Një histori sa qesharake aq edhe absurde do të kenë mundësinë ta shohin ata që në janar ia mësyjnë Teatrit të Gjilanit. Një vajze i duhet të dëshmojë se nuk është rinoqeront. Dëshmia i duhet për lejeqëndrim në Zvicër. Me satirë e ironi të skajshme, drama e Jeton Nezirajt, “Kosovo for Dummies” do të jetë shfaqja më e re e Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, “Kosovo for dummies” rrëfen historinë e Antigonës nga Kosova, e cila përballet me kërkesa absurde të autoriteteve zvicerane.
“Megjithatë, t'ju themi që në fillim: në shfaqje nuk do të derdhet as një pikë gjaku, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman dhe kjo mund të paragjykohet nga dikush. Drama ka fund të lumtur”, shkruhet në njoftimin me qasje satirike të Teatrit të Gjilanit.
Vepra e dramaturgut të njohur Neziraj ishte vlerësuar goxha nga kritika gjermanofone.
“Me satirë tregohet raporti ndaj emigrantëve, përmes një loje të pazakontë, gati si në ëndërr, por me plot forcë poetike”, kishte shkruar Michael Feller në gazetën gjermano-zvicerane “Berner Zeitung”. E Lena Rittmeyer në mediumin po ashtu gjermanofon “Der kleine Bund” kishte shkruar se autori Jeton Neziraj thyen realitetin brutal dhe ndërton në skenë një realitet të ri. “Me këtë krijon një drejtësi që të ngushëllon”, kishte shkruar ajo.
Drama në shtator të vitit 2015 ishte dhënë premierë në “Theater am Schlachthaus” të Bernës, si rezultat i bashkëpunimit të Nezirajt me aktoren shqiptaro-zvicerane Albana Agaj e cila jeton në Bernë.
“Para rreth një viti e gjysmë unë jam kontaktuar nga aktorja Albana Agaj, rreth mundësisë për bashkëpunim. Albana është një aktore e shkëlqyeshme e cila më herët ka punuar në disa teatro të rëndësishme në Gjermani e Austri. Tani jeton e punon në Zvicër dhe bashkë me një grup të aktorëve të tjerë kanë krijuar kompaninë teatrore ‘Forever Productions’ me të cilën kanë startuar shumë suksesshëm”, kishte thënë asokohe Jeton Neziraj. Përderisa asokohe aktorë të shfaqjes ishin Albana Agaj, Gunther Kaindl, Ursula Stäubli, Robert Baranowski, Nadim Jarrar, në Teatrin e Gjilanit, karakteret do të portretizohen nga Aurita Agushi, Tringa Hasani, Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa dhe Ernest Zymberi.
Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ka thënë se shfaqja pritet ta ketë premierën në janar të vitit të ardhshëm, duke hapur edhe edicionin e radhës të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe, i cili tashmë mbahet tradicionalisht në Gjilan.
“Dramat e Jetonit shpërfaqin fatet e shoqërisë sonë, prekin për së afërmi realitetin dhe po ashtu ‘shqetësojnë’ ata që janë përgjegjës, ‘të shurdhër’ e komod në zhvillimin ‘normal’ të jetëve të tyre”, ka thënë Zymberi, që është regjisor me profesion. Sipas tij, kjo komedi do të plotësojë një hapësirë të rëndësishme në repertorin jo vetëm të Teatrit të Gjilanit, por dhe të teatrit shqiptar në përgjithësi, duke u bërë kështu edhe një zë, a thirrje për çështjen e lëvizjes së lirë të kosovarëve dhe trajtimin ndaj emigrantëve nga Kosova që ia mësyjnë Evropës.
Provat janë duke u mbajtur aktualisht duke respektuar masat dhe orarin e Qeverise për parandalimin e përhapjes se virusit.
“Akoma jemi me fazën e parë, apo me fazën e tavolinës, fazë e cila analizon tekstin dhe nxit diskutimet mes aktorëve e regjisorit për idetë, konceptet e realizimit të shfaqjes”, ka thënë Zymberi.
Me skenografi e kostume të Mentor Berishës, koreografi të Gjergj Prevazit dhe muzikë të Irena Popoviq-Dragoviq, provat janë duke u mbajtur aktualisht duke respektuar masat dhe orarin për parandalimin e përhapjes së virusit.