Kulturë

Opozita në Prizren kritikon shtatoren e Skënderbeut, kërkon të përsosurën në art publik

Për Partinë Demokratike të Kosovës, sikurse shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, ashtu edhe vendi ku është vendosur në Prizren, janë të papranueshme. Nënkryetari i kësaj partie, Shaqir Totaj, dhe deputetja Eliza Hoxha në një konferencë për media të martën në Prizren kanë kritikuar qeverisjen lokale për qasje jo të mirë në raport me shtatoren e Skënderbeut.

Por reagimet e këtij subjekti politik kanë ardhur katër ditë pas përurimit të shtatores dhe pas vendimit të Komunës që ajo të vlerësohet nga një komision. Totaj e Hoxha nuk kanë përmendur fare shtatoren e Adem Jasharit, e cila është përuruar në të njëjtin ditë me atë të Skënderbeut. Ajo e Adem Jasharit është larguar nga qendra tregtare ku po qëndronte. E pronari i atij kompleksi është bashkëpartiak i dyshes Totaj e Hoxha.

Deputeti Totaj ka kritikuar Komunën e Prizrenit për krejt procesin në lidhje me vendosjen e shtatores së Skënderbeut. Totaj ka thënë se duke filluar nga vlera artistike e shtatores e deri te lokacioni ku Komuna ka vendosur shtatoren e Skënderbeut, janë jo të denja për heroin kombëtar.

“E para: lokacioni i përzgjedhur nuk është i denjë për vendosjen e shtatores së Skënderbeut. Ai është i izoluar dhe shumë hapësirë e fshehur e qytetit. E dyta: për shkak të trafikut të dendur në atë rrethrrotullim ku është vendosur shtatorja, shumë lehtë mund të shkaktohen aksidente dhe rrezikohet jeta e vizitorëve të mundshëm”, ka thënë ai. Sipas Totajt, dega e PDK-së në Prizren përmes asamblistëve të saj, në fazën e parë, para së të merrej vendimi, kanë tërhequr vëmendjen për lokacionin joadekuat dhe ka kërkuar lokacion tjetër më të përshtatshëm, por që është injoruar nga kryetari Mytaher Haskuka. Sipas Totajt, “pushteti lokal i Vetëvendosjes me kokëfortësinë e vet, duke injoruar tërësisht sugjerimet dhe rekomandimet nga qytetarët dhe opozita, po tregohet mospërfillëse edhe ndaj figurave të tilla të historisë kombëtare sikur që është Skënderbeu”.

“Madje kryetari Mytaher Haskuka u përpoq një ditë më herët nëpër studio televizive ta largonte përgjegjësinë nga vetja duke gënjyer publikisht se ai nuk ka qenë shumë në rrjedha për shtatoren, sepse për pamjen finale është përkujdesur një shoqatë e Komuna e ka caktuar veç lokacionin”, ka thënë Totaj, i cili para tre vjetësh kishte dështuar t’i fitonte zgjedhjet për kryetar të Prizrenit duke pasur kundërkandidat kryetarin aktual të kësaj komune, Mytaher Haskuka.

Eliza Hoxha ka thënë se veprat e artit publik zakonisht janë produkt i relacioneve të pushtetit, relacioneve shoqërore, identitare të përmbledhura në reflektimin e kujtesës kolektive brenda strukturës hapësinore urbane.

“Si të tilla, këto projekte duhet të kalojnë nëpërmjet një debati publik jo vetëm në raport me vetë monumentin, por edhe me vetë lokacionin ku do të vendoset ajo. Andaj, për të pasur besimin e qytetarëve, arti publik duhet të synojë të përsosurën në aspektin e reprezentimit”, ka thënë Hoxha.

Hoxha, që është edhe arkitekte, ka thënë se vendosja e Skënderbeut në një rrethrrotullim i pamundëson qytetarit prizrenas të jetë pranë tij, ta përjetojë atë pa zhurmë akustike dhe vizuale për shkak të kontekstit të dhënë.

“Trajtimi i tillë i hapësirës urbane nuk prodhon asgjë më shumë sesa momente monumentaliteti për konsum ditor dhe konsum politik. Qasje të tilla si këto kanë krijuar vazhdimisht hapësira monumentale, të cilat nuk i ndiejmë si pjesë të jetës sonë të përditshme dhe i vizitojmë sa për të thënë e për të bërë një foto në ditën e caktuar”, ka thënë ajo. Ka thënë se në art “nuk ka me të njohshëm”. “Arti është diçka që përjetohet nga të gjithë dhe qytetarët nuk janë naiv sa pushteti komunal i Vetëvendosjes mund t’i cilësojë. Përmendorja e Skënderbeut e shpalosur para nesh është fyerje për vetë figurën e Skënderbeut, por edhe për Prizrenin”, ka thënë Hoxha.

Por deri në vitin 2017, PDK-ja ka udhëhequr me pushtetin lokal në Prizren. Gjatë udhëheqjes së kësaj partie i janë bërë dëmet më të mëdha Qendrës Historike të qytetit. Janë humbur shumë monumente e disa prej hapësirave të tyre janë kthyer në parkingje.

Sa u përket shtatoreve, reagimet e shumta e fakti se shtatorja e Adem Jasharit është punuar nga një frizer kanë bërë që ajo të mos qëndrojë në Prizren më shumë se tri ditë. Të shtunën u vendos e të martën është larguar nga hapësira e qendrës tregtare “Abi Çarshia”. Porositësit do ta dërgojnë për rimodelim. Në anën tjetër, për shtatoren e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu do të themelohet një komision vlerësues. Kësisoj, të dyja shtatoret e inauguruara më 28 nëntor në Prizren janë kontestuar, pos tjerash edhe nga autoritetet komunale. Ajo e Skënderbeut është porositur nga shoqata “Trojet e Arbrit” dhe është punuar nga skulptori Sinan Aliaj, kurse ajo e Adem Jasharit është porositur nga qendra tregtare “Abi Çarshia” dhe është punuar nga frizeri gjakovar, Alban Buxhovi.