Kulturë

Promovohet vepra për Adem e Hamzë Jasharin si gërshetim artistik i tri fushave

Shkrimet në prozë e poezi, rolet në film e teatër dhe ngjyrat në pikturë u bën bashkë në një vend të vetëm.

Frymëzimi i të gjitha këtyre krijimeve artistike kishte qenë Adem e Hamzë Jashari, përmbledhja e së cilave u përgatit nga Reshat Sahitaj, në kuadër të Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve shqiptarë.

Në promovimin e kësaj vepre të enjten, kishin marrë vendet e tyre në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës shkrimtarë, këngëtarë, aktorë të shumtë, për të risjellur në kujtesë mundin dhe sakrificën e dy figurave të kombit.

Ngjarja nisi me interpretimin artistik të aktorit e regjisorit, Sokol Plakolli, i cili përveç aktrimit të fuqishëm edhe për nga fiziku i tij kishte ngjashmëri në të parë me Adem Jasharin, gjë që ia shtoi më shumë emocionin publikut.

Autori i kësaj përmbledhje e cila doli në dritë nga përgatitja dyvjeçare, Reshat Sahitaj theksoi se kjo vepër është shkruar për publikun shqiptar, teksa është duke punuar që të dalë në dritë së shpejti edhe një libër për të lartësuar historinë e tyre te ndërkombëtarët.

“Ky është një libër pak më i veçantë se librat e tjerë, mirëpo ky libër është vetëm për konsumin e brendshëm shqiptar, nuk është për ta dërguar në botën e jashtme”, tha Sahitaj.

Shkrimtari dhe publicisti Prend Buzhala gjatë fjalimit të tij përmendi se pavarësisht që ka shumë autorë të cilët kanë marrë mundin që ta përçojnë nëpërmjet lapsit të tyre veprimtarinë e bujshme të Jasharëve, sërish nuk ekzistojnë fjalë që mund të mbajnë mbi supe heroizmat e tyre.

Përgjatë promovimit të librit, organizatorët ishin kujdesur që nëpërmjet pikave muzikore të Shkurte Fejzës dhe të tenorit Dashnor Sahiti nën përcjelljen e profesorit Agron Shijaku, të sjellin emocion te publiku edhe nëpërmjet këngës.

Nuk ishte e mundur të flitej për Jasharët pa sjell edhe ndonjë rrëfim të veçantë të të afërmve të tyre. Për këtë, ishte i pranishëm Hajdar Fejzullahu, shoku i klasës së Adem Jasharit, i cili përveç që e përshkroi atë si një person me elegancë dhe hijeshi të madhe qysh si fëmijë, nuk i kurseu as lotët teksa tentoi të interpretoi një prozë poetike të shkruar nga vetë ai.

Pas fjalimeve dhe kujtimeve për Jasharët, foltorja priti poetë të rinj e të moshuar, të cilët interpretuan poezitë e tyre kushtuar heronjve, duke ua rikujtuar të pranishmëve simbolet e rezisdencës.

Para se të interpretonte poezinë e tij, shkrimtari dhe piktori Idris Berisha shfrytëzoi rastin të bënte një thirrje publike për ngritjen e shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë.

Skena e priti sërish Sokol Plakollin, interpretimi artistik i të cilit përmbylli promovimin.