Kulturë

“Prishtina e Vjetër” drejt humbjes së shtëpisë së dytë brenda 45 ditësh

Shteti e ka marrë nën mbrojtje Qendrën Historike të Prishtinës, por nuk ia del t’i mbrojë objektet e moçme që e identifikojnë atë. Madje kësaj radhe ka dështuar ta mbrojë edhe një objekt që është pronë e Komunës së Prishtinës. Zjarri i së dielës mbrëma e ka dëmtuar goxha e një rast si ky vjen pas atij të 15 tetorit, kur shtëpia njëshekullore e familjes Gashi u rrafshua

Për jo më shumë se 45 ditë, pjesa e moçme e kryeqytetit është gati të humbë edhe një shtëpi të vjetër. Shtëpia rreth një shekull e vjetër në rrugën “Ismail Dumoshi” ishte rrafshuar më 15 të muajit të kaluar. E një tjetër po në perimetrin e asaj që njihet si “Prishtina e Vjetër” është përfshirë nga zjarri. Dëmtimet kanë shkuar deri në atë masë saqë ka mbetur pa kulm. Shtëpia midis lagjes “Tophane” dhe “Medresesë”, që është pjesë e Qendrës Historike të Prishtinës, ka shpëtuar nga djegia e tërësishme falë ekipeve të zjarrfikësve që kanë intervenuar dy herë të dielën e po ashtu edhe mëngjesin e së hënës. Shtëpia është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti po hetohet.

“Në rrethana të panjohura në zjarr është përfshirë kulmi i një shtëpie të pabanuar, pronë e Komunës së Prishtinës. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

Por dëmet janë të mëdha. Pos kulmit kanë pësuar edhe enterieri. Disa mure janë në prag të rrënimit. Për këtë arsye është rrethuar me shirita nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës. Kësisoj shtëpia me mure prej tullave të papjekura i është shtuar listës së ndërtesave të vjetra që është në prag të rrënimit të tërësishëm. Shitësit përreth kanë thënë se aty deri vonë kanë jetuar njerëz të pastrehë. Sipas tyre, bëhet fjalë për pronë publike. Institucionet e trashëgimisë kulturore, të hënën, nuk kanë qenë fare në dijeni për zjarrin.

“Do ta verifikojmë në terren dhe në dokumentacion arkivor”, ka thënë Edona Gashi-Dërguti, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. KOHA ka kontaktuar edhe drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit në Prishtinë, Adonis Tahiri. Ai ka thënë se është në pushim pasi ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 dhe se pasi të informohet për rastin, do të ofrojë të dhëna.

Ky rast, por edhe ai i muajit tetor, për Sali Shoshin, i cili udhëheq me degën në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, dëshmojnë mungesë vizioni dhe strategjie për ta ruajtur historinë e kryeqytetit të Kosovës, dhe me këtë edhe historinë e krejt vendit. “Trashëgimia ndërtimore është një prej vlerave historike të Prishtinës, përmes se cilës dëshmohen e kaluara, historia dhe rrugëtimi deri sot. Por kjo trashëgimi është duke u zhdukur çdo ditë, dhe bashkë me të po zhduket memoria dhe gjithçka rreth këtij qyteti”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, sot, Prishtina është bërë një qytet pa histori dhe pa të ardhme.

“Vendimmarrësit iu janë dorëzuar bandave ndërtimore, të cilat e kanë bërë këtë qytet të pajetueshëm. Sigurisht që gjeneratat pas nesh nuk do të na e falin këtë krim që i kemi bërë qytetit dhe historisë së tij”, ka thënë Shoshi.

Paraprakisht në ditën e 15-të të tetorit e vetmja shtëpi e moçme që kishte mbetur në rrugën “Ismail Dumoshi” nisi të rrafshohej. Shtëpia me muret me qerpiç dhe trarë të vënë kryq e tërthor ishin mbijetoja e stilit të dikurshëm arkitektonik kundrejt shumëkatëshve të ndërtuara në të dyja anët e rrugës. Atë ditë kishte nisur rrënimi. Ekskavatori thuajse kishte shembur ngrehinën dykatëshe rreth një shekull të vjetër, kur inspektorë të Komunës së Prishtinës kishin arritur në vendin e ngjarjes.

Mungesa e lejes kishte qenë arsyetimi i Inspektoratit të Prishtinës për të ndaluar rrënimin e për të vënë shirita pranë rrënojave.

“Rrënimi është ndërprerë për shkak se pala s’ka paraqitur leje të rrënimit, si dhe është rrethuar me shirit hapësira”, kishte Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës. Por pavarësisht shiritave, tash, 45 ditë pas, aty s’ka mbetur asnjë copë materiali nga shtëpia. Është bërë rrafsh me tokë.

Sipas Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore-Prishtinë, shtëpia e familjes Gashi bënte pjesë brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës.

Hiç më larg se pesë ditë nga rrënimi i asaj shtëpie, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte vënë nënshkrimin në përtëritjen e listës së monumenteve nën mbrojtje, e cila sivjet është pasuruar me 27 asete të reja.

Kështu, Qendra Historike e Prishtinës, e cila është datuar si e shekujve 15-21, është përfshirë në një njësi të veçantë me numrin unik në databazë 4790.

“Qendra Historike e Prishtinës ka vlerë të lartë historike, pasi që përmes gjurmëve të dukshme dokumentohet zhvillimi historik i qytetit të Prishtinës”, thuhet në arsyetimin që një grup punues prej 14 anëtarësh i ka nisur ministres Dumoshi.

Sipas po të njëjtit dokument për këtë qendër, e cila është përfshirë në kategorinë “Trashëgimi Arkitekturale”, mënyra e ndërtimit, materialet dhe stili i japin edhe “vlerë shkencore këtij aseti”. Në këto raste edhe kur një ndërtesë nuk gjendet si e veçantë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, për secilin intervenim duhet kërkuar pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulture, përndryshe bëhet fjalë për shkelje ligjore.