Kulturë

Malcolm për “Velika seoba” – “Tërësisht mit”

Descriptive Text

Akademiku dhe historiani britanik Noel Malcolm ka folur të dielën për librin e tij të sapobotuar që, me dymbëdhjetë studime, trajton historinë shqiptare prej shekullit të pesëmbëdhjetë e deri në ditët tona. Në një ligjëratë online të organizuar nga Instituti Shqiptar i New Yorkut, pjesë e të cilit ishte edhe ish-gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, ai ka bashkëbiseduar me publikun shqiptar për aspekte të veçanta të historisë. “Për shqiptarët ka pasur gjithnjë pak informacione”, ka thënë, mes të tjerash, Malcolm

Për dikë që jetonte e studionte në botën universitare të Cambridgeit, njohja e gjuhëve të Evropës Juglindore ishte një luks që mund t’i lejohej vetes. Në qytetin universitar anglez mjaftonte shkëndija e parë e interesimit që të zgjidhje një kurs për greqishten e re, turqishten, rumanishten apo serbokroatishten. Si i ri, Noel Robert Malcolm do të namatisej nga ngjitja e maleve në Ballkan. Por një mendje të etur për dije nuk mund t’i bishtnohej dot pyetja: pse bota shqiptare përbente një zbrazëtirë në njohjen perëndimore për Ballkanin?

Me një evokim të këtillë nga vitet ’80 e ‘90, historiani e studiuesi anglez Noel R. Malcolm të dielën ka bashkëndarë për publikun shqiptar fillimet e interesimeve të tij për shqiptarët.

Në dritën e botimit të librit më të ri “Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians”, si dhe përkthimit të tij në gjuhën shqipe në fund të janarit, autori ka bashkëbiseduar me publikun në ligjëratën mbi një orë e gjysmë të organizuar online nga Instituti Shqiptar i New Yorkut.

Para ligjëratës, panelit i janë bashkuar edhe emra të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan, si ish-profesori i historisë në “Western Illinois Museum”, Nicholas Pano, ndërmarrësi Richard Lukaj, studiuesi dhe gazetari Elez Biberaj, e të tjerë.

Clark: “Duhet t’i rikthehemi historisë”

Image

Me një fjalë përshëndetëse, pjesëmarrësve në ligjëratë u është drejtuar ish-gjenerali i NATO-s, Wesley K. Clark, i cili ka bërë një krahasim mes gjendjes së sotme dhe ngjarjeve që paraprinë ndërhyrjen e aleatëve për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë.

Gjenerali 76-vjeçar, tashmë në pension, fillimisht ka shprehur krenarinë për presidentin e ri amerikan, Joe Biden, për të cilin ka thënë se ka vizionin dhe kurajën për t’iu qasur gjendjes së vështirë.

“Sot është gjithçka ndryshe nga viti 1999”, ka thënë Clark, duke theksuar se tani SHBA-ja përballet në një botë me rivalë të shumtë.

Në adresimin e tij, ai ka rikujtuar vizitat e tij që i kishte bërë në Moskë në fundvitet ‘90, në një kohë kur ende shpresohej në një Rusi demokratike.

“Homologët rusë shpesh thërrisnin me tërbim se ne po përziheshim në pjesën e tyre në Evropë”.

Sipas Clarkut, Ballkani është kufi midis tri qytetërimeve, ndaj edhe “duhet të kthehemi prapa në histori për të kuptuar forcat në rajon”.

Kur mbizotëronte propaganda e Beogradit

Pjesa në vazhdim e ligjëratës i është rezervuar historianit dhe akademikut britanik, Noel R. Malcolm, që ka rrëfyer për kohën kur si gazetar e komentator mbulonte ngjarjet në Jugosllavinë që po shpërbëhej.

“Ishte një kohë kur gjithçka mbizotërohej nga propaganda e Beogradit”, ka treguar ai për zërat që asokohe thoshin se Tito e kishte krijuar Bosnjën nga asgjëja, apo të tillë që flisnin për boshnjakët si serbë. Në këtë dritë kishte lindur edhe libri i tij “Bosnia: A Short History” (New York University Press) e që ishte përkthyer më pas në dhjetëra gjuhë.

Në vazhdim, Malcolm ka folur për librin e tij më të ri që përmbledh brenda vetes dymbëdhjetë studime që rrokin një kronologji të historisë shqiptare prej shekullit të pesëmbëdhjetë e deri më sot.

Sipas tij, shumica e librit mbështetet në materiale të reja, veçmas subjektet për dëshmitë e shqiptarëve që kishin rënë në duart e inkuizicionit në Venedik, Maltë, Napoli, Palermo, e në vente të tjera, apo edhe për Ali Pashë Tepelenën.

“Zërat e shqiptarëve të rëndomtë”

Malcolm ka folur edhe për studimin e tij për të ashtuquajturën “Velika seoba” (Dyndja e madhe) që zë vend qendror në historiografinë dhe publicistikën serbe.

“Është tërësisht mitike ‘Velika seoba’ që kërkon të shpjegojë praninë shqiptare në Kosovë si kolonizim nga popullsi që erdhën nga Malësia”, ka thënë akademiku britanik teksa ka folur për interesimin e tij për historinë ideologjike të këtij miti.

Në vazhdim, ai është ndalur edhe në studimin e tij për dëshmitë e shqiptarëve që kishin përjetuar torturat e inkuizionit.

“Ka materiale nëpërmjet të cilave mund të dëgjojmë tamam zërin e shqiptarëve të rëndomtë. Rrëfimet e tyre në vetën e parë, sidomos të grave, ishin tejet të vlefshme për mua për të ndërtuar një pikturë mbi konvertimin e shqiptarëve në myslimanë”, ka thënë Malcolm.

Interpretimet bardhezi të historisë

Studiuesi i njohur, tashmë autor i tre librave që trajtojnë historinë shqiptare, ka adresuar edhe probleme aktuale rreth qasjes ndaj të kaluarës, veçmas nga prizmi i komunizmit dhe nacionalizmit. Sipas tij, në kohën e Enver Hoxhës ishte shpërfillur tërësisht “kontributi i klerit katolik në veri, që luajti një rol aq të madh në letërsinë shqipe”.

“Problemi kryesor me qasjet e tilla është krijimi i një interpretimi bardhezi të historisë me të mirë e të këqij”, ka shtuar Malcolm.

Ndryshe në këtë përmbledhje, e cila në shqip është përkthyer nga Ana Haxhi dhe Enes Lekiqi, janë përfshirë studimet: “Vështrim mbi Shqipërinë e shekullit XV”, “Kelmendi: Shënime mbi historinë e hershme të një fisi katolik shqiptar”, “Një tregim i panjohur për Shqipërinë otomane”, “Traktati i Antonio Brunit mbi Beylerbeylik-un e Rumelisë (1596)”, “Shtojcë: Huazimet e Soranzo-s nga Traktati i Brunit”, “Kriptokrishterimi dhe amfibianizmi fetar në Ballkanin otoman”, “Shqiptarët e periudhës së hershme moderne në duart e inkuizicionit”, “Cuneus Prophetarum e Pjetër Bogdanit (1685)”, “Emigrimi në masë i serbëve nga Kosova (1690)”, “Ali Pasha dhe Britania e Madhe gjatë luftërave napoleonike”, “Diplomacia britanike dhe Lidhja e Prizrenit, 1878-1880”, “Autobiografia e parë shqiptare Ernesto Cozzi (1870-1926): Figurë e shpërfillur në studimet shqiptare dhe në historinë e Shqipërisë” dhe “Mitet e identitetit kombëtar shqiptar”.

E interesimi i akademikut e studiuesit të njohur për historinë shqiptare është thelluar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit. Pesë vjet më parë, Malcolm botoi librin “Agents of empire: knights, corsairs, Jesuits and spies in the sixteenth-century Mediterranean world”, që fillonte si kronikë e dy familjeve të shquara shqiptare, Bruni dhe Bruti, për t’u mpleksur me histori më të mëdha në kontekstin e përplasjeve mes Perëndimit dhe Perandorisë Osmane. Sipas recensentëve të ndryshëm, ky libër ishte konsideruar si një nga më të rëndësishmit në studimet për Mesdheun, pas atij të historianit francez Fernand Braudel.

I lindur në Surrey të Anglisë, më 1956, Noel Malcolm është historian, akademik dhe gazetar i njohur në Mbretërinë e Bashkuar. Pas shkëputjes nga bota e gazetarisë më 1995, ai u bë pjesë e Royal Society of Literature dhe më pas edhe i Akademisë britanike. Që prej 2002-s, Malcolm është angazhuar si kërkues senior për All Souls College në Oxford. Nga librat e tij të njohur janë: “George Enescu: His Life and Music (Toccata Press, 1990), “Aspects of Hobbes” (Oxford University Press, 2002), “Bosnia: A Short History” (Neë York University Press, 1994), “Useful Enemies: Islam and The Ottoman Empire in Ëestern Political Thought, 1450-1750” (2019) etj.

I vlerësuar nga kritika është veçmas “Kosova, një histori e shkurtër”, (Botimet KOHA, 2001), që në fakt është një nga librat e parë në botën anglishtfolëse që dokumenton historinë mijëravjeçare të Kosovës, duke shkërmoqur shumë nga mitet rreth saj, sidomos ato nga historiografia serbe.