Kulturë

Dhjetë rrëfime artistësh në kërkim të ngjyrave në kohë pandemie

Libri me ilustrime, i titulluar “C19 A20”, është i shtrirë në dhjetë rrëfime në vetën e parë. Artistët e përfshirë, që janë bërë pjesë e librit me vizatimet e rrëfimet e tyre, u përkasin brezave dhe prejardhjeve të ndryshme kulturore. Nga “Iniciativa për Histori Gojore” kanë thënë se ky libër ka ardhur si përpjekje për të krijuar një kuptim më të ngjyruar dhe më empatik për mënyrën se si koronavirusi ka ndikuar në jetën e qytetarëve të Kosovës

Prishtinë, 19 shkurt – “Si filloi mbyllja për ju?”, është pyetja që ka shtuar “Iniciativa për Histori Gojori” e që ka nxjerrë përvoja të ndryshme lidhur me krizën globale të shkaktuar nga pandemia. I janë dashur disa muaj komunikim i vazhdueshëm me një grup të artistësh për t’i përmbledhur në libër shumë nga përgjigjet që lidhen me këtë pyetje.

Libri me ilustrime, i titulluar “C19 A20”, është i shtrirë në dhjetë rrëfime në vetën e parë. Artistët e përfshirë, që janë bërë pjesë e librit me vizatimet e rrëfimet e tyre, u përkasin brezave dhe prejardhjeve të ndryshme kulturore. Nga “Iniciativa për Histori Gojore” kanë thënë se ky libër ka ardhur si përpjekje për të krijuar një kuptim më të ngjyruar dhe më empatik për mënyrën se si koronavirusi ka ndikuar në jetën e qytetarëve të Kosovës që nga koha kur u shfaqën rastet e para me koronavirus, më 13 mars të vitit të kaluar. Duke u nisur nga përvojat personale të artistëve, ai kapërcen nëpër realitetin e shoqërisë. Rrëfimet e artistëve rrugëtojnë nëpër histori reale rreth asaj sesi ndryshuan jetët e njerëzve, sesi luftuan, u përballën, u bashkuan dhe u përshtatën në këtë kohë të jashtëzakonshme, ndërsa përmes librit për ilustrim kjo i bën edhe lexuesit e tij pjesë të këtyre historive, duke e ngjyrosur atë varësisht nga pikëpamja e tyre.

Image
“C19 A20” është në dispozicion të lexuesve për ta lexuar dhe ngjyrosur atë, në mënyrë që ata t’i vendosin cilësitë estetike të vizatimeve përmes zgjedhjes së tyre të ngjyrës

“Deshëm të hyjnë në një proces bashkëpunues me artistë, ku ata do të mund të na tregonin se si po e përjetojnë këtë moment, sepse për ta ka qenë edhe më e vështirë sepse puna e tyre konisiston në të qenët në publik dhe për ta kjo më nuk ishte e mundur dhe kështu është dashur edhe ata ta rimendojnë dhe të dalë në këtë dimensionin online, që në shumicën e rasteve nuk ishte platformë e përshtatshme për ta ekspozuar punën e tyre”, ka thënë Erëmirë Krasniqi, drejtoreshë e “Iniciativës për Histori Gojore”, redaktore e librit C19 A20”.

Meqë artistët i janë përgjigjur në mënyrë kreative pandemisë, sipas saj, titulli “C19 A20” i ngjan një kodi të fshehtë, një të dhëne që duhet deshifruar dhe pajtuar me të.

Libri është zhvilluar brenda mureve të shtëpisë, ndërsa intervistat me artistët janë realizuar gjatë valës së parë dhe të dytë të COVID-19, gjegjësisht mes muajve qershor dhe shtator. Nëntë nga dhjetë intervistat janë zhvilluar në kohë të ndryshme pas mbylljes që mbaroi më 1 qershor, ndërsa vetëm një intervistë është realizuar gjatë mbylljes në mes të muajit maj.

Erëmirë Krasniqi ka thënë se cilësia kohore e secilës dëshmi gojore në lidhje me përvojat e mbylljes ndryshon dhe si të tilla dëshmojnë për nivele të ndryshme të vetëdijes dhe qëndrimeve rreth koronavirusit. Artistët e përfshirë në këtë libër janë: Artan Hajrullahu, Dejan Kitiq, Doruntina Kastrati, Driton Selmani, Fitore Berisha, Jakup Ferri, Meriton Maloku, Mirjeta Qehaja, Renea Begolli and Zake Prelvukaj.

“Varësisht prej stadit në të cilin janë, aq edhe i ka afektuar. Në anën tjetër, është edhe ai dimensioni personal që dallon secilën storie prej tjetrës. Nëse kanë qenë profesorë ose studentë, ata kanë mundur shumë më për afër të tregojnë çka ka nënkuptuar me dhënë mësim dhe se si janë bërë prindër të dytë të nxënësve të tyre dhe se si prindërit janë bërë mësues të fëmijëve të tyre”, ka shpjeguar tutje Krasniqi.

Ky libër është një lloj ure lidhëse midis publikut e artistëve. “C19 A20” është në dispozicion të lexuesve për ta lexuar dhe ngjyrosur atë, në mënyrë që ata t’i vendosin cilësitë estetike të vizatimeve përmes zgjedhjes së tyre të ngjyrës.

“Ne fillimisht kemi dashur ta bëjmë vetëm libër për ngjyrosje, sepse është shumë terapeutik, sidomos në kushte të izolimit, pasi e gjen njëfarë qetësie. Mandej e pamë që tregimet e tyre janë po aq qenësore dhe vendosëm që libri t’i ketë të dy karakteret”, ka shpjeguar Krasniqi.

Nevoja për të dokumentuar ankthin, hutinë dhe paparashikueshmërinë e momentit mbetet domosdoshmëri për “Iniciativën e Historisë Gojore”, ndërsa kanë vlerësuar se regjistrimet e së tashmes bëhen kujtimet e një të ardhmeje të paparashikueshme. Sipas Krasniqit, hapësira e ndërmjetme mes hapësirës publike dhe private shpërfaqet më shumë nga kujtimet e artistëve.

“Ata janë mirë të ushtruar në të ndenjurit me vetveten. Mbyllja për disa ishte kohë për të reflektuar. Kështu, nëpërmjet punimeve të tyre, në këtë libër ilustrues ata kanë shprehur brengat me të cilat janë kufizuar ato ditë, duke u dhënë mundësinë përmes ngjyrosjes që secili t’i japë një ngjyrim tjetër këtij realiteti”, shkruhet në librin “C19 A20”.

Versioni digjital i këtij libri është në dispozicion në uebfaqen e “Iniciativës për Histori Gojore” dhe kushdo mund ta marrë atë falas në kafe-librarinë “Dit’ e Nat’”.