Kulturë

“Columns” me libra si monument për qëndrueshmëri dhe një portret kolektiv

“Columns” me libra si monument për qëndrueshmëri dhe një portret kolektiv
“Librat e dhuruar nga njerëzit në mënyrë anonime tregojnë diçka për dhuruesin. Njerëzit që zgjodhën të dhurojnë një libër, njerëz që shfrytëzojnë rastin për të larguar diçka ose njerëz që janë të ndjeshëm ndaj kauzës së bibliotekës së burgut, njerëz që janë krenarë që diçka që u takonte atyre të bëhet pjesë e një vepre arti...”, është një pjesë e konceptit të “Columns”
 

Janë plot 700 libra të dhuruar në mënyrë anonime. Bashkë krijojnë një kolonë që asocion në stabilitet. Instalacioni duket si monument ku bashkohen rrëfime dhuruesish, histori prapa tyre. “Columns” zbërthehet si një portret kolektiv i anonimëve. Ndërsa ende pret pjesëmarrjen e publikut, vepra konsiderohet si një instalacion në ndërtim e sipër

Prishtinë, 19 shkurt – Librat që muaj më parë ishin pjesë e bibliotekave personale, tashmë kanë zënë vend në një hapësirë të veçantë. Plot 700 libra që janë mbledhur prej shtatorit tashmë qëndrojnë të radhitur njëri pas tjetrit për të marrë formën e kolonave me gjatësi të ndryshme. Tituj të librave në gjuhën shqipe, angleze e italiane janë bërë pjesë e instalacionit të krijuar nga artisti Stefano Romano, që ka hapur ekspozitën “Columns” në galerinë “Paper” në Prishtinë. Një ekspozitë me koncept të njëjtë e kishte hapur në vitin 2003 në Galerinë e Artit Modern në Bergamo. Artisti italian, që jeton prej vitesh në Shqipëri, flet rrjedhshëm shqip. Madje, kjo dëshmohet edhe më në mënyrën e rrjedhshme që lexon disa nga librat në gjuhën shqipe, gjersa shpjegon konceptin e ekspozitës së hapur të premten në mëngjes, që është rezultat i bashkëveprimit të publikut për të ndërtuar një vepër arti. Ndërsa ende pret pjesëmarrjen e publikut, vepra konsiderohet si një instalacion në ndërtim e sipër.

“Librat e dhuruar nga njerëzit në mënyrë anonime tregojnë diçka për dhuruesin. Njerëzit që zgjodhën të dhurojnë një libër, njerëz që shfrytëzojnë rastin për të larguar diçka ose njerëz që janë të ndjeshëm ndaj kauzës së bibliotekës së burgut, njerëz që janë krenarë që diçka që u takonte atyre të bëhet pjesë e një vepre arti, miqtë që zgjodhën të ndihmonin projektin. Cilado qoftë arsyeja, një portret kolektiv i anonimëve konkretizohet në këtë projekt”, shkruhet në fjalën e kuratores së ekspozitës, Claudia Santeroni.