Kulturë

Ringjallja e arkitekturës shqiptare në lagjen e Kajros

Pamje nga pjesa “evropiane” e Kajros që fitoi epitetin e Parisit të Lindjes

Ata nuk ishin vetëm diçka e rënë qiellore mes piramidave, shkretëtirës së paanë, mamlukëve e popullatës së shumtë në vendin që Herodoti dikur e quajti si “dhuratë e Nilit”. Shqiptarët fustanellëbardhë janë ata me të cilët fillon historia e re e Egjiptit si shtet dalzotës në “gjysmëhënën pjellore” në cepin më juglindor të Mesdheut.

 

Është një lagje e Kajros që kur u ndërtua përjetësoi shpirtin e kohës për t’u modernizuar sipas mënyrës perëndimore. E quajtur edhe si “Parisi i Lindjes”, bëhet fjalë për lagjen në kryeqytetin e Egjiptit në të cilën nipi i Mehmet Ali Pashës, Ismaili, krijoi një arkitekturë me stilet më të njohura evropiane. Por bashkë me Kajron është edhe Aleksandria, Beni Suef dhe qytete të tjera egjiptiane që kanë një histori të tërë shqiptare

Ata nuk ishin vetëm diçka e rënë qiellore mes piramidave, shkretëtirës së paanë, mamlukëve e popullatës së shumtë në vendin që Herodoti dikur e quajti si “dhuratë e Nilit”. Shqiptarët fustanellëbardhë janë ata me të cilët fillon historia e re e Egjiptit si shtet dalzotës në “gjysmëhënën pjellore” në cepin më juglindor të Mesdheut.

Historia shqiptare e Egjiptit duket më e madhe se historia e krejt mamlukëve dhe fallahëve. Kur shkrimtari grek, Nikos Kazanzaqis, vizitoi Egjiptin më 1927, një intelektual i ri egjiptian i kishte thënë: “Historia e Egjiptit të sotëm ndahet në dy periudha kritike: nga Mehmet Aliu deri në luftën evropiane dhe nga lufta evropiane deri më sot”.