Kulturë

Nis hartimi i projekti ideor për Muzeun e Historisë së Natyrës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka formalizuar sot nisjen e projektit ideor për Muzeun e Historisë së Natyrës. Përmes një komunikate për medie, ajo bën të ditur se ka nënshkruar dokumentin për hartimin e projektit ideor dhe projektit zbatues për Muzeun e Historisë së Natyrës.

Nënshkrimi i aktit të marrëveshjes u nënshkrua nga Burim Reçica, në emër të MKRS-së, e nga ana tjetër, Valentin Juncaj, në emër të operatorit “Hidroing-DK”, i cili do të hartojë projektin për Muzeun e Historisë së Natyrës.

Vlera e projektit ideor do të kushtojë 23 mijë e 600 euro, ndërsa në total projekti për Muzeun e Historisë së Natyrës, i cili do të jetë investim i MKRS-së, do të jetë rreth tre milionë euro. Në bazë të projektit ideor, që do të hartohet brenda 60 ditëve, hapësira e përgjithshme e brendshme e muzeut parashihet të jetë përafërsisht rreth 4800 m2.

Muzeu do të ndërtohet te Pishat e Sllatinës, në Komunën e Fushë-Kosovës,si një vend i përshtatshëm për këso lloj muzeu, që është i pari në Kosovë.