Kulturë

“Manifesta 14” paralajmëron nisjen e studimit urban të Prishtinës

Prishtinë, 5 janar – Bienalja evropiane e artit bashkëkohor “Manifesta 14” ka nisur t’i intensifikojë veprimet sa i përket edicionit të vitit që vjen. Nëpërmjet një videoje prej 24 sekondash të publikuar mbrëmjen e së martës, organizatorët e ngjarjes së madhe kanë paralajmëruar punë në terren për “Manifesta 2022”, që do të mbahet në Prishtinë. Pamjet e marra në mbrëmje sipër hotelit “Grand”, ku mbishkrimi “Prishtina” e “Grand Hotel Prishtina” janë në qendër, vijnë me zhurmë të ambientit.

“Jemi të entuziazmuar që fillojmë vitin e ri në Prishtinë, Kosovë! Ekipi lokal i edicionit të 14-të të ‘Manifestas’ është gati dhe duke ecur përpara me elementet e programit, të tilla si studimi parabienal urban, kanë filluar të marrin formë”, shkruhet në tekstin me të cilin shoqërohet videoja e realizuar nga Leart Rama.

Aty bëhet e ditur se Bienalja Nomade e Evropës ka zgjedhur vazhdimisht vende të papritura që të jenë nikoqire të cilat pasqyrojnë ADN-në gjithnjë e në ndryshim të Evropës, dhe ky do të jetë edicioni i parë që do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.

“Në javët e ardhshme ne do ta prezantojmë këtë qendër vibrante dhe transformuese në zemër të Ballkanit!”, shkruhet në tekstin e publikuar në Facebook.

Në gusht të vitit të kaluar “Manifesta” kishte hapur konkurs për katër koordinatorë. Kërkoheshin koordinatorë për produksion, për zhvillim, për hulumtim dhe për marketing e komunikim.

Koordinatori për produksion është një nga figurat kryesore në ekipin e produksionit dhe duhet të ketë njohuritë më të mira sa u përket qytetit dhe infrastrukturës së tij.

I nënshkruar në maj të vitit 2019 midis Komunës së Prishtinës dhe bienales evropiane të artit “Manifesta 14”, protokolli i bashkëpunimit parasheh që Prishtina të jetë nikoqire e këtij organizimi për të cilin aplikojnë e garojnë shumë qytete evropiane. Kështu, kryeqyteti i Kosovës pritet të jetë kryeqendra evropiane e kulturës më 2022, ku emrat më të njohur të artit dhe të arkitekturës do të realizojnë projekte enkas për qytetin, kurse urbanistë të njohur si Renzo Piano, Rem Koolhaas, Winy Maas e të tjerë do të jenë pjesë e ekipit.

Drejtoresha e kësaj bienaleje, Hedwig Fijen, kishte thënë asokohe se Prishtina është qyteti i parë i Ballkanit që zgjidhet për “Manifestan”.

“Si një kryeqytet historik i të rinjve, Prishtina është qytet i kontradiktave. Për ‘Manifestan’ është vend ideal për ta shikuar të kaluarën dhe për t’i parë sfidat e Evropës për të ardhmen. Nëpërmjet syve të Prishtinës do ta shohim botën”, kishte thënë Fijen.

“Manifesta” ishte themeluar në fillim të viteve ’90 si një përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike dhe shoqërore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave pasues drejt integrimit evropian. Prej atëherë “Manifesta” është zhvilluar në një platformë udhëtimi, që fokusohet në dialogun midis artit dhe shoqërisë në Evropë. Është një projekt me bazë në komunitet. Sipas përshkrimit që i bëhet kësaj bienaleje, ajo varet nga bashkëpunimi ndërmjet akterëve ndërkombëtarë dhe atyre lokalë dhe përfshirjes e angazhimit të komuniteteve lokale. Më 2024 do të jetë në Barcelonë e më 2026 në rajonin Ruhr të Gjermanisë.