Kulturë

Artisti i shtigjeve të reja në muzikën shqipe

Artisti i shtigjeve të reja në muzikën shqipe
Kompozitor, dirigjent dhe orkestrues, Kristë Lekaj është vlerësuar si një nga emrat më të dëshmuar në muzikën shqipe në Kosovë prej viteve ’60 (Foto: Arben Llapashtica)
 

Pleqëria nuk e mpaku asnjëherë damarin krijues të tij. Me një “Requiem” që lindi mes frymëzimeve të vazhdueshme, si e fundit vepër e tij, ai deshi artistikisht t’i jepte hakun të gjithë martirëve të popullit shqiptar ndër shekuj. Nga të paktët të rinj në fundvitet ’40 që zgjidhnin Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren, Lekaj e mori seriozisht hapërimin e tij në muzikë. Si një nga kuadrot e parë muzikorë të shkolluar në Beograd, prizrenasi i palodhur do të ftillëzonte muzikën argëtuese në Kosovë e viset shqiptare në ish-Jugosllavi. Mik i dashur dhe i urtë për kompozitorë e muzikantë të rinj, Kristë Lekaj është vlerësuar si një nga kompozitorët, dirigjentët e orkestruesit më të mirë në vend

Ishte marsi i vitit 2019 kur priste drithërueshëm të interpretohej vepra të cilën e kishte shestuar prej kohësh. Sikur ta kishte ndier se po i afrohej kufirit të një jete “Requiem” për kor dhe orkestër ishte homazhi i tij për martirët e popullit shqiptar ndër shekuj. Ishte sprova e shumë orëve mëngjesore kur vinte notat drejtpërdrejt mbi partiturë.