Kushtrim Koliqi (1984) është regjisor, producent, botues e aktivist. U lind në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Studioi për regji teatri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi në vitin 2007.
Momentalisht është duke vijuar studimet e doktoratës në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoni, shkruan sot “Koha Ditore”. Gjatë karrierës profesionale u angazhua në produksione teatrore në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatro të tjerë lokalë e privatë. Shfaqjet e tij më të arrira janë: “Hanibali i nëntokës”, “ Çifti i hapur”, “Më afër”, “Mbas Zonjushës Julie”.
Si regjisor është shquar për qasje avangarde dhe inovative. Shfaqjet e tij janë vlerësuar pozitivisht nga kritika dhe janë pritur mirë nga audienca. Mori edhe disa shpërblime të rëndësishme, ndër të cilat është edhe Çmimi vjetor për regjinë dhe shfaqjen më të mirë në Kosovë për vitin 2013.
U angazhua edhe si regjisor e producent i prodhimeve mediale e filmike (seriale e prodhime televizive, filma artistikë e dokumentarë, fushata të marketingut etj.). Më i rëndësishmi midis tyre është prodhimi i ciklit të filmave dokumentarë narrativë “Njerëzit dhe kujtimet flasin”, përkitazi me viktimat civile të luftës së fundit në Kosovë dhe në rajon në tërësi. Është anëtar i bordit ekzekutiv të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës dhe organizator i disa festivaleve në vend dhe jashtë tij.
Është botues i një sërë publikimesh e librash të veçantë. Si aktivist K. Koliqi prej vitit 2003 është udhëheqës i organizatës “Integra”, e fokusuar në fushën e ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë transicionale, të drejtat e njeriut, aktivizmin qytetar, të menduarit dhe të shkruarit kritik, për bashkëpunimin rajonal, demokratizim dhe integrim.
Koliqi është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Skena është një platformë unike e shprehjes. Skena teatrore veçanërisht duhet të konsiderohet si burim që jep impulsin e parë për trendët dhe çështjet shoqërore.
Tanimë skena teatrore nuk mund të konsiderohet vetëm si hapësirë për t’u vendosur një shfaqje me vlera vetëm estetike... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.