Kulturë

Kanguri mbi 17.300-vjeçar bëhet vepra më e vjetër artistike në Australi

Shkencëtarët kanë konfirmuar se një pikturë kanguri në një strehë shkëmbi ranor në rajonin e largët Kimberley në Australinë Perëndimore është 17 mijë e 300 vjet e moçme, duke e bërë atë më të vjetrin shkëmb artistik që njihet në Australi.

Imazhi i vegullt, që është rreth dy metra i gjatë, është datuar përmes përdorimit të teknikës së radiokarbonit me të cilën janë analizuar strofujt e grerëzave që ndodheshin poshtë dhe në krye të një pikture okër.

Augustine Unghango, një burrë nga Balanggarra dhe pronar tradicional në këto anë, është ngjitur në shkrepat mbi lumin Drysdale dhe ka vizituar sa e sa herë pikturën.

“Vërtet më ka bërë zemrën mal kur e gjeta se sa e vjetër ishte. Është me rëndësi që po e bëjmë këtë”, ka thënë ai.

Hulumtimi, që u botua të martën në zhurnalin “Nature Human Behaviour”, tregon se si kanguri okër u përfundua kur toka po dilte nga epoka e akullit dhe kur oqeani ishte më tepër se 100 metra më poshtë sesa që është sot.

Vendi i pikturës është rreth 70 kilometra nga bregdeti, por në kohën kur u bë piktura vija bregdetare në veriperëndim ishte më shumë se 200 kilometra më larg.

Bashkautori i studimit Dr. Sven Ouzman nga Universitety of Western Australia ka thënë se dhjetëra piktura shkëmbore australiane ishin të vjetra nga 10 mijë deri në 15 mijë vjet, por gjetja afër lumit Drysdale është më e vjetra që ndodhet ende në vendin e saj origjinal.

“Në kohën kur jemi kah fundi i epokës së akullit në Kimberley duket të ketë qenë vërtet thatësi dhe gjërat ishin të vështira. Por megjithatë njerëzit pikturonin”, ka thënë ai.

Dëshmi për art të moçëm janë gjetur në Australi, por ato ishin copëza guri apo pjesëza pigmentesh.

Ouzman ka thënë se personi ose personat që pikturuan kangurin “duhet të lidhen me rrjetin e tregtisë” në atë kohë me qëllim që të merrnin materialet.

Kërkimi i publikuar në fillim të këtij viti ka gjetur se piktura më e vjetër shpellore në botë ishte një paraqitje 45-mijëvjeçare e një derri në ishullin e Sulawesit në Indonezi.

Piktura e Sulawesit ishte e ngjashme në stil me atë të kangurit dhe Ouzman thotë se mund të ketë lidhje kulturore mes tyre.

Unghango ka thënë se kangurët ishin të rëndësishëm kulturalisht dhe të rinjtë i ndiqnin ata deri në shkretëtirë si pjesë e inicimit.

Hulumtimi është udhëhequr nga Dr. Damien Finch, një gjeokronolog në Universitetin e Melbourneit që ka zhvilluar teknikën e përdorimit të strofujve të grerëzave për të datuar artin shkëmbor.

Për kërkimin Finch dhe kolegët e tij kanë kërkuar në 16 piktura në tetë streha shkëmbinjsh në po të njëjtën hapësirë, si dhe kanë analizuar baltën e 27 strofujve të grerëzave. Finch ka vizituar vendin e pikturës së kangurit që prej 2015-s.

“Ju shkoni poshtë një rrëpire dhe është atje mu në krye – është paksa ngushtë”, ka thënë ai.

“Nuk mund ta shihni të tërën menjëherë. Ajo e zbulon veten ngadalë për shkak se ka kaq shumë strofuj. Të duhet pak kohë që të mësosh syrin e të kapësh pigmentin”.

Strofujt e fosilizuar janë kryesisht ranorë, por ata përmbajnë edhe copëza thëngjilli për të cilat Finch ka thënë se me shumë gjasë vijnë nga djegia e barit me driza.

Duke e datuar thëngjillin e strofujve – disa poshtë pikturës e disa sipër saj – kërkuesit ishin në gjendje të vendosnin dy data mes të cilave piktura duhet të jetë përfunduar.

Finch ka thënë se qëllimi nuk ishte për të gjetur pikturën më të moçme, por për të mbledhur të dhëna për një periudhë të artit shkëmbor të njohur si natyralist e që mbizotërohet nga pikturat e kafshëve dhe herë-herë bimëve.

Cas Bennetto, nga organizata jofitimprurëse “Rock Art Australia” që ndihmoi në financimin e hulumtimit, ka thënë se zbulimi ishte një “rrëfim drithërues”, por “do të ketë edhe më shumë”.

Ajo mendon se kërkimet e mëtejshme mund ta shtyjnë epokën e artit shkëmbor të Kimberleyt përtej 30 mijë vjetëve.

“Qëllimi ynë është të kuptojmë historinë e banimit njerëzor në Australi dhe ne e bëjmë këtë përmes artit shkëmbor dhe konteksteve të tij të ndryshme”, ka thënë Bennetto.

Kërkimet e mëtejshme synojnë të ngulisin datat për stilin natyralist të artit shkëmbor, që ishte më i hershëm sesa stili i njohur si Gwion, gjatë të cilit figurat njerëzore u bënë popullore. \ The Guardian