Kulturë

Institucionet kulturore pa drejtorë, konkurset dështojnë e pezullohen shkaku i “zgjedhjeve e pandemisë”

Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Kosovës do të vazhdojnë të mbesin pa drejtorë e me ushtrues detyre. Për të parin institucion, konkursi për drejtor të përgjithshëm e udhëheqës artistik është pezulluar. Arsyetimi: zgjedhjet parlamentare dhe situata me pandeminë. Për drejtor Galerie e për Balet konkurset janë anuluar edhe zyrtarisht. Për të dyja rastet s’ka tre kandidatë në garë që i plotësojnë kriteret

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Ministria e Kulturës kanë marrë një vendim të pazakontë: kanë pezulluar procesin e rekrutimit për dy pozitat udhëheqëse në institucionin teatror. Ky vendim ka ardhur vetëm një ditë pasi Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka kërkuar anulimin e konkursit për “drejtor artistik”, duke marrë për bazë faktin se MKRS-ja në konkurs ia ka huq emrit të kësaj pozite. Ministria e Kulturës ka publikuar edhe vendimet për anulimin e konkurseve për drejtorë të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Në mbrëmjen e së martës MKRS-ja ka dalë me një njoftim konfuz sa u përket konkurseve për pozitat në Teatrit Kombëtar të Kosovës. Titullohet “Njoftim për anulimin e procedurave të rekrutimit”, kurse në përmbajtje ka pezullimin.

Aty shkruhet se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në pajtim të plotë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, njofton opinionin publik se ka vendosur pezullimin e procedurave të rekrutimit për pozitat drejtor i përgjithshëm i TKK-së dhe udhëheqës artistik i TKK-së.

“KD i TKK-së është i vendosur në përcaktimet e veta për të punuar me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë, andaj gjendur në situatë ku fillimisht rreziku nga përhapja e mëtutjeshme e pandemisë COVID-19 mbetet i lartë, dhe organizimi i testimeve dhe intervistave do të implikonte një numër jo të vogël të personave në të njëjtën kohë në ambiente të mbyllura....”, shkruhet në njoftim. Është përmendur edhe periudha elektorale.

“Tutje, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit së rekrutimit dhe eliminimit të dilemave të mundshme, meqenëse jemi në një periudhë elektorale, Këshilli Drejtues i TKK-së, bazuar në analizën e bërë përkitazi me këtë çështje, si dhe bazuar në dispozitat e Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, mori vendim për pezullimin e procedurave të rekrutimit për pozitat e lartshënuara, së paku deri më datë 15 shkurt 2021”, shkruhet në njoftim.

Paraprakisht të hënën Shoqata e Artistëve të Teatrit i është drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës me kërkesë për anulim të konkursit për njërën pozitë. Në kërkesë shkruhet se në kuadër të mandatit të Shoqatës është realizuar një vlerësim i dokumenteve bazike të konkursit zyrtar të hapur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas shkresës, gjatë këtij vlerësimi është vënë re që njëri prej dy konkurseve është në kundërshtim me Ligjin për teatër.

“Në konkursin me referencë 4163/2020 specifikohet titulli i punës i konkursit që është ‘drejtor artistik’. Kjo pozitë, në bazë të legjislacionit në fuqi nuk ekziston fare. Teatri Kombëtar i Kosovës ka vetëm një drejtor, atë të përgjithshëm. Njëherësh ka edhe udhëheqës të ndryshëm, ndër ta edhe udhëheqësin artistik”, shkruhet në kërkesë. Aty kërkohet anulimi i konkursit.

“Pra, konkursi në fjalë është hapur për një pozitë të punës e cila nuk ekziston në strukturën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Si i tillë, ky konkurs nuk është valid dhe është jolegjitim. Për këtë arsye SHATK-u kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë, dhe pa humbur kohë të hapet konkursi për udhëheqës artistik të TKK-së”, shkruhet në kërkesën që është dërguar në emër të anëtarëve të Bordi ekzekutiv të Shoqatës: Armend Smajli, Erson Zymberi, Faris Berisha, Kushtrim Koliqi dhe Rebeka Qena.

Deri në vitin 2012 pozita e udhëheqësit artistik sipas Ligjit për teatro ishte e emëruar si “drejtor artistik”. Por me hyrjen në fuqi të Ligjit aktual, drejtor quhet vetëm drejtori i përgjithshëm.

Regjisori Kushtrim Koliqi, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës, ka thënë se arsyet e dhëna për pezullimin e konkurseve nuk janë shumë bindëse.

“Ne si shoqatë jemi marrë më shumë me konkursin për udhëheqësin artistik pasi kishte lëshim flagrant në konkurs. Për ne është e çuditshme se përse nuk është anuluar konkursi dhe të hapet i riu me bazë ligjore”, ka thënë Koliqi. Ka ftuar MKRS-në që sa më shpejt të anulojë dhe ta rihapë këtë konkurs. “Do të ishte huqje masive sikur të vazhdohej me këtë konkurs. MKRS-ja duhet të jetë e vetëdijshme se nuk mund të vazhdojnë”, ka thënë ai. Koliqi ka thënë se shpresojnë që pezullimi nuk do të ndikojë që të shtyhet procesi i përzgjedhjes së menaxhmentit pasi ka një kohë të gjatë që TKK-ja nuk ka menaxhment dhe ka pasoja në mbarëvajtjen e punës.

“Nëse me të vërtetë anëtarët e Këshillit mendojnë se mund të ndikohen nga politika, atëherë duhet ta thonë këtë. Proceset e tjera nuk po ndikohen nga pandemia”, ka thënë ai. Për udhëheqës artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë konkurruar regjisorët Sokol Plakolli dhe Ekrem Sopi. Pos tyre në garë është edhe dramaturgia Albana Muja. Kurse për drejtor të përgjithshëm kanë konkurruar Naser Shatrolli, Blerim Krasniqi dhe Kushtrim Sheremeti.

Nën kulmin e Tetarit Kombëtar funksionon edhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Siç ka raportuar KOHA, konkursi për drejtor të këtij institucioni pritej që të anulohej. Vendimi është publikuar të martën.

Kësaj pozite ia kishin mësyrë balerini dhe ushtrues aktual i detyrës së drejtorit, Kreshnik Musolli, dhe koreografët Labinot Rexhepi, Driton Saqipi dhe Luljeta Braha. Kërkohej që ata të kenë nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Në këtë rast merret përvoja e punës pas diplomimit në studimet bachelor. Pikërisht ky kriter ka bërë që të mos jenë tre kandidatë që i plotësojnë kushtet për të vazhduar me procedurën e rekrutimit.

“Në këtë rast, ne në Kosovë nuk kemi shkollim universitar për balet. Kemi kandidatë që kanë më shumë se shtatë vjet përvojë në balet, por nuk e kanë këtë përvojë nga diplomimi e më pas”, kishte thënë udhëheqësi i Divizionit për Burime Njerëzore në MKRS, Taulant Balaj.

Të martën, po ashtu, është publikuar edhe vendimi për anulimin e konkursit për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.

Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.

Për këtë pozitë kërkohej që kandidatët të ishin profesionistë të fushës që mbulon institucioni. Duhej të kishin nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen katër vjet përvojë pune në udhëheqje. Sipas dokumentacionit, Hajrullahu nuk e kishte këtë përvojë pune në udhëheqje. Konkurrentë ishin edhe ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktori Jeton Rexhepi.