Kulturë

Ylli viteve të arta të kinematografisë në Jugosllavi

Me rolet e saj në filma të ndryshëm, Mira Furlan ishte një nga aktoret më të dalluara në ish-Jugosllavi në fundvitet ‘80. Por ajo do të bëhej jo pak kundërthënëse mes bashkëvendësve të saj në Zagreb kur, edhe në kontekstin e thellimit të armiqësisë më Serbinë, vazhdonte të performonte në skenat në Beograd. Protestoi kundër nacionalizimit dhe iku në ShBA ku edhe atje hapi një kapitull karriere

Për shumëkënd ajo ishte një nga yjet kroatë të botës së aktrimit. Fama e saj tejkaloi kufijtë e Kroacisë kur do të interpretonte rolet e paharrueshme në seritë televizive “Babylon 5” dhe “Lost”.

Aktore dhe këngëtare, Mira Furlan ka vdekur të mërkurën në moshën 65-vjeçare. Fillimisht lajmi është kumtuar nëpërmjet llogarisë së saj në Twitter, e më pas edhe krijuesi i serialit “Babylon 5”, Joseph Michael Straczynski ka bërë një kushtim të ndjerë për miken e tij.

“Është një natë e pikëllimit të madh që mikja dhe shoqja jonë iku në rrugën në të cilën ne nuk mund të arrijmë atë. Por, si me të gjitha gjërat, ne do ta zëmë atë në kohë dhe besoj se ajo do të ketë shumë rrëfime për të na i thënë, dhe shumë role të reja për t’i bashkëndarë me universin”, ka shkruar regjisori dhe producenti amerikan.

Sipas menaxherit të saj, Chris Roe, aktorja kroate ka vdekur të mërkurën në shtëpinë e saj në Los Angeles, për shkak të ndërlikimeve që mori prej virusit të Nilit Perëndimor. Tek të premten u bë publik lajmi.

Në një deklaratë të lëshuar nga familja e saj, Furlani është përshkruar si një grua e sjellshme, e fortë dhe plot ndjenjë.

“Ne do të vazhdojmë ta kujtojmë jetën dhe trashëgiminë e saj, dhe e dimë që ajo do të jetë gjithmonë këtu me ne”, ka shkruar familja.

Në një mesazh nga llogaria e saj në Twitter, për të cilin mësohet se ishte i ekstraktuar nga autobiografia e saj, shkruan: “I sodis yjet. Është një natë e qashtër dhe Rruga e Qumshtit duket kaq afër. Atje do të shkoj së shpejti”.

Kurse Straczynski ka thënë se ai e dinte prej kohësh se shëndeti i Miras kishte marrë tatëpjetën.

“Ishim me shpresën se do të përmirësohej. Mira ishte një grua e mirë dhe e sjellshme, një performuese mahnitshëm e talentuar, dhe mike ndaj secilit në kastin e Babylon 5”.

Aktorja kroate kishte interpretuar në të pesë sezonet e serialit të njohur, në vitet 1994-1998, pas të cilit ajo i dha jetë birit të saj të vetëm, Marko Lav. Asokohe, Furlan realizoi edhe albumin e quajtur “Songs From Movies That Have Never Been Made”.

E lindur në Zagreb më 7 shtator 1955, Furlan performoi një sërë rolesh skenike dhe ishte pjesë e Teatrit Kombëtar të Kroacisë.

Ajo ishte një nga aktorët e kastit të filmit të regjisorit serb Emir Kusturica, “Babai në udhëtim zyrtar” që fitoi “Palmën e Artë” në edicionin e vitit 1985 në Festivalin e Filmit në Cannes. Ajo ishte e martuar me regjisorin serb, Goran Gajiq, dhe vazhdoi të luante në Zagreb e Beograd edhe kur ky i fundit po tregonte shenja të qarta agresioni.

Do të përjashtohej nga Teatri Kombëtar Kroat, e në vitin 1991 bashkë me të shoqin emigroi në Shtetet e Bashkuara pak para se të shpërthenin luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi.

“Ishte krejtësisht sikur të filloja nga gjithçkaja, sikur dikush të kishte marrë një shlyese të madhe dhe të kishte fshirë jetën time”, kishte thënë Furlan gjatë një interviste në 2012 për “Daily Dragon Online”. “Ishte një ndjesi e çuditshme. Por në të njëjtën kohë, ne erdhëm në New York. Unë gjithmonë e kam dashur New Yorkun, dhe gjithnjë kam menduar se është si ta jetosh botën. Është bota, jo vetëm qyteti, por është gjithçka”.

Më 1992, ajo u bë anëtare e “Actors Studio”, kurse vite më vonë, ajo fitoi lejën të performonte në Indiana Reportory Theatre në rolin kryesor të dramës “Yerma”.

Më 2002, Furlan u rikthye në Kroaci për të marrë pjesë në produksionin e Rade Sherbexhisë për dramën “Medea” të Euripidit.

Gjatë karrierës së saj, Furlan kishte interpretuar me Faruk Begollin në filmin “Qyteti i pamposhtur” si dhe në serinë “Vuk Karaxhiq”.

“Mira Furlan ishte versioni jugosllav i Sophia Lorenit dhe Brigitte Bardot. Edhe në vitin 2018, kur Mira Furlan, tashmë mbi 60-vjeçare, shëtiste nëpër qendër të Zagrebit, sharmi i saj tërhiqte shikimet e fotografëve dhe kalimtarëve”, ka shkruar gazetari dhe publicisti, Enver Robelli në një shkrim përkujtimor për aktoren kroate. “Mira Furlan – një jetë për skenën dhe tolerancën” e ka titulluar atë. Ndër të tjera shkruan se në fillim të viteve 90-të Furlan nuk pranoi të bëhet pjesë e lojërave nacionaliste. “E martuar me Goran Gajiqin, regjisor me prejardhje serbe nga Zagrebi, ajo vazhdoi të luajë si në Zagreb ashtu edhe në Beograd. Për këtë u godit ashpër nga nacionalistët kroatë. U përzu nga puna në Teatrin Kombëtar Kroat (HNK), pastaj autoritetet ia morën edhe banesën që e kishte trashëgimi nga gjyshja. Mira Furlanit nuk i mbeti rrugë tjetër përveç mërgimit”, ka shkruar Robelli duke risjellë edhe pjesë të intervistave të saj dhe të një letre publik. “Ajo protestoi dhe shprehu zhgënjimin e thellë për mungesën e kurajës publike për t’iu kundërvënë helmit nacionalist”, ka shkruar Robelli. “Në një intervistë dhënë televizionit kroat më 2008 Furlan tha: “Publikisht më kanë linçuar. Njerëzit drejtonin gishtin kah unë. Më quanin njeri ‘shizofren’. Nuk kam harruar, sepse harresa nuk i shëron plagët. U desh të largohem nga këtu për të shpëtuar veten”.

Edhe aktori nga Prishtina Alban Ukaj, i cili jeton në Sarajevë e ka përkujtuar atë përmes një kushtimi në llogarinë e tij në Facebook: “Lamtumirë, Mira! Jemi shumë që të kemi dashur, vetëm ta dish”.

Kurse aktori tjetër, Armend Baloku, ka zgjedhur të afishojë një fotografi me aktoren kroate, të cilën e ka shoqëruar edhe me tekstin e shkurtër: “Pusho në paqe, Mira Furlan”.