Një qytet në Kosovë i zhytur në depresion krijon një ndjesi edhe më kufizuese kur një vajzë adoleshente fillon të ndiejë lirinë dhe të thyejë rendin patriarkal
Fazat e rritjes, vajzat adoleshente në qytete të vogla, prindër të rreptë e të pakuptueshëm: Ne e dimë ndjesinë, megjithatë pak filma që shtjellohen rreth kësaj temë e përçojnë emocionin dhe paqartësinë si “Në kërkim të Venerës”. Regjisorja e filmit, Norika Sefa, shfaq talent të jashtëzakonshëm duke sjellë detaje dhe duke shfaqur gjendjen e brendshme të personazheve, si dhe atmosferën e përgjithshme të një qyteti në Kosovë, duke u siguruar që historia të bazohet në një vend të veçantë, ndërsa e bën protagonisten e saj shumë simpatike, një grua të re të identifikueshme.
Xhiruar në mënyrë mbresëlënëse nga kinematografi Luis Armando Arteaga – suksesi i të cilit është në rritje – dhe ankoruar me performanca të pasura e shumështresore, filmi e meritoi Çmimin special të jurisë në Rotterdam dhe duhet të marrë vëmendje të konsiderueshme edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Qyteti ku jeton Venera (Kosovare Krasniqi) nuk ka asgjë të veçantë për të parë. Është i vendosur mes kodrave të zhveshura nga dimrat e ashpër, ndërtimeve të shëmtuara nën standarde dhe luftës së fundit ku u pushkatuan burrat. Pa parqe, internet ose aktivitete pas shkollës, nuk ka shumë për të bërë dhe zakonet e lidhura me traditat vazhdojnë të ushtrojnë atë forcën që vërehet te të rriturit. Ndryshe nga shumë miq të saj, Venera e ka akoma babanë e saj, Luanin (Basri Lushtaku), por ai është shumë i mendueshëm dhe i padashur, i paaftë për t’i dhënë mbështetje emocionale kujtdo në familje. Nëna e saj Nora (Erjona Kakeli) qëndron në shtëpi, duke u kujdesur për dy fëmijët e saj më të vegjël dhe vjehrrën (Fatushe Nushi).
Entuziazmi për jetë i Norës ka humbur vite më parë, dhe ajo është e bllokuar sa i përket të menduarit të mënyrave se si të ndihmojë vajzën e saj që të dalë nga rrethi patriarkal. Mësimet në anglisht të Venerës shihen si një lloj mënyre për të ecur drejt përparimit, por është një arritje boshe, pasi nuk ka diçka që ajo mund të bëjë me ato njohuri. Ani pse klasat jashtë-shkollore shihen si një rrugë drejt përmirësimit, kultura e qytetit e bllokon në çdo drejtim në të cilin mund ta shpien këto rrugë.
Për habinë e saj, Venera strehohet të bashkëmoshatarja e saj Dorina (Rozafa Çelaj), rioshe me shpirt të lirë tashmë e futur në alkool e seks. Dorina është një eksperte për t’u thënë të rriturve atë që duan të dëgjojnë gjersa bën pikërisht atë që ajo dëshiron dhe fuqia e çuditshme që ajo ka për të thyer rregullat, e pushton Venerën e turpshme e të papërvojë. Shumë shpejt ato shkojnë në barin e vetëm në qytet dhe Dorina inkurajon një lidhje në mes të Venerës dhe banakierit Gentit (Tristan Halilaj). Një koncert do të mbahet dhe pjesëmarrja në të do të ishte pikërisht një kalim faze që Venera e kërkon, por babai i saj e qorton sjelljen e saj dhe vetëm duke u shoqëruar nga një shok i klasës, Noli (Bleon Monolli), ajo mund të dalë nga shtëpia dhe ta realizojë takimin e saj.
Norika Sefa e bën më pikant filmin e saj me momente të spikatura që zbulojnë shumë më tepër për jetën e brendshme sesa mund të kishte bërë çdo dialog. Shembull i paharrueshëm mund të jetë ai kur Dorina rrëmbehet papritur nga kamera nga i dashuri i saj, Lumi (Shend Miftari), dhe ne vetëm i dëgjojmë zërat e saj të kënaqësisë, ndërsa Venera shikon turpshëm në anën tjetër. Ose kur Venera kthehet në shtëpi nga koncerti, para se babai i saj të kthehet dhe ajo e bën nënën e saj të kërcejë me të me këngën që dëgjohet në radio. Nora i lëshon flokët dhe kërcen nëpër dhomë duke i shkundur ato lirshëm, duke ndier gëzimin e çlirimit dhe duke ndarë energjinë rinore të vajzës së saj: është një skenë e shkëlqyer, tronditëse, një copëz e shkëndijës që dikur ka qenë e pranishme në jetën e Norës, që prej shumë kohësh i është privuar oksigjeni.
Para kësaj, mezi kemi parë ndonjë copëz të karakterit të Norës, e zhytur në punë dhe me shenjat e zeza poshtë syve, por Kakeli është krejt jetë në atë çast dhe gjithçka zbulohet. Krasniqi është në qendër pothuajse në çdo moment kështu që ka më shumë për të punuar dhe mënyra se si ajo e luan rolin duke u shndërruar në mënyrë shumë të bukur nga një vajzë e ndrojtur në një grua të re mospërfillëse, ka një fuqi të kënaqshme. I gjithë ekipi sjell një thellësi mirëkuptimi pa vetëdije që kontribuon në një pamje të një komuniteti të bllokuar në një modalitet të vjetruar, të vetëdijshëm për ndryshimin që vjen nga jashtë, por tepër izolues dhe i traumatizuar për të përqafuar mënyra të tjera të jetës.
Ngjashëm me një numër filmash rumunë, vaktet e ngrënies dhe skenat e ngrënies në përgjithësi theksojnë dramën dhe lejojnë një vizualizim të dinamikës personale në lojë. Veçanërisht, e dukshme është mënyra se si Sefa bllokon skenat e saj, duke përdorur njerëzit pothuajse si shtylla ose pemë që lartësohen mbi Venera dhe e nxjerrin jashtë. Kinematografi Luis Armando Arteaga (“The Heiresses” e Marcelo Martinessi) kompozon me mjeshtëri këto imazhe klaustrofobike, duke i vënë në kontrast me lëvizje më të lirshme, që shprehin lirinë që Dorina dhe Venera duan ta zotërojnë.
Marrë nga “Variety”. Përktheu Alberina Haxhijaj