Kulturë

Del në ankand piktura e paekspozuar shumë e Van Goghut

Një pikturë e rrallë e Van Goghut, që vjen nga një koleksion privat francez do të dalë në ankand në fund të marsit në Paris, nga Sotheby’s.

Shtëpia e ankandit njofton se në pikturë është një kanavacë e periudhës parisiene me pamje rruge në Montmartre, pikturuar në vitin 1887.

Është një vaj në kanavacë me përmasa 46 cm me 61 cm dhe vlerësimi i ankandit është se piktura duhet të shitet mes 5 dhe 8 milionë euro.

Kjo është një temë mjaft e rrallë për Van Goghun. Piktura përmendet në katalogë, por asnjëherë nuk është ekspozuar për publikun që nga viti 1920, kur u ble nga një familje franceze, e cila tani po e shet atë. Para se të dalë në ankand në Paris, vepra do të ekspozohet në Amsterdam dhe Hong Kong.