Kulturë

Kadare – shkrimtari universal, kandidatura e përhershme e Shqipërisë për “Nobel”

Të enjten janë bërë 85 vjet nga dita kur në Gjirokastër lindi shkrimtari i shquar, Ismail Kadare

Kur uturimat e makinerisë së shtypshkronjës së Ndërmarrjes Shtetërore të Botimeve po shtypnin të parin libër të tij “Frymëzime djaloshare”, më 1954, askush nuk e përfytyronte se autori riosh i përmbledhjes 56-faqëshe do të bëhej vigu letrar që do ta ndryshonte përgjithnjë Shqipërinë. Për gjysmë shekulli Ismail Kadare u bë një nga klasikët modernë të letërsisë duke bërë vend tek më të mëdhenjtë e shekullit njëzet. Duke e shkoqitur në truallin e të rrokshmes, kritikë e juri letrare e kanë vlerësuar shkronjësin më të mirë shqiptar si njeriun që depërtoi si askush tjetër në terratinat psikologjike të totalitarizmave.

 

Shkrimtari i lindur më 1936 në Gjirokastër, Ismail Kadare, të enjten mbushi 85-vjet. Me një hyrje të papritur në botën e letrave, në një kohë kur askujt s’ia mbushte syrin, gjirokastriti me dhunti për pak vjet do t’i shpërthente kufijtë e hekurt të Shqipërisë. Me një marrëdhënie të trazuar me regjimin komunist, asnjëherë i kufizuar nga ideologjia, me armët e tij të pandashme prej shkrimtari, alegoritë dhe stilin zhbirues psikologjik, Kadare u bë një nga emrat më të shquar të letërsisë botërore. Me rastin e ditëlindjes së tij, Akademia e Shkencave ia ka ripropozuar Akademisë simotër në Stockholm kandidaturën e tij pranë jurisë së çmimit “Nobel”

Kur uturimat e makinerisë së shtypshkronjës së Ndërmarrjes Shtetërore të Botimeve po shtypnin të parin libër të tij “Frymëzime djaloshare”, më 1954, askush nuk e përfytyronte se autori riosh i përmbledhjes 56-faqëshe do të bëhej vigu letrar që do ta ndryshonte përgjithnjë Shqipërinë. Për gjysmë shekulli Ismail Kadare u bë një nga klasikët modernë të letërsisë duke bërë vend tek më të mëdhenjtë e shekullit njëzet. Duke e shkoqitur në truallin e të rrokshmes, kritikë e juri letrare e kanë vlerësuar shkronjësin më të mirë shqiptar si njeriun që depërtoi si askush tjetër në terratinat psikologjike të totalitarizmave.

Askush tjetër pas Kafkës nuk ka zhbiruar mekanizmin infernal të pushteteve totalitare dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor me një thellësi hipnotike sa Kadare (Neustadt International Prize, 2020). I pakompromis kur bëhet fjalë për ndershmërinë si shkrimtar, vepra e tij ndërthur të shkuarën dhe të tashmen, mitin dhe ironinë, individualen dhe kolektiven (Prozart, 2020). Zëri i tij është origjinal e universal, por me rrënjët thellë në tokën e vet (Shusha Guppy). I sprovuar me të gjitha dallgët e artit bashkëkohor, patriarku shqiptar i letrave në pothuajse çdo dhjetëvjeçar u ka dhënë lexuesve nga një roman që i befason dhe i shtang e në të njëjtën koha u ngjall ndjenja e mendime të thella (“Magazine littéraire”).