Kulturë

Murali në Filozofik drejt zhdukjes – alarm për qasjen ndaj artit

Ani pse bëhet fjalë për vepër të njërit nga pionierët e “street artit” në botë, e vetmja që ka realizuar në Ballkan, për muralin e Case Maclaim s’ka vend në Prishtinë. Një shtresë bazë e ngjyrës tashmë i është dhënë, e skelet janë gati për punimet që do ta mbulojnë tërësisht. Krejt kjo po bëhet për projektin e izolimit të fasadës së objektit të Fakultetit Filozofik. Komuna e Prishtinës e cila vetë ka dhënë leje për realizimin edhe të projektit edhe të muralit, është e ndarë në dysh nëse duhej ruajtur vepra. Për komunitetin artistik një qasje e tillë është alarm për qasjen ndaj artit në hapësira publike

Që nga qershori i vitit 2019 kushdo që kalonte nga Fakulteti Filozofik e ai Filologjik ndeshej me një imazh goxha të fuqishëm. Në kuadër të edicionit të pestë të “Guerilla Art Festival”, me moton “Çikat e shpisë”, artisti i njohur gjerman Case Maclaim kishte qëndruar në Kosovë për të realizuar këtë vepër artistike e cila qëndroi aty jo më shumë se një vit e gjysmë. Kjo, pasi që në Fakultetin Filozofik punimet për izolimin e objektit e kanë dëmtuar goxha muralin, duke dhënë “alarmin e fundit” që së shpejti do të largohet prej aty.

Tashmë janë vendosur skelet dhe anash ka filluar intervenimi me stiropor. Punimet në Fakultet janë duke u kryer në kuadër të projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtërishme në Kosovë, që është investim i Bankës Botërore me vlerë 98 mijë eurosh. Organizatorët e festivalit “Guerilla Art Festival”, dëmtimin e muralit e quajnë si një akt të shëmtuar dhe që me këtë veprim janë sulmuar e mohuar vlerat e komunitetit artistik. Derisa murali është realizuar në kuadër të festivalit “Guerilla Art Festival” që është projekt i Bashkimit Evropian, ai është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe ka qenë pjesë e aktiviteteve për 20-vjetorin e Çlirimit. Drejtoria e Urbanizmit në korrik të vitit 2019 kishte dhënë lejë për zhvillimin e punimeve në renovimin e ndërtesës së Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë edhe Fakultetin Filozofik, ndërsa Drejtoria e Kulturës thotë se është e dhimbshme që ky mural po mbulohet por në anën tjetër, theksojnë se duhet të mos humbet projekti për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme në Kosovë.

Murali ka në fokus modelen e njohur Sihana Shalaj dhe paraqet përqafimin e saj me vetveten, duke e sjellë atë para dy mundësive që lidhen me lindjen ose perëndimin, por që ngul këmbë nga vetja për t’u dalë ballë çdo sfide. Prishtina, është i vetmi qytet në Ballkan ku Case Maclaim ka lënë gjurmët e tij artistike. “Maclaim Crew” është emri i grupit të tij, të njohur botërisht.

“Jemi para një akti të shëmtuar ku është duke u mbuluar kjo vepër. Në fakt artisti që e ka punuar atë është një prej pionerëve të street art-it. Ekipi i tyre është prej më të vjetërve ndërsa në fakultetet e arteve ‘Maclaim Crew’ janë pjesë e kurrikulës dhe mësohen si vlerë e artit bashkëkohor, kurse te ne mbulohet akoma pa u bërë dy vjet, pa na pyetur askush dhe pa marrë përgjegjësi askush”, i ka thënë KOHËS drejtori i Qendrës për Zhvillim të Artit, Agon Xhelili, i cili tutje ka theksuar se artisti gjerman, Case Maclaim, nuk ka dashur të komentojë rreth mundësisë për largimin e muralit.

Sipas Xhelilit, veprime të tilla po e hedhin poshtë përpjekjen e tyre për të sjellë vepra arti nëpër hapësirat publike dhe në të njëjtën kohë po mohohen vlerat e komunitetit artistik.

“I gjithë mundi ynë si organizatë po shkelet me një kofe ngjyrë, një kofe ngjitës dhe stiropor por po harrohet ajo pjesë e historisë ku për neve është definitivsht mosrespektim i brezave të rinj, arrogancë ndaj rinisë dhe mosnjohje e vlerave të komunitetit artistik”, ka thënë tutje Xhelili.

Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës në bazë të vendimit të lëshuar në korrik të vitit 2019, në kohën kur vepra ishte ende e freskët, dha dritën e gjelbër për zhvillimin e punimeve në fasadimin e ndërtesës së Universitetit të Prishtinës, që parashihte “punimin e fasadës termike kompozite në muret e jashtme me EPS 10 centimetra”.

Adrian Berisha nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës ka thënë se edhe për ta është e dhimbshme heqja e muralit, por që në këtë rast duhet të realizohet projekti për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të ripërtërishme.

“Është e dhimbshme që po mbulohet, por është më se i rëndësishëm një projekt si ai i Efiçiencës. Jemi te dy pika a të mbulohet murali dhe të realizohet projekti i Efiçiencës apo të ruhet murali dhe të mos realizohet ky projekt dhe ta lejojmë muralin aty dhe në këtë rast të humbasin mijëra euro nga Bashkimi Evropian” , ka thënë Berisha për KOHËN.

Agon Xhelili thotë se me situate të tilla janë përballur edhe në të kaluarën dhe kjo sipas tij, ndodh pasi nuk ekziston një kornizë ligjore që i mbron veprat, andaj kërkon nga Komuna e Prishtinës ndryshim të ligjit në favor të mbrojtjes së veprave në hapësira publike.

“Kërkojmë prej Komunës që të ketë rregullim me ligj, ndryshim të ligjit në favor të mbrojtjes së veprave”, ka thënë Xhelili, i cili kërkon që vepra të lihet ashtu e dëmtuar që të dëshmojë mbi një realitet që veprat e mira nuk zgjasin shumë në Prishtinë.

Adrian Berisha nga Komuna e Prishtinës thotë se situata me pandeminë ka lënë anash ndërmarrjen e hapave për të rregulluar kornizën ligjore sa i përket mbrojtjes së artit në hapësira publike.

“Kemi pasur disa takime dhe kemi bërë disa hapa të cilët kemi pasur t’i vazhdojmë në vitin 2020, por pastaj ndodhi pandemia dhe fokusi ynë ka qenë në menaxhimin e situatës dhe disa projekte dhe iniciativa kanë filluar të ngadalësohen, pasi që janë bërë terciare, e as sekondare jo. Ky është një alarm që duhet të bëjmë diçka në këtë drejtim”, ka shtuar ai.

Përderisa Komuna e Prishtinës ka vite që për art në hapësira publike ndan 100 mijë euro me buxhet vjetor, rastet e mbulimit të muraleve nuk janë të rralla. Murali i artistit gjerman, mbuloi atë që quhej “Simboli i rinisë” i punuar nga artistja Fitore Berisha, Mehmet Dedinja dhe Agron Hajredinaj në vitin 2003. Ndërsa në korrik të vitit të kaluar është fshirë edhe murali tjetër i artistes Fitore Berisha dhe Mehmet Dedinjës, që për 14 vjet kishte qëndruar te objekti i njohur si “Sllovenia e Sportit” në kryqëzimin e rrugës “Agim Ramadani” me atë “Rrustem Statovci”. Veprat ishin realizuar në kuadër të projektit që Berisha kishte nisur në vitin 2002, duke themeluar një organizatë joqeveritare, të cilën e quajti “Mural Art Group”. Projekti rezultoi me disa murale nëpër kryeqytet. Në kuadër të projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtrishme në Kosovë në rinovimin e objekteve të Universitetit të Prishtinës, vitin e kaluar ishte mbuluar edhe pjesa më gurë e objektit të Fakultetit të Arteve, veprim që kishte nxitur reagime të shumta për cenimin e autenticitetit.