Kulturë

“Përmes vijave” në lojë me stilet

Ka debutuar me ekspozitë personale, dhe nëpërmjet veprave që ka përthekuar me të, ka sjellë eksplorimin e vazhdueshëm të vijës e të stileve. Pos anës estetike, ajo që dëshmon Blerim Tmava është guximi në shprehjet artistike. “Unë thjesht e shpreh veten dhe punoj me çfarëdo teknike dhe materiali që më del përpara. Kam dëshirë që të eksperimentoj dhe të shpreh idetë e mia në artin figurativ”, thotë ai

Një grua në moshë reflekton qëndrim stoik që e përcjell me buzëqeshje. Artisti Blerim Tmava e ka vendosur gjyshen si imazhin e parë me të cilin takohen ata që shkojnë për ta parë ekspozitën e tij të parë personale të titulluar “Përmes vijave”, që u hap të enjten mbrëma në hapësirën e re kulturore “Publico”. Fiks 33 piktura që janë të vendosura aty shpërfaqin karakterin eksplorues të artistit.

Tmava e kishte fotografuar fillimisht gjyshen për ta portretizuar nëpërmjet ngjyrave të akrilit. Artisti thotë se gjyshja e ka vizituar disa herë në atelie gjatë kohës kur e ka punuar këtë vepër.

Për nga aspekti teknik, ka ndjekur lëvizjen e dritës, duke e vendosur figurën nën hije dhe dritën në prapavijë të saj. Por ndryshe nga piktura që shpërfaq flokët e saj të thinjur, Sherife Tmava zakonisht bart shaminë mbi kokë. E artisti i ri nëpërmjet portretit të saj ka dashur të personifikojë të gjitha gjyshet, duke i liruar ato nga çdo kufizim.

“Kjo pikturë është frymëzim nga gjyshja ime. Edhe pse e kam marrë motiv atë nuk e reprezanton vetëm atë personalisht, por të gjitha gjyshet shqiptare. Me qëllim e kam realizuar pa shami, sepse përmes saj kam dashur ta shpreh një lloj lirie”, ka treguar artisti Tmava.

Ngjashëm ka vepruar edhe në dy punime të tjera, ku në fokus ka dy persona të tij të dashur. Në të dyja punimet ka përdorur lloje të ndryshme të brushave duke i lakuar. Në lojë me ngjyrat, Tmava ndjek lëvizjen e dritës edhe tek veprat e tjera. Te piktura “Thellësia”, e cila ka një format më të madh, përveç ngjyrës, ka bërë bashkë disa materiale të tjera.

“Në pikturën ‘Thellësia’ kam përdorur fasuleta, materiale të drurit dhe i kam miksuar me ngjyra dhe e kam krijuar një raport të dritëhijes afër një deti. Vepra titullohet ‘Thellësia’, sepse e ka pamjen e thellë dhe struktura të thella”, ka treguar ai.

Vija është baza mbi të cilën zhvillon punimet e tij grafisti Blerim Tmava. Duke eksperimentuar vazhdimisht, përpiqet të studiojë thelbin dhe lëvizjen e vijave. Portretet janë ato që mbizotërojnë disa prej punimeve të ekspozuara. Aty grafisti zbërthen personalitetet e atyre që i takon përditë gjatë lëvizjeve në qytetin e Mitrovicës. Duke përdorur tushin dhe pendën ai ka memorizuar shprehjet e fytyrës së bashkëqytetarëve të tij.

“Jam bazuar në fytyrat e njerëzve që i shoh në qytetin tim dhe pa i njoftuar ata, por jam bazuar në atë se çfarë kam parë në një moment të caktuar te dikush”, ka thënë Tamava.

Në pjesën e tretë të ekspozitës, vizitori kalon në një dimension tjetër artistik. Dinamika që përçon në këto piktura e jep ndjesinë e një dite në treg, pamjen e mëngjesit dhe lojën e fëmijëve. Kontrastet që krijohen në veprat e pjesës tjetër të ekspozitës e kanë bërë autorin e tyre që njërën prej pikturave ta titullojë “Luftë figurative”. Aty ngjyrat luftojnë për ta dominuar njëra- tjetrën.

“E kam titulluar ‘Luftë figurative’ pasi që është një kontrast i fuqishëm i së kaltrës, të kuqes dhe aty zhvillohen shumë shpërthime për të parë se cila po arrin ta dominojë tjetrën”, ka thënë Tmava. Ekspozita “Përmes vijave” ka përmbledhur një punë katërvjeçare të artistit Tmava. Ai vazhdimisht kishte refuzuar të prezantohej në ekspozita kolektive me qëllimin që ta realizonte një ekspozitë personale që përmbledhë eksperimentimin e tij në stile.

“Kur kam filluar ta krijoj stilin tim jam munduar të krijoj diçka të veçantë, por më vonë e kam kuptuar se nuk është ai qëllimi im. Unë thjesht e shpreh veten dhe punoj me çfarëdo teknike dhe materiali që më del përpara. Kam dëshirë që të eksperimentoj dhe të shpreh idetë e mia në artin figurativ. Nuk i qëndroj stoik një stili, pasi që punoj katër muaj në një stil e shoh që kam nevojë të eksperimentoj diçka tjetër”, shprehet Tmava.

Tmava duke qenë se është grafist me profesion, shpesh përdor tushin dhe pendën për t’iu dhënë formë imazheve ashtu siç i sheh brenda vetes. Vazhdimisht thotë se duke eksperimentuar me to nxjerr figura që komunikojnë më njëra-tjetrën

“Kam dashur të studioj thelbin dhe lëvizjet e vijës, shpesh pa shprehur një figurë reale. Përmes një vije mund ta shprehësh një mendim, ide apo emocion vetëm duhet të dish ta lexosh, sepse edhe këtu është një lloj alfabeti”, thekson ai.

Ekspozita “Përmes vijave” u lejon punimeve të kenë hapësirë mes vete në mënyrë që publiku të pushojë në secilën pjesë të ekspozitës. Me këtë organizim hapësira e re kulturore e vendosur në produksionin “Publico Group” synon ta zgjerojë edhe më tutje aktivitetin e saj kulturor duke krijuar edhe organizime që bashkojnë artistët në një vend.

“Ideja ka qenë e kamotshme, por që u kufizua në kohën e pandemisë. E kemi filluar me këtë ekspozitë me qëllim që t’i përkrahim edhe më tutje artistët dhe në muajt në vazhdim synojmë të sjellim edhe ekspozita të skulpturës dhe mundësi për ekspozita të pikturës dhe po ashtu planifikojmë të organizojmë edhe koloni artistike në këto fusha”, ka thënë drejtori i “Publico”, Valon Vataj.

Me ekspozitën e parë personale, artisti Blerim Tmava është vlerësuar për sjelljen e një fryme të re artistike.

Për profesorin e artit, Art Hoxha, secili punim flet për veçantitë e stilit të Blerim Tmavës.

“Në kohën e zymtë që po e jetojmë këto ditë, ekspozita e tij është si ajër i freskët për artin kosovar. Një ekspozitë ku shihet që është derdhur shumë punë, shumë përkushtim, e mbi të gjitha shumë talent. Kishte teknika të ndryshme në punime, por stili i veçantë i Blerimit vërehej qartë në secilën”, ka thënë Hoxha.

Personaliteti eksplorues në art i Blerim Tmavës është vlerësuar edhe si një qasje e guximshme e artistit nga profesoresha Albulena Beqiri.

“Stili i tij i veçantë, vijat, ngjyrat, format e sidomos guximi janë gërshetuar aq bukur duke e përkufizuar një cikël estetik të veprave të cilat do të kenë jehonë në artin shqiptar”, ka thënë Beqiri.

Skulptori Armend Brestovci derisa ka përshkuar një udhëtim artistik duke parë veprat e grafistit ka thënë se në artin e Tmavës ka ndeshur vepra moderne dhe eksperimentale.

“Veprat e ekspozuara mendoj që janë të kompletuara nga mënyra e realizimit duke vërejtur në to forma të trajtuara si relief, tekstura, kolazhe, ngjyra të kombinuara bukur, vendosje të figuracioneve me detaje dhe lojëra artistike të tushit dhe brushës”, është shprehur Brestovci.

Punimet e artistit Blerim Tmava do të qëndrojnë për një vit në muret e hapësirës ekspozuese të “Publicos”, ndërsa ai do të vazhdojë që me punimet e tij të përcjellë emocione.