Kulturë

Ilire Vinca: Teatri na bëri të ëndërrojmë edhe në kohë lufte

Aktorja Ilire Vinca, ka biseduar për praktikat e ligjërimit në kuadër të diskutimeve që po mbahen me të nominuarat e “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award”. Vinca, nuk është vetmja nga Kosova e nominuar në këtë garë. Në mesin e 27 grave të 18 vendeve të botës si të nominuara për çmimin prestigjioz që njeh kontributin e grave në botën e teatrit, është edhe regjisorja Burbuqe Berisha dhe regjisorja Zana Hoxha. Diskutimet e tjera do të mbahen gjatë ditëve në vazhdim

Në vitin 1997, aktorja Ilire Vinca nisi të ligjëronte. Që atëherë praktikat e saj u bënë shembuj për studentët që ndoqën rrugën e saj. Tani metodat e saj të punës po shihen si një format i duhur për të mësuar edhe njerëzit e tjerë. Ilire Vinca, aktore e profesoreshë e aktrimit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka treguar për metodat e saj të punës gjatë panelit të së shtunës në kuadër të diskutimeve me të nominuarat e “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award”.

Aktorja Ilire Vinca nuk është vetmja nga Kosova e nominuar në këtë garë. Në mesin e 27 grave të 18 vendeve të botës si të nominuara për çmimin prestigjioz që njeh kontributin e grave në botën e teatrit, është edhe regjisorja Burbuqe Berisha dhe regjisorja Zana Hoxha. Të tria janë pjesë e listës së të nominuarave për “2020 Gilder/Coigney International Theatre Aëard” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit).

Komiteti Ndërkombëtar i Ligës, që udhëhiqet nga bashkëpresidentet Shellen Lubin dhe Catherine Porter, ka vendosur që çmimi i sivjetshëm t’i jepet artistes libaneze, Hanane Hajj Ali. Sipas arsyetimit të Komitetit, ajo ka luftuar kundër stereotipave në botën arabe.

“Gjatë karrierës 40-vjeçare ka shkruar, performuar dhe ka qenë regjisore e produksioneve në gjuhën arabe duke mbështetur qindra kolegë, studentë dhe komunitete të ndryshme në Liban”, shkruhet në arsyetimin e Komitetit. Por, vetë nominimi për këtë çmim ka një domethënie të lartë.

Të nominuarat do të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit në tetor në New York. Sidoqoftë, në kuadër të garës janë duke u mbajtur diskutime të ndryshme ku po përfshihen të nominuarat.

Të shtunë, pesë specialiste të edukimit në arte kanë diskutuar mënyrat se si artistët e teatrit po zbatojnë zanatin e tyre në mjediset arsimore - formale dhe joformale dhe në të gjitha nivelet e moshës. Në bisedë janë përfshirë gratë me përvojë si ligjëruese në shkollat publike dhe universitetet, si dhe në krijimin e programeve edukuese për komunitete. Përveç aktores Ilire Vinca, në këtë diskutim ishte edhe Iman Aoun nga Palestina, Grace Gachocha Nakaka nga Tanzania dhe Stephanie Berry e Coco Killingsworth nga SHBA-ja.

Ilire Vinca ka thënë se ndërprerja e mësimeve gjatë luftës dhe lufta në përgjithësi ka ndikuar në qasjen e saj sesi të punojë gjatë proceseve artistike, por edhe me studentët e saj. Ka treguar se si teatri u kishte mundësuar që të gjenin liri në hapësira të vogla dhe të ëndërronin. Ka shtuar se gjithmonë është në kërkim të mënyrave kreative për të mbajtur të motivuar studentët e saj.

“Nuk jam magjistare. Nuk kam një formulë, nëse do ta gjeja një ditë do ta ndaja me gjithë botën. Por është e gjitha për perspektivën e asaj se si jeton dhe cilat janë ëndrrat e tua. Nëse ke një ëndërr dhe lufton për të çdo ditë, qoftë edhe me hapa të vegjël atëherë kjo është qasja më e mirë”, ka thënë ajo. Sipas saj, çdo hap i vogël shpie drejt realizimit të një pune më të madhe. Ka shtuar se është më rëndësi që të vrojtohet me kujdes puna dhe prandaj diskuton shumë me studentët dhe i bën që të vrojtojnë dhe të reflektojnë mbi punën që bëhet. Çdokush, sipas saj, ka një perspektivë të veten dhe kjo ndihmon në krijimin e një imazhi më të plotë.

“Mund të jesh i lirë dhe të udhëtosh gjithë botën, por nëse je i mbyllur në mendjen tënde përsëri nuk do të kesh mundësi që ta shprehësh veten dhe të ndash çfarë ke brenda. Është e çuditshme si kur je i mbyllur, gjen vende të vogla magjike ku mund të ndjesh gjëra dhe ku mund të japësh gjithçka nga vetja. Kështu ishte edhe për mua kur fillova”, ka thënë ajo. Ka shtuar se studentët e saj akoma nuk janë të lirë, pasi që u duhen viza qe të udhëtojnë dhe ajo e sheh edukimin si një derë drejt lirisë.

“Ajo që unë mundohem të bëj është që t’i edukoj mirë ,që ata të mund të përdorin zërin e tyre dhe të ndihen të lirë sikur edhe pjesa tjetër e botës”, ka thënë ajo. Ka shtuar se e gëzon shumë fakti kur studentët e saj kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre dhe tashmë disa prej tyre janë edhe kolegë me të.

Gjatë ditëve në vazhdim do të mbahen edhe diskutime të tjera. Në mesin e panelistëve do të jetë edhe regjisorja kosovare Burbuqe Berisha, e cila do të flasë më shumë për ndryshimet që po ndodhin brenda teatrit. “Si mund të gjejnë paqe praktikat teatrore në këtë mjedis ndryshues që po kthehet në një normë të re?”, është pyetja që do të mundohet ta zbërthejë Berisha bashkë me të nominuarat e tjera: Lupe Gehrenbeck nga Venezuela, Faynia Williams nga Anglia, dhe Avra Sidiropoulou nga Greqia. E në ditët në vazhdim, do të bëhen të ditura edhe oraret dhe panelet e tjera.