Arta Jashari derisa ndihmonte babanë e saj të moshuar që të mposhtte koronavirusin e mësoi se sa fuqia e dikujt mund të jetë shpresë për të tjerët dhe mund t’i ndryshojë gjërat për të mirë.
Sopranoja 32-vjeçare vendosi që ta trajtonte vetë të atin e saj, Baki Jashari – drejtor i Filharmonisë së Kosovës, i cili vuan nga diabeti dhe sëmundja e zemrës – pasi që e largoi nga Klinika e mbingarkuar e Pulmologjisë, qershorin e kaluar.
Në karantinë, kjo detyrë ishte e vështirë. Ishte ndihma e fqinjëve me ushqim dhe gjëra të tjera që ia mundësuan asaj ta tejkalonte këtë situatë. Babai i saj e mori veten pas një muaji, por ishte përkushtimi i të huajve që e bëri atë të kuptojë se bota në këtë pandemi është bashkë dhe se e mira duhet kthyer.
Jashari, artiste e famshme në vendin e saj, vendosi të ndihmojë duke dhuruar pajisje mbrojtëse dhe duke u kthyer që të ndihmonte në Klinikën e Pulmologjisë duke dhënë ndihmë me çfarëdo që kishte mundësi.
“U jepni shpresë kur jeni aty. E dinë se je aty për të ndihmuar”, ka thënë ajo për “The Associated Press”.
Jashari nuk ka trajnim mjekësor, por ua dha një dorë mjekëve në çfarëdo mënyre që pati mundësi, duke u ndihmuar të infektuarve në shtëpi a në klinikë. Për pacientët që shëroheshin në shtëpi ajo shërbente si një ndërlidhje në mes tyre dhe stafit të mbingarkuar mjekësor.

Flamur Marku, pulmolog në Klinikë, ka thënë se njerëzit e kishin të vështirë që të besonin “pse dikush po e rrezikonte shëndetin e vet, pasi që ekzistonte rreziku për t’u infektuar”.
“Edhe me rroba mbrojtëse e gjëra të tjera, është çdo herë e rrezikshme që të jesh me pacientë të infektuar”, ka thënë Marku. “Ishte diçka e mirë nga ana e saj”.
Jashari asnjëherë nuk mori leje zyrtare për të ofruar ndihmë në spital, por askush nuk e ndalonte.
“Asnjëherë nuk e kam menduar nëse do të ishte problem për mua po të infektohesha ose jo, sepse mendoj se jeta e njerëzve është më e rëndësishme sesa fakti a infektohem apo jo”, ka thënë Jashari. Sipas saj, ajo që ka më shumë rëndësi është të jesh aty, për pacientët të cilët “kanë nevojë për prezencën tënde pasi që kanë nevojë për mbështetje emocionale”.
Jashari ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në atë të Berlinit dhe Lubjanës pasi që studio për solokëndim. Ajo punon në Filharmoninë e Kosovës. Molla nuk ka rënë larg pemës – nëna e Jasharit është po ashtu soprano me profesion.
Një koncert në fund të shkurtit ishte në mesin e shumë pak koncerteve të mbajtura gjatë vitit të fundit për shkak të pandemisë.
Jashari ka thënë se asaj i mungon intensiteti i një sezoni të mbushur me koncerte, të cilët tani po mbahen më së shumti online apo me audiencë të limituar. Por puna e saj në klinikë, e kombinuar me përkthimin e operave botërore në shqip, e kanë mbajtur të zënë. Ka thënë se të japësh dashuri në çdo performancë është e ngjashme me të dhënit ndihmë në Klinikë.
“Ju jepni aq shumë dashuri dhe shpresë dhe kaq shumë emocione...dhe këtu (në klinikë) është e njëjta”.
Kosova ka pasur 1 mijë e 674 vdekje për shkak të koronavirusit dhe mbi 73 mijë e 600 raste sipas të dhënave qeveritare të llogaritura nga Universiteti Johns Hopkins. Për të ndaluar infeksionet e reja, Qeveria ka ndaluar daljet gjatë natës dhe ka ndaluar grumbullimin e më shumë se 50 njerëzve.
Ishte e vështirë që ta bësh Jasharin të bisedojë në lidhje me ndihmën që u ka dhënë pacientëve me koronavirus. Ajo u është shmangur daljeve në pah duke thënë se nuk e ka bërë këtë për publicitet.
“Unë mendoj se është e rëndësishme që e gjithë bota tani po kalon nëpër të njëjtën situatë dhe (pandemia) po rikthen humanizmin në botë”, ka thënë ajo.
Përktheu: Alberina Haxhijaj