Kulturë

Filarmonia e Kosovës me vepra që shpalosin historinë e vendit në “Flakën e Janarit”

Descriptive Text

Prishtinë, 17 janar – Për tri dekada manifestimi “Flaka e Janarit” ka synuar që përmes aktiviteteve kulturore të nderojë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit. Muzika ishte një ndër shtyllat e saj që në themelim. Synimet janë që pikërisht kjo pjesë e Festivalit të fuqizohet më shumë në edicionet e ardhshme. Paraqitja e Filarmonisë së Kosovës të dielën ishte një dëshmi që kjo është e mundur.

Mbrëmja nisi me fragmente nga poema simfonike “Skënderbeu” e kompozitorit Çesk Zadeja, që çdo herë që luhet ngjall emocione te publiku shqiptar. Koncerti vazhdoi me veprën “Legjendat këndoja me mall”, të Sami Pirajt e Kreshnik Aliçkajt, ku soliste ishte sopranoja Arta Jashari. U luajt edhe “Uvertura shqiptare” e kompozitorit Hajrullah Syla, si dhe “Unë biri yt Kosovë” e Feim Ibrahimit e Valton Beqirit, ku solist ishte tenori Liridon Sadriu. Pastaj sopranoja Adelina Paloja u paraqit me “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.

Paloja ka thënë se veprat e përzgjedhura e që kishin karakter patriotik, përkojnë edhe me anatominë e manifestimit.

“Është nder dhe privilegj për ne që të perfomojmë në këtë 30-vjetor të ‘Flakës së Janarit’ dhe përmes veprave të artit të nderojmë martirët e rënë”, ka thënë ajo. Njëlloj mendon edhe dirigjenti Hajrulla Syla. Ka shtuar se ideja e programit ishte e tillë që t’i përshtatej aktivitetit.

“Ky manifestim i nderon të rënët për liri të vendit, kështu që jemi munduar që të kemi një program me vepra më patriotike të cilat edhe e ngjallin atë emocionin kur i dëgjojmë këto vepra apo këngë”, ka thënë Syla.

Sipas tij, manifestimet si “Flaka e Janarit” vënë në pah vlerat e vendit dhe ndihmojnë që ato të ruhen. Ka thënë se edhe koncerti i natës së sotme qe një hap i Filarmonisë për të ndërlidhur folklorin me muzikën klasike.

“Këto aranzhime e vepra që janë luajtur sonte ne i kemi tashëm të ruajtura si vepra dhe ato ekzistojnë, prandaj është shumë i rëndësishëm, pasi që po të mos kishte aranzhime të tilla këto vepra as që do të ekzistonin si partitura. Ky koncert ndërlidh, nëse mund të them, punën artistike dhe muzikën folklorike”, ka treguar ai.

Orkestra e Filarmonisë luajti edhe veprën “Gryka e Kaçanikut” të Endrit Rexhepit e Hajrullah Sylës, ku u paraqitën solistët Liridon Sadriu, Sokol Latifi, Shqipërim Isufi e Endrit Rexhepi. Koncerti u përmbyll me veprën “Jam Kosovë e Shqiptarisë” të Edmond Zhulalit e Valton Beqirit me solistë sopranon Arta Jashari dhe tenorin Liridon Sadriu. Gjatë ditës së diel në kuadër të “Flakës së Janarit” është mbajtur edhe akademia e “Flakës”.