Kulturë

“Sisters” në kujtim të themeluesit të Baletit

Pesë vjet pas premierës së shfaqjes së baletit “Ngjyrat e vallëzimit”, koreografi turk Mehmet Balkan është rikthyer në Kosovë për një projekt të ri. Kohën e vështirë të pandemisë për Baletin Kombëtar të Kosovës e kishte rënduar pafund ndarja nga jeta e themeluesit e ish-drejtorit të këtij institucioni, Ahmet Brahimaj. E me një shfaqje të re nën koreografi të tij do të nderohet kujtimi për njeriun që shkriu energji, djersë e punë për mbajtjen gjallë të Baletit. Brahimaj vdiq më 7 maj, në moshën 66-vjeçare.

Shfaqja e baletit e quajtur “Sisters” (Motrat) do të jepet premierë të enjten, në kushte pandemie e me numër të kufizuar të publikut, e për këtë shfaqje balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë ushtruar më shumë se pesë javë.

Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit, fillimisht ka falënderuar koreografin Mehmet Balkan dhe asistenten e tij, Lale Ballkan, që morën guximin për të ardhur në Kosovë mu në kohën e pandemisë. Duke folur për projektin, ai e ka quajtur shfaqjen si një sfidë më vete në kushtet e mbajtjes së maskës.

“Balerinët e BKK-së nuk kanë dyshuar asnjë sekondë në këtë projekt dhe kanë qenë të gatshëm të punojnë në këto kushte kaq të rënda, sidomos tash që duhet të mbajmë edhe maskë gjatë ushtrimeve. Nuk ishte diçka e lehtë”, ka thënë Musolli, duke shtuar se kjo premierë është dashur të jetë e treta për këtë vit.

“Jemi me premierën e dytë për vitin 2020, është dashur të jetë e treta, por për shkak të pandemisë e kemi shtyrë për vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

“Pushimi i kalorësve”, nën koreografi të Natalia Osipovas, qe premiera e parë e BKK-së për sivjet. Ishte dhënë në mars, pak para rasteve të para me COVID-19 në Kosovë.

Gjatë pesë javëve të kaluara koreografi nga Turqia, Mehmet Balkan, është bërë pjesë e trupës së balerinëve kosovarë, për punën e të cilëve ka pasur vetëm fjalë të mira e admirim.

E megjithatë koreografi i njohur e ka quajtur një “maratonë” përgatitjen pesëjavore në sallën e vogël të Teatrit, “herë në të ftohtë e herë në të nxehtë”.

“Në një kohë kur bota po vuan prej koronavirusit, unë kam respektin më të madh për Baletin e Kosovës, sepse nuk mund ta imagjinoni sa e vështirë ishte puna me maskë. Por përpjekjet e tyre ishin të pabesueshme”, ka thënë Ballkan.

Ai ka thënë se është i pakënaqur me kushtet e punës, të cilat, sipas tij, janë përmirësuar fare pak nga viti 2015, kur e ka pasur bashkëpunimin e fundit me BKK-në.

“Kur kjo trupë në këto kushte ka arritur deri këtu, nuk mund ta imagjinoj se çfarë do të ndodhte sikur të punonin në kushte më të mira”, ka thënë koreografi Balkan.

Duke evokuar detaje nga prapaskena e kësaj shfaqjeje, ai ka vlerësuar se storia e “Motrave” mund të gjendet kudo si një storie mes urrejtjes e dashurisë së dy motrave, sado që për fundin paralajmëroi se nuk do të jetë “i lumtur”.

Koreografi turk, i cili për vite me radhë ka bërë emër si balerin i dalluar, ka përmendur edhe mikun e tij të ndjerë, Ahmet Brahimaj, për të cilin ka thënë se bëri çmos për Baletin.

“Tash flamuri është në dorën e brezit të ri dhe shpresoj që do të sjellin më shumë hair për çka as nuk dyshoj”, ka shtuar Balkan.

Me një subjekt që endet mes urrejtjes e dashurisë, lidhja e “Motrave” të Mehmet Balkanit do të shpaloset të enjten në orën 16:30, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Ndryshe, “Motrat” është premiera e dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës për sivjet dhe për shkak të numrit të kufizuar të audiencës do të reprizohet edhe dy herë gjatë këtij muaji.