Prizren, 15 qershor - Në Prizren është shoqëria civile ajo që do ta kujtojë Bekim Fehmiun, në përvjetorin e vdekjes. Në Prishtinë s'është paralajmëruar ndonjë ngjarje, e këto ditë nuk do të ndahet as çmimi që mban emrin e tij, i themeluar nga Ministria e Kulturës.
Organizatat dhe aktivistët e kulturës në Prizren kanë ftuar të gjithë të interesuarit që të enjten (sot) t’u bashkohen aktiviteteve për shënimin e shtatëvjetorit të vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu. Takimi është caktuar në mesditë në Sheshin e Lidhjes, teksa pak minuta më pas parashihet hedhja e luleve në lumë në nderim të aktorit të ndjerë që arriti famë botërore me interpretimin e tij. Fjalë rasti në këtë ngjarje përkujtimore do të mbajnë veterani i gazetarisë Fahri Musliu dhe Veton Nurkollari nga “DokuFest”. Aty do të shpaloset edhe nisma e titulluar "Bekimi i Prizrenit". Ndërkohë në orët e mbrëmjes do të shfaqet filmi "Mbledhësit e puplave", në kejin e Lumëbardhit.
Aktivisti i shoqërisë civile, Hajrulla Çeku, në thirrjen e tij në rrjetet sociale ka kërkuar që dashamirët e Prizrenit të enjten t’i ndajnë 15 minuta në nderim të Bekim Fehmiut (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.