Kulturë

MKRS-ja ndan çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit sot ka ndarë çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kjo ceremoni e cila u mbajt në parkun arkeologjik “Ulpiana”, aty ku ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumosh i ndau këto çmime, u shpreh se këto çmime i kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore.

“Më vjen mirë që pjesa më e madhe e çmimeve sot i kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore, e cila Kosovës i duhet për ta pasuruar sa më shumë, duke i treguar identitetin tonë kombëtar dhe shpirtëror, u shpreh Dumoshi.

Çmimin për veprimtari jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae” post-mortem, është ndarë për rapsodët Salih dhe Feriz Krasniqi, ku çmimin e pranoi djali i Salihut, Naim Krasniqi.

“Jemi krenarë dhe jemi të lumtur që ministria më në fund mos të them po bënë diçka për veteranët e folklorit shqiptar Salih dhe Feriz Krasniqi, njëkohësisht mund t’i quajë ambasadorë të folklorit të shekullit të kaluar”, tha ai.

Çmimi vjetor për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi” i është dhënë ekipit të projektit “Kujtesa e Kosovës, rrëfimi i 100 pleqve e plakave në Kosovë”.

“Falënderoj shumë të gjithë ata të moshuar, pleq e plaka siç i kemi quajtur që e kanë hapur derën e shtëpisë së tyre dhe na kanë lejuar që një copë të madhe të historisë së Kosovës që ka qenë krejt prapa mureve të shtëpisë, prapa dyerve të shtëpisë dhe jo e treguar në sferën publike, tash ruhet si monument i trashëgimisë kulturore”, është shprehur profesori Arsim Canolli, teksa pranoi çmimin në emër të ekipit realizues.

Çmimin vjetor për veprën shkencore “Zef Mirdita” u është ndarë Kujtim Rrahmanit dhe Arbër Sadikut, kurse çmimi vjetor për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” është ndarë për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku.