Kulturë

Institucionet e kulturës me buxhet të zbritur presin pavarësi financiare

Institucionet e kulturës me buxhet të zbritur presin pavarësi financiare
Ani pse në total buxheti i sivjetmë është për 9.2 milionë euro më pak sesa vitin e kaluar, Ministria e Kulturës i ka kursyer deri diku institucionet qendrore të kulturës nga zbritja e mjeteve për projekte
 

Si rrallë ndonjë vit më parë, institucionet e kulturës – përveç “Shotës” – janë të kënaqura me buxhetin që ua ka ndarë Ministria e Kulturës, ani pse ai është zbritur. Për ta, një gjë e tillë ka qenë e pritshme sherri i pandemisë. Por, ajo që u jep më shumë optimizëm janë kodet buxhetore të premtuara që nga paslufta e që pritet të konkretizohen sivjet. Me to, institucionet fitojnë një lloj pavarësie financiare në shfrytëzimin e mjeteve

Me dallime jo shumë të mëdha, shumicës së institucioneve qendrore të kulturës u është zbritur buxheti për këtë vit. Ministria e Kulturës është munduar që ta ruajë njëfarë balance që shkurtimet të mos jenë të mëdha. Për dallim prej buxhetit të përgjithshëm ku do të ketë 9.2 milionë euro më pak, MKRS-ja ia ka dalë që mungesa e financave të mos lërë gjurmë të mëdha te institucionet e kulturës. Për atë që projektohet si kulturë institucionale, MKRS-ja vitin e kaluar kishte ndarë 2 milionë e 155 mijë euro. Kurse për sivjet janë 2 milionë e 86 mijë euro. Janë fiks 69 mijë euro më pak.