Kulturë

“Hapja virtuale” e letrës së vulosur të shekullit 17

Një letër nga 1697-a është lexuar për herë të parë duke e përdorur teknologjinë me rreze X. “Hapja virtuale” është vlerësuar si e jashtëzakonshme në studimin e dokumenteve historike

Për herë të parë në botë, në studimin e dokumenteve historike, një letër e pahapur që ishte shkruar më 1697 është lexuar nga studiuesit pa e thyer vulën.

Letra, e datuar më 31 korrik 1697 dhe e dërguar nga tregtari francez Jacques Sennacques në Lille për kushëririn e tij Pierre Le Pers në Hagë, ishte mbyllur me “bllokim letre”, proces gjatë të cilit letra palosej për t’u bërë vetë zarf, me qëllimin që të mbetej private. Është pjesë e një koleksioni prej rreth 2600 letrash të padërguara nga e gjithë Evropë në Hagë mes viteve 1689 dhe 1706, 600 prej të cilave nuk janë hapur asnjëherë.

Ekipi ndërkombëtar i hulumtuesve nga universitete si MIT, King’s College London, Queen Mary University London, Utrecht dhe Leiden, kanë punuar me skanime mikrotomografike me rreze X, që përdor rrezet në fjalë për të parë brendësinë e dokumentit, copë më copë, dhe krijon një imazh 3D. Ata kanë zbatuar algoritme kompjuterikë për skanimet që iu mundësoi të depërtonin në brendësi të letrës pa e hapur atë dhe zbuluan që Sennacquesi i kërkonte kushëririt të tij një kopje të certifikuar për afishin e vdekjes së njëfarë Daniel le Persit.

“Ka ca javë prej kur të shkrova me qëllim që të kërkoja prej teje të më bëje një fragment të legalizuar për vdekjen e Daniel le Persit, pa marrë përgjigje nga ju”, shkruan letra. “Po të shkruaj për herë të dytë me qëllim që t’ju kujtoj për vështirësitë që i pata marrë në emrin tuaj. Është me rëndësi për mua të kem këtë ekstrakt dhe do të më bëjë nder të madh ta prokuronit atë për mua e të më dërgonit në të njëjtën kohë lajme për shëndetin tuaj e të gjithë familjes”.

Image

Një sekuencë kompjuterike gjatë hapjes së një letre të vulosur (Foto: Unlocking History Research Group archive)

Grupi i kërkuesve, që përfshinte historianë, konservues dhe shkencëtarë, i kanë botuar gjetjet e tyre të martën në një artikull në “Nature Communications”. Ata thonë se kjo është hera e parë që një letër e pahapur nga Evropa e kohës së Renesancës është lexuar pa e thyer vulën e saj apo dëmtuar në ndonjë mënyrë. Është me rëndësi të jashtëzakonshme për studimin e dokumenteve historike për shkak se palosjet e kutitë përbëjnë dëshmi me vlerë për historianët dhe konservuesit.

“Ky algoritëm na shpie drejt e në zemër të një letre të mbyllur”, shkruan ekipi kërkues në artikull, që është udhëhequr nga Jana Dambrogio dhe Amanda Ghassaei.

“Ndonjëherë e kaluara i kundërvihet zhbirimit. Ne mund thjesht t’i hapnim këto letra, por në vend të kësaj ne harxhuam kohë për t’i studiuar ato për cilësitë e tyre të fshehta e të paqasshme. Ne mësuam që letrat mund të jenë shumë më interesante kur ato janë lënë të pahapura. Të përdoresh hapjen virtuale për të lexuar një rrëfim intim që nuk e ka parë kurrë dritën e ditës – dhe që kurrë nuk e ka arritur pranuesin – është vërtet e jashtëzakonshme”.

Letrat janë ruajtur nga drejtuesit kryesorë të postës në Hagë, Simon de Brienne dhe Marie Germain, dhe që ia kishin dhuruar muzeut postal më 1926. Kur letrat nuk mund të përcilleshin në shekujt 17 dhe 18, ato mbaheshin prej punonjësve për shkak se pranuesi, më shumë sesa dërguesi, paguante për letrën. Letrat e padërguara mund të jenë me vlerë nëse dikush ngre pretendime për to.

Letrat në koleksionin e Briennes, kanë thënë kërkuesit, “dëshmojnë për dobësinë e vijave të komunikimit në një kohë kur Evropa ishte zhuritur nga lufta, kriza ekonomike dhe dallimet fetare”, dhe ku “njerëzit shpërnguleshin shpesh, ndonjëherë nxitimthi, duke mos lënë adresa sepse nuk kishin të tilla, ose nuk e kishin lirinë për ta bërë të ditur atë”.

“Mundësia për të studiuar një letër në gjendjen e saj të mbyllur është vërtet e rrallë. Sapo të hapni një letër, nuk mund ta studioni më si një letër të pahapur, ndaj është jashtëzakonisht e çmueshme për një material historik ta studioni në gjendjen e tij të mbyllur”, ka thënë dr. Daniel Starza Smith, ligjërues i letërsisë së hershme angleze në KCL dhe pjesë e ekipit “Unlocking History”.

“Ne në të vërtetë jemi të interesuar si funksionojnë letrat si objekte inxhinierie, dhe si bëhen ato në paketa. Ky është vërtet një material i ndjeshëm. Njerëzit e shkrijnë zemrën në letra, ata krijojnë lidhje emocionale përgjatë largësive të mëdha. Të mendosh për këto mesazhe që kurrë nuk janë përcjellë është vërtet prekëse”.

Kërkuesit besojnë që hapja virtuale do të ketë një impakt “larg përtej” koleksionit Brienne, për shkak se shumë koleksione gjithandej botës përmbajnë dokumente të pahapura.

“Një shembull i rëndësishëm janë qindra njësi të pahapura mes 160 mijë letrave të padërguara në Prize Papers, një arkiv dokumentesh të konfiskuara nga britanikët prej anijeve armike mes shekujve 17 dhe 18”, shkruan në artikullin e titulluar “Unlocking History Through Automated Virtual Unfolding of Sealed Documents Imaged by X-ray Microtomography”. “Nëse këto mund të lexohen pa i hapur fizikisht, shumë të dhëna të rralla të letrave të bllokuara mund të ruhen”.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Salih Mehmeti

Image

Më shumë se 2 600 letra nga shekulli XVII, përfshirë edhe 600 sosh që nuk janë hapur kurrë, gjenden në një sënduk të dhuruar Muzeut postal në Hagë më 1926 (Foto: The Museum Voor Communicatie, Hagë)