Kulturë

Agim Krajka – maestroja i avangardës në muzikën shqipe

Një karrierë që filloi kah fundi i viteve ’60 ishte e fatthënë të hynte në historinë e muzikës shqiptare. Prej hapërimit si fizharmonist në Ansamblin Shtetëror të Valleve dhe Këngëve e deri në vitet ’90, Agim Krajka u bë emri i përveçëm që kompozoi këngë të pavdekshme me frymëzime nga melosi popullor. Më shumë se kaq, paçka se izolimi i Shqipërisë ia preu mundësinë e afirmimit në botë, Krajka është themelues i fizarmonikës moderne shqiptare, duke qëndruar në lartësitë e artistëve botërorë si Art van Damme, Tony Dannon e Frank Marocco

Të paktë ishin artistët që e qëmtuan Shqipërinë cep më cep, e edhe më të paktë ata që nxorën nga kjo gurrë këngë të pavdekshme që vazhdojnë të këndohen me ëndje nga brezi në brez.

Me një karrierë që nis në fund të viteve ‘60 dhe bëhet gjithnjë e më e llojndryshme nga begativa e vet, Agim Krajka ishte nga të fundmit që u shkëput nga folklori dhe nga të parët që iu përgjigj trendeve bashkëkohore. Kjo frymë avangardizmi është e manifestueshme në ato krijime ku ishte kompozitor i këngëve ikonike si “Djaloshi dhe shiu”, “Kënga e gjyshes”, “Lemza” e të tjera, ashtu sikundër edhe plot kolona të veçanta zanore.

Mbrëmjen e së hënës, ai që kaloi një jetë mes vlerësimesh e mirënjohjesh, ka dhënë frymën e fundit në moshën 83-vjeçare. Kumtin e pikëllimtë e ka dhënë i biri i tij, Ulis Krajka.

“Shpirti yt pushoftë në paqe babai ynë i dashur!”, ka shkruar Krajka në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

Performuesi mjeshtëror

Sipas njohëses së muzikës shqipe, June Emerson, Agim Krajka ishte një “performues mjeshtëror” në fizarmonikë.

“E nisi karrierën e tij duke shkruar muzikë dhe këngë të lehta, veçmas këngë me ritëm të fortë”, shkruan Emerson në librin e saj “The Music of Albania” (1994).

Po kështu për të gjithë ata që e njohën universin krijues të Krajkës, Gimi, siç e quanin me dashuri, ishte krijuesi që shndërroi muzikën e tij normale në një kohë jonormale duke i qëndruar besnik këngës shqiptare.
Me një dedikim të veçantë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të martën ka përkujtuar kohën kur u “thye” karantina në sheshin “Skënderbej”, me rastin e Ditës së Muzikës, me koncertin “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.

“Ne nuk gjenim dot simbolikë më të bukur se kaq. Sepse shqiptarët të kanë dashur dhe do të të duan përtej çdo kufiri moshor, sepse krijimtaria jote është e pakohë, që nga këngët ‘hit’, tek orkestrimi i gurrës popullore”, ka shkruar Margariti në faqen e saj në “Facebook”. “Do të ishte e zbrazët të thosha se sa shumë do të na mungosh me atë energji e rini të jashtëzakonshme, por me gjasë tani je duke kompozuar një tjetër muzikë në amshim. Do të jesh gjithnjë me ne mjeshtër, dhe duartrokitjet janë për ty edhe në këtë ditë, kur fizikisht duhet të të themi lamtumirë”.

Ndjekësi i trendeve të kohës

Komisioni i Artit dhe i Trashëgimisë Kulturore në Akademinë e Shkencave ka shprehur ngushëllime për familjen Krajka dhe për gjithë komunitetin e muzikantëve. Në shkrimin e afishuar në faqen e institucionit më të lartë akademik në Republikën e Shqipërisë, Krajka është vlerësuar për faktin që çdo ditë të karrierës së tij artistike ia kushtoi folklorit muzikor “duke e eksploruar në çdo cep të Shqipërisë”, në të cilin do të gjente frymëzimet më të bukura për veprat muzikore që vulosnin muzikën e kohës.

“Ai ishte i fundit që shkëputej nga folklori dhe i pari që ndiqte trendet e muzikës së kohës, prandaj të gjithë e kërkonin dhe donin të bashkëkrijonin e ndanin skenën me të”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Artit dhe Trashëgimisë Kulturore.

“Agim Krajka do të mbetet në historinë e muzikës shqiptare si kompozitori i shumë këngëve që këndohen ende edhe sot nga publiku apo në skena të ndryshme muzikore, ndër të cilat mund të përmendet kënga e famshme ‘Lemza’, e kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961”.

“Një krua melodie…”

Dirigjenti i njohur Zhani Ciko ka thënë se Krajka u fut në muzikën shqiptare në momentin kur për herë të parë u shpalos Festivali i Këngës në RTSH.

“Ai hapi derën e festivalit dhe u fut atje për të qenë një nga bashkudhëtarët e suksesshëm të këngës shqiptare”, ka thënë Ciko për mediat në Shqipëri.

Kurse akademiku e etnomuzikologu Vasil Tole për të dhënë peshën e dhimbjes ka shkëputur një fjali nga shkrimtari Ernest Koliqi, i cili kishte thënë: “Një krua melodie që u tha”.

“Ai e shndërroi muzikën e tij normale në një kohë jormoale. Për këtë arsye me largimin e tij, krijimtaria e Krajkës merr një përmasë tjetër”, ka thënë Tole.

Sipas akademikut të njohur, shumica e muzikës së Krajkës është bërë para viteve ‘90, duke arritur në nivele të larta sa për shkak të talentit të tij, po aq edhe për shkak të profesorit Çesk Zadeja që i frymëzonte studentët e tij të shkruanin muzikë “duke u mbështetur te tharmi kombëtar”.

Muzikanti i njohur Sidrit Bejleri ka përkujtuar Krajkën për trashëgiminë e tij me këngë që vazhdojnë të dëgjohen si “Djaloshi dhe shiu”, “Kënga e gjyshes”, “Lemza”, e të tjera këngë të muzikës së lehtë.
“Po ikin korifenjtë e artit shqiptar, por kë po lënë prapa”, ka shkruar Bejleri.

Edhe Ambasada e Italisë në Tiranë i është bashkuar vargut të ngushëllimeve duke e cilësuar vdekjen e Krajkës si një mungesë për muzikën shqiptare.

“Ambasada jonë bashkohet me dhimbjen e familjes dhe të gjithë të dashurve të tij”, thuhet në ngushëllim.

“Gardiani i muzikës shqipe”

Edhe kompozitorë e njohës të muzikës nga Kosova kanë veç fjalë e konsiderata të larta për Krajkën. Kompozitori Valton Beqiri e ka quajtur artistin e njohur si “gardian të muzikës shqipe”.
“Pavarësisht se ishte gjeni në muzikë, Krajka ishte jashtëzakonisht modest dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët”, ka thënë Beqiri të martën për KOHËN.

Ai ka shtuar se Krajka i ndihmonte të gjithë ata që e ruanin traditën e muzikës kombëtare, përderisa, sipas tij, rolin më i rëndësishëm në karrierën e tij kishte qenë drejtimi i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve.

“Ishim me fat që jetuam në kohën e tij dhe patëm rastin t’i dëgjojmë këshillat e tij për t’i pasur si udhërrëfyese për punën tonë të mëtutjeshme”, ka thënë kompozitori Beqiri.

“Ai që dha një tingull puro shqip”

Kurse Raif Hyseni, fizarmonist që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka vlerësuar se Krajka ishte themelues i fizarmonikës moderne shqiptare. Sipas tij, ai qëndron në të njëjtin nivel me emra botërorë si Art van Damme, Tony Dannon apo Frank Marocco.

“Për mua ai ishte frymëzues, ashtu sikurse ishte për gjithë brezin që luajtëm me fizarmonikë dhe e deshëm stilin e tij të ekzekutimit”, ka thënë Hyseni për KOHËN.

Ai ka vlerësuar se një nga periudhat më të rëndësishme të krijimtarisë së Krajkës është koha kur e udhëhiqte Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të cilit “i dha një tingëllim puro shqiptar”.

“Krajka ishte edhe një model për shqiptarët jashtë Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi”, ka shtuar Hyseni.

Ndërkaq duke evokuar profilin krijues të Krajkës, këngëtarja Irma Libohova ka vlerësuar se tematikat dhe mesazhet e tij ishin gjithnjë të veçanta. Këngë si “Djaloshi dhe shiu” e “Lemza”, sipas saj, janë për gjëra të përditshme që njerëzit kanë nevojë t’i shprehin.

“Ajo që e bën më të veçantë për nga pikëpamja e teksteve është mesazhi që përcjell e për nga pikëpamja melodike, Gimi ishte gjithnjë avangard duke dëgjuar muzikën më të bukur të kohës prej së cilës ndikohej”.

Agim Krajka u lind më 3 maj 1937 në Kavajë në një familje me origjinë nga Dibra. Dashuria e tij për muzikën lindi që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu sidomos i ati muzikant. Në vitet 1963-1968, ai ndoqi studimet e larta për kompozicion në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, që asokohe drejtohej nga i madhi Çesk Zadeja.

Krajka ishte fizarmonicist në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, aty ku punoi deri në vitin 1991.

“Si drejtues i formacionit instrumental të atij institucioni, përpunoi shumë këngë e valle popullore, kompozoi muzikë në stil popullor, si edhe muzikë filmi dhe pjesë të ndryshme për fizarmonikë”, thuhet në një jetëshkrim të afishuar në faqen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Sipas po të njëjtit tekst, Krajka me këngë si “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Ne jemi tre” përfaqësoi prirjet më progresive për emancipimin e muzikës së lehtë shqipe prej viteve ‘60 deri në ‘80.

Si instrumentist virtuoz realizoi një numër të madh koncertesh në Shqipëri e Kosovë, si dhe udhëtime të Ansamblit Shtetëror në Kinë, Greqi, Itali, Turqi, Algjeri, Tunizi, Egjipt, Norvegji, Suedi, Gjermani, Austri, Zvicër, USA, Australi, Kanada e të tjera.

Krajka ka qenë fitues çmimesh në festivalet e përvitshme të këngës në RTSH, ndërkohë që shkroi një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike, suitë me valle popullore për orkestër simfonike, si dhe krijime të tjera.

Është autor i kolonave zanore në filmat “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fshati”, “Njësiti gueril” e të tjera. Ai krijoi edhe motivet e valleve kryesore të kulturës popullore, si vallja e Librazhdit, Tiranës, vallja çame e shumë të tjera. U nderua me çmime, urdhra e medalje, më i rëndësishmi prej të cilëve është edhe “Artist i Merituar”.

Në vitin 2018, në koncertin që u realizua për 81-vjetorin e lindjes së tij, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta e nderoi Krajkën me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.