Kulturë

Ikja e figurave të pazëvendësueshme

Bota e artit, si ajo vendore edhe ndërkombëtare, gjatë vitit 2020 humbi disa prej emrave më eminentë. Skena artistike u varfërua. Në disa raste kumtet për vdekje u shoqëruan edhe me vlerësime se ikën njerëz të pazëvendësueshëm sa u përket vlerave e arritjeve artistike. Për dallim nga e kaluara, këtë vit pandemia bëri që ceremonitë përcjellëse, që zakonisht organizohen për yje të botës së artit, të jenë të zbehta. Por në këtë aspekt institucionet vendore nuk është se kanë ndonjë alamet tradite. Bile, jo rrallë, vdekjet e përvjetorët nuk kanë zënë vend në agjendat shtetërore.

Emrat gjigantë të skenës vendore

Kumti për vdekjen e këngëtares Nexhmije Pagarusha u dha më 7 shkurt. Në moshën 86-vjeçare ajo vdiq në banesën e saj modeste në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës. Deri pak para vdekjes jetonte e mbikëqyrur nga disa kujdestare. E lindur më 1933 në Pagarushë të Malishevës, këngëtarja që doli në pah në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar do të mbërrinte majat e vlerave artistike. Për njerëzit e profesionit ishte perëndeshë e këngës, përderisa epitetin “Bilbili i Kosovës” ka kohë që e mbante. Por Pagarusha hyn te personat që emancipimit nuk i shërbyen veç me art. Në kohën kur shoqëria ishte e dhënë pas zakoneve prapanike e gratë në shumicë bartnin shami, ajo theu tabu të skenave të ish-Jugosllavisë, duke qenë frymëzim për ata që iu shkonte mendja për emancipim. E këngëtarja e “Bareshës” hapi shumë rrugë në këtë aspekt. U bë frymëzim brenda Kosovës, e përfaqësuesja më e denjë e vendit të saj jashtë.

Në kohën kur Pagarusha nisi t’i rrallojë daljet e saj publike, sidomos në mes të viteve ’80, tashmë ekstravaganca dhe avangardja në Prishtinë identifikoheshin me portretin e Violeta Rexhepagiqit. Rock-këngëtarja me paraqitjet e saj me grupin “Vivien” i dha hov zhvillimit të muzikës në vend. Por suksesi i këngëtares që vdiq në prillin e 2020-s u zgjerua edhe në gazetari. Në vitet ’90 Rexhepagiqi, midis të tjerash, do të punonte edhe për “Sky News”. Intervistat e saj prej Slobodan Milosheviqit e deri te Arkani e Saddam Huesdeini mbesin në arritjet prej një njeriu që pos guximit, kishte edhe alamet stili. Shkaku i pandemisë nderimet iu bënë para Ministrisë së Kulturës, ku janë dëgjuar edhe këngët e interpretuara prej saj.

Paraprakisht në mars, po ashtu shkaku i pandemisë, me buqeta lulesh para Teatrit Kombëtar të Kosovës është nderuar edhe figura e aktores Leze Qena, e cila vdiq në moshën 85-vjeçare. Qena me një karrierë në teatër, film e figurë shumë e dashur për publikun në seri televizive është vlerësuar si aktore e gjeneratave që vunë themelet e artit teatror në vend.

Para TKK-së u nderua edhe balerini i gjeneratës së parë të Trupës së Baletit në Kosovë, Ahmet Brahimaj. Ai vdiq në maj në moshën 66-vjeçare. Brahimaj pos si solist në vitet ’80, pas luftës së fundit kishte themeluar Baletin Kombëtar të Kosovës pas iniciativës së tij që në shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” në Prishtinë të kishte edhe klasë për balet. Pas themelimit të institucionit ai e udhëhoqi atë deri në fund të vitit 2018, duke ia dalë që të jepen shfaqje edhe në qendrat kryesore evropiane. Fotografive që kanë dalë para TKK-së për të nderuar figura të artit në shtator iu është bashku edhe ajo e Adem Mikullovcit. Aktori e politikani Mikullovci vdiq në moshën 82-vjeçare. Bota e artit e populli humbën profilin e aktorit tragjikomik, regjisorin e dramaturgun e shquar, kurse politika delegatin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 e deputetin e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës. Rolet e Mikullovcit në teatër e film janë pjesë e kujtesës së brezave që përjetuan Kosovën në kapituj të ndryshëm.

Në nëntor, në moshën 83-vjeçare vdiq këngëtari i njohur Ismet Peja, zëri i trashëgimisë muzikore shqipe. Deri në fund të jetës ka numëruar gati shtatë dekada në skenë. Shpesh kishte thënë se jetonte me këngën e për këngën. E këtë rrugëtim e kishte nisur si i ri.

Humbjet për kulturën e shkencën shqiptare

Në listën e humbjeve të njerëzve të kulturës për vitin 2020 bëjnë pjesë shumë personalitete. Shkrimtari Musa Ramadani vdiq në moshën 76-vjeçare.

Në moshën 92-vjeçare, në tetor vdiq kompozitori e këngëtari me nam i cili u vlerësua si maestroja i këngës shqipe në skenën shqiptare. Bashkë me miq, Avni Mula solli frymën botërore të muzikës klasike. Në muzikën shqiptare, si këngëtar e kompozitor, solli perla të pavdekshme. “Valsi i lumturisë”, kompozuar prej tij, tashmë është shndërruar në vepër ikonike. Në moshën 90-vjeçare, në nëntor vdiq dirigjenti Milto Vako. Sipas kritikës, ishte ai që futi standardet e para tё këndimit koral profesionist në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Shqipëri dhe qё ndikoi thelbёsisht nё arritjet dhe në sukseset kombëtare e ndërkombëtare tё këtij institucioni. Ansambli humbi edhe mjeshtrin e valles Besim Zekthi. Ai vdiq në moshën 84-vjeçare në qershor.

Në maj, në Tiranë, në moshën 84-vjeçare vdiq arkitekti, piktori e intelektuali i shquar Maks Velo, që u shqua si novator i artit shqiptar e simbol i antikonformizmit. Emri i tij ishte përfshirë në mesin e 175 arkitektëve më të mirë në botë. Midis të tjerash, ishte edhe përfaqësues i letërsisë së burgut e figurë e një epoke. Në prill, arti shqiptar ka humbur një prej aktorëve më të mirë të komedisë, Gëzim Kruja, që ishte një prej mjeshtërve të komedisë shqiptare. Poezia humbi njeriun e vargjeve të dashurisë, të njerëzve dhe atdheut. Në moshën 77-vjeçare vdiq poeti Adem Zaplluzha. Në qershor vdiq montazheri i KTV-së dhe punëtor i teatrit “Oda”, Etrit Mehmeti. Ky teatër humbi edhe mjeshtrin e dritave dhe skenës, Ukshin Krasniqi. Këtë vit ka vdekur edhe punonjësi i skenës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, Avdyl Plakolli.

moshën 84-vjeçare në korrik vdiq Fazli Syla, folklorist, prijës reformash në arsim e kulturë, u cilësua si emër emblematik në albanologji. Sikurse Syla në albanologji, Ramadan Musliu ishte për kritikën letrare. Vdiq në moshën 66-vjeçare në tetor. Valdet Gashi do të bëhej pionier i skenës së stripit në Kosovë. Vdiq në shkurt në moshën 58-vjeçare. Regjisori Muharrem Fejzo, aktori Koço Devole e skulptori Arben Bajo nuk i mbijetuan vitit 2020. Aktori e regjisori Rikard Ljarja është prej emrave më përfaqësues të kinematografisë shqiptare të shekullit të kaluar. Vdiq në moshën 77-vjeçare më 20 prill. Skena e artit humbi edhe pionierin e karikaturës. Ramadan Zaplluzha i njohur si Therrë Murrizi vdiq në moshën 82-vjeçare, më 13 korrik.

Sikurse fushat e tjera edhe albanologjia u varfërua gjatë këtij viti. Në moshën 58-vjeçare vdiq albanologu i njohur, profesori i Universitetit të Kalabrisë, Giovanni Belluscio. Ai ishte mjeshtër arbëresh i fonetikës eksperimentale e studiuesi që avancoi studimet albanologjike. Rrethet akademike kanë humbur edhe filozofin e anëtarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Ekrem Myrtezai.

Gjenitë e kulturës botërore

Gjatë vitit 2020, bota humbi artistë e shkencëtarë me nam. “Vdiq mbreti i rock-kitarës”, qe titulli i “Kohës Ditore” për vdekjen e virtuozit të muzikës Eddie Van Halen, i cili vdiq më 6 tetor në moshën 65-vjeçare. Këtij viti nuk i kanë dalë në fund as aktori David Prowse, që është superheroi i “Star Wars”, aktori Geoffrey Palmer, Sir Sean Connery, i njohur në rolin e James Bondit, shkrimtarja austriake Ruth Klueger, këngëtari dhe tekstshkruesi amerikan i muzikës reggae, Johnny Nash, aktori Chadwick Boseman, Ben Cross, fituesi i çmimit “Nobel” për paqe John Hume, regjisori Alan Parker, reperi Malik Abdul Basit. Listës së personave që lanë gjurmë në botën e artit e që nuk jetojnë më i janë shtuar edhe aktorja Olivia de Havilland, këngëtarët Joe Diffie, Kenny Rogers, artisti Frank Uwe Laysiepen i njohur si Ulay, dhe aktori i madh Kirk Douglas, aktori e regjisori Terry Jones, historiani kroato-amerikan, Ivo Banac, gazetari kroat Pero Zlatar e shumë të tjerë.

I pazëvendësueshëm mbetet edhe gjiganti Ennio Morricone, fitues i çmimit “Oscar”, veprat e të cilit sa vijnë e bëhen më me peshë. Kompozitori e dirigjenti italian, gjeni i muzikës së filmit, u shua më 6 korrik të 2020-s, në moshën 91-vjeçare. Bota e muzikës klasike humbi edhe një emër të madh: kompozitorin e dirigjentin polak Krzysztof Penderecki. Vdiq më 29 mars në moshën 86-vjeçare. “Beethoveni i kohëve të sotme” e cilësoi atë kompozitori Mendi Mengjiqi, autor i himnit shtetëror të Kosovës, ish-student i Pendereckit.

Image