Kulturë

Ka vdekur shkrimtari Hasan Hasani, ngushëllon ministrja Vlora Dumoshi

Shkrimtari dhe kryeredaktori e revistës “Pionieri”, Hasan Hasani, ka ndërruar jetë të martën. Vdekjen e tij e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, përmes një ngushëllimi drejtuar familjes dhe Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”.

Në ngushëllimin e saj ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, vlerësoi lart kontributin e Hasanit në letërsi dhe gazetari.

“Me pikëllim mora lajmin për ikjen nga jeta të familjarit tuaj, shkrimtarit dhe kryeredaktorit të shquar të Revistës “Pionieri”, Hasan Hasani”.

“Hasan Hasani ka lënë prapa një krijimtari të pasur letrare për fëmijë e të rritur si dhe ka kontribuar në përgatitjen e shumë teksteve dhe veprave letrare. Vlen të spikatet kontributi i tij i çmuar në revistën “Jeta e Re”, “Fjala”, “Shkëndija” dhe në Revistën “Pionieri” ku shërbeu si kryeredaktor”.

Me mbi 60 vepra letrare, Hasan Hasani do të mbahet mend si shkrimtar i talentuar e produktiv si në poezi ashtu edhe në prozë. I laureuar me shumë çmime në Kosovë e në Shqipëri, me veprën e tij do të njihet si përfaqësues i denjë i kulturës dhe artit në përgjithësi.

sinqerisht familjen, Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” ku ishte anëtar si dhe të gjithë dashamirët dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në ngushëllimin e ministres Dumoshi.

Hasan (Malë) Hasani u lind më 16 janar 1947 në fshatin Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës së Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Normalen në Gjakovë, kurse studimet e larta, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Me krijimtari letrare dhe publicistike merret që nga viti 1965. Punoi në gazetat “Bota e re”, “Shkëndija”, “Fjala”, në revistën “Jeta e re” dhe nga viti 2003 përsëri e gjejmë redaktor në revistën letrare për fëmijë “Pionieri.

Ka dhjetëra përmbledhje poezish për të rritur e fëmijë, si dhe përmbledhje tregimesh e romanësh, e po ashtu edhe një varg monografish.