Kulturë

Shtatore heronjsh në betejën e humbur me vlerat

Shtatore heronjsh në betejën e humbur me vlerat
1.Shtatorja e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, vepër e skulptorit Izeir Mustafa, u përurua më 1 nëntor 2009 në Prishtinë. | 2. Shtatorja e dëshmorit të kombit, Ismet Jashari – Kumanova, vepër e skulptorit Muharrem Turkeshi, u përurua në verën e vitit 2017 në vendlindjen e heroit, në Orizare të Kumanovës. | 3. Shtatorja e dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, pas pakënaqësive të shumta, më 10 tetor të vitit 2017, do të zëvendësohej me një shtatore të re të punuar nga skulptorët Sabri Behramaj dhe Ylber Krasniqi | 4. Shtatorja e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, vepër e skulptorit Selam Mustafi, u përurua më 18 nëntor 2012 në fshatin Radushë, Komuna e Sarajit. | 5. Shtatorja e Skënderbeut, vepër e Sinan Aliajt, u përurua më 28 nëntor të këtij viti | 6. Shtatorja e Adem Jasharit, vepër e Alban Buxhovit, u përurua më 28 nëntor të këtij viti në një qendër tregtare në Prizren, për t’u larguar tri ditë më vonë. | 7. Buceta për shtatoren e Fadil Vokrrit e prezantuar në qershor

Ishte një nga pritjet më të pazakonta në histori: nuk pritej një i gjallë, por një shtatore. Ani pse i bronztë, Skënderbeun e hipur mbi kalë po e prisnin shend e verë dhjetëra e mijëra njerëz.

 

Vendosja e dy shtatoreve në Prizren është bërë vjegëza për rikthimin e debatit mbi gjendjen dhe cilësinë e monumenteve dhe shtatoreve në hapësirat publike në Kosovë. Midis trashëgimisë artistike të shkollës “socrealiste” dhe vendosjes shpesh edhe pa konkurse, sipas porosive private, një numër përmendoresh në Kosovë është kritikuar për mungesë vlerash estetike e, rrjedhimisht, edhe për keqpërfaqësim të heronjve e figurave kombëtare të përjetësuara në bronz

Ishte një nga pritjet më të pazakonta në histori: nuk pritej një i gjallë, por një shtatore. Ani pse i bronztë, Skënderbeun e hipur mbi kalë po e prisnin shend e verë dhjetëra e mijëra njerëz.

Për katër ditë sa zgjati rrugëtimi emocionues nga Kruja në Prishtinë, bartja e monumentit me një kamion përcillej ethshëm prej radiove lokale. “Skënderbeu arriti në Kukës, tashmë e kaloi Morinën, ka hyrë në Prizren…”, dëgjoheshin spikerët e pas tyre edhe njerëzit që dilnin në të dyja anët e rrugës për të përshëndetur heroin e bronztë që po hynte në Kosovën e lirë.