Kulturë

“Unë shpresoj...” bashkon vizionet për të ardhmen të dhjetë mijë njerëzve

“Gjatë pandemisë së COVID-19 është e vështirë të mendosh për shpresën, por të imagjinosh të ardhmen është shumë e rëndësishme për njerëzit”, ka thënë artistja japoneze Chiharu Shiota për veprën e saj që vjen si kundërpërgjigje ndaj pandemisë. “Nëse nuk keni inspirim, ju nuk keni të ardhme”

Shpresa është një fjalë me të cilën të gjithë janë familjarizuar – ose ndoshta harruar – në vitin e fundit. Bota ka përjetuar sfida të panumërta për shkak të pandemisë COVID-19. Artistja japoneze Chiharu Shiota ka dashur të krijojë një hapësirë që do të kujtonte dhe inspironte për të besuar përsëri. Për ekspozitën të saj të fundit në “König Galerie” në Berlin, ajo ka krijuar realizuar instalacionin e madh të titulluar “Unë shpresoj...”.

Vepra gërsheton brenda vetes dhjetë mijë letra të dërguara nga njerëz nga e gjithë bota, që ndajnë shpresat e tyre për të ardhmen. Letrat rrinë në ajër, pasi që më pas janë varur në fije peri që lëshohen nga lart.

“Gjatë pandemisë së COVID-19 është e vështirë të mendosh për shpresën, por të imagjinosh të ardhmen është shumë e rëndësishme për njerëzit”, ka thënë Shiota për “My Modern Met”. “Nëse nuk keni inspirim, ju nuk keni të ardhme. Unë u kam dhënë njerëzve letër të kuqe për të shkruar shpresat e tyre, që më pas unë të mund ta mbushi galerinë me këtë shpresë...Tema ime është ekzistenca në mungesë. Kjo nënkupton që askush nuk është aty, por unë e ndiej që dikush është prezent. Kështu kur dikush vdes, unë mund të ndiej prezencën e tij. Dëshiroj të krijoj këtë ndjenjë me instalacionin tim... Jam duke i thurur kujtimet në prezencë”.

Fijet e perit rrinë varur në anijatën e “Shën Agnesit”, një ish-kishë që tani është hapësirë ekspozuese për “König Galerie”.

“Kam menduar se ky është një vend i mirë për shpresën”, ka sqaruar Shiota. “Normalisht njerëzit luten për të ardhmen e tyre në një kishë, dhe ky vend ka shumë shpresë – ishte një vend i mirë për të realizuar instalacionin”.

Ani pse ekspozita nuk ishte e hapur për publikun për një periudhë për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kjo nuk i ka ndaluar njerëzit që të bashkëveprojnë me të. Muzikantë, valltarë dhe performues të tjerë që janë të afërt me artisten ishin ftuar që të performonin në hapësirën e zbraztë ku ishte vetëm instalacioni. Performancat e tyre janë të qasshme për t’u shikuar online e që kjo ia mundëson publikut që të krijojë lidhshmëri ani pse virtualisht.

Ekspozita tashmë është mbyllur, por seria me performanca është ende e qasshme për t’u shikuar në Facebook dhe Instagram deri më 18 prill të këtij viti. \ My Modern Met

Përktheu: Alberina Haxhijaj