Kulturë

“Monet” vazhdon traditën me ekspozitën që lidh artistët me artdashësit

Veprat e tridhjetë artistëve gjeneratash e stilesh të ndryshme janë bërë tok në ekspozitën shitëse të kafe-galerisë “Monet”
 

Stile e botë të ndryshme artistike janë bërë tok në një hapësirë. Veprat e rreth tridhjetë artistëve përbëjnë mozaikun e ekspozitës në kafe-galerinë, “Monet”, në kryeqytet. Pa ceremoni hapëse, për shkak të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit, artistët veç e veç i kanë sjellë punimet e tyre. Kjo ekspozitë shitëse organizohet tash e tre vjet për festat e fundvitit. Aty janë përmbledhur punime të piktorëve të gjeneratave të ndryshme, të cilat janë në shitje me një çmim më të ulët. Një gjë e tillë bëhet me synimin për t’i afruar artdashësit me artin në festat e fundvitit, pasi që këtë vit për shkak të situatës veprat e artistët kanë qëndruar më larg galerive e atyre që e duan artin.

Por veç në ditën e parë të hapjes së ekspozitës në galerinë që ka rihapur dyert para rreth tri javësh në kryeqytet, janë shitur gati dhjetë piktura. E për vizitorët ajo është si një zhytje në ngjyra e kompozicione të veçanta artistike, të cilat rrinë më pranë se kurrë.