Kulturë

Ministrisë i kërkohet ta anulojë procesin për “udhëheqës artistik jolegjitim” të Teatrit

Prishtinë, 26 shkurt – Megjithëse i referohet sot e gjithë ditën një pozite që, sipas legjislacionit në fuqi, nuk ekziston fare, Ministria e Kulturës deri më tash s’e ka anuluar procesin për zgjedhjen e “drejtorit artistik” të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës të premten i është drejtuar institucionit më të lartë të kulturës në vend me kërkesën që të ndalojë procesin e përzgjedhjes së “udhëheqësit artistik jolegjitim”. Më 26 janar, po kjo shoqatë i ishte adresuar MKRS-së me kërkesën për anulim të konkursit.

“Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) me shqetësim ka pranuar lajmin përmes mediave se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me procedurat e përzgjedhjes së udhëheqësit artistik të këtij Institucioni, përkundër faktit që ky proces në thelb bie ndesh me ligjet në fuqi”, thuhet në reagimin e SHATK-së që u është përcjellë mediave.

Kjo shoqatë, me këtë rast, ka përkujtuar shkresën e bërë fiks para një muaji me anë të së cilës MKRS-së i ishte tërhequr vërejtja se “po hap një konkurs për një pozitë që nuk ekziston”, ndërkohë që Këshilli Drejtues i TKK-së kishte vazhduar me proceduat e përzgjedhjes për një pozitë në të cilën nuk është hapur konkurs.

Sipas reagimit të artistëve, konkursi me referencë 4163/2020 specifikon titullin e punës si “drejtor artistik”.

“Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të përgjithshëm. Njëherësh ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe udhëheqësin artistik. Konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë ky konkurs nuk është valid, dhe është jolegjitim. Për këtë arsye SHATK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për udhëheqësin artistik të TKK-së”.

Tutje në reagimin e nënshkruar nga Bordi ekzekutiv i Shoqatës – në përbërje të Armend Smajlit, Erson Zymberit, Faris Berishës, Kushtrim Koliqit dhe Rebeka Qenës – krejt ky proces është i dëmshëm për Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Gjatë ditës, KOHA ka provuar të kontaktojë kryetarin e Këshillit Drejtues të TKK-së, Agron Shala, por nuk ka marrë përgjigje. Në fakt, përbërja e re e këtij këshilli ishte kompletuar në fund të vitit të kaluar nga ministrja Vlora Dumoshi me këta emra: Munish Hyseni, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Agron Shala, Ismet Azemi, Samka Ferri dhe Feim Maliqi. Së fundmi, Samka Ferri, si anëtarja e vetme femër e këtij këshilli, ka dhënë dorëheqje. E kontaktuar nga gazeta për arsyet e dorëheqjes, ajo është përgjigjur shkurt se “i dijnë ata arsyet”. Por jozyrtarisht mësohet se pakënaqësia e saj me anëtarët e tjerë të Këshillit ka bërë që Ferri të japë dorëheqje.

Ndryshe, deri në vitin 2012 pozita e udhëheqësit artistik sipas Ligjit për teatro ishte e emëruar si “drejtor artistik”. Por me hyrjen në fuqi të Ligjit aktual, drejtor quhet vetëm drejtori i përgjithshëm.

Për udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë konkurruar regjisorët Sokol Plakolli dhe Ekrem Sopi. Pos tyre në garë është edhe dramaturgia Albana Muja. Pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina. Konkursi për këtë pozitë, si dhe për drejtor të përgjithshëm të TKK-së, ishte hapur në dhjetor të vitit të kaluar.