe rregullat e saj të votimit vitin e kaluar, në një përpjekje për të adresuar një mungesë të dukshme të diversitetit në nominime. Në vitin 2020, për të shtatin vit me radhë, asnjë grua nuk ishte e nominuar për regjisoren më të mirë ndërkohë që të gjitha 20 nominimet për kategoritë e performancave kryesore dhe dytësore ishin aktorë të bardhë.

Këtë vit, nominimet janë më diversive derisa katër nga gjashtë nominimet për regjisorin më të mirë, janë gra.