Kulturë

Ramë Lahaj: “Për ty Atdhe” ia kisha borxh Tiranës e Shqipërisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim tenorin e mirënjohur nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, ka sjellë një dhuratë të çmuar për mbarë kombin shqiptar në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky 29 nëntor e ka gjetur kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj, në një takim me këngëtarin lirik i cili ka interpretuar në skenat më të mëdha operistike botërore. Si falënderim për ripërpunimin e këngës “Për ty Atdhe”, Veliaj ia dhuruar Lahajt LP-në “Tirana – Tirona” realizuar në 100-vjetorin e kryeqytetit shqiptar, ndërsa tenori u shpreh se e kishte detyrë e borxh.

“Të jemi shumë mirënjohës! Është një dhuratë fantastike, shpirtërore, që frymëzon po aq. Të falënderoj dhe jam i sigurt që flas edhe në emër të kryetarëve të Prishtinës dhe Prizrenit, sepse besoj që në kohë të tilla, kemi nevojë për inkurajim, forcë dhe optimizëm. Na bën shumë krenarë”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj, teksa ia ka dhuruar LP-në, një bashkëpunim me BBC, ku janë përfshirë këngët më të vjetra dhe më të dashura në një shekull.

“Në bashkëpunim me BBC-në, kemi mbledhur në një disk disa nga këngët më të vjetra të Tiranës. Meqë na dhurove një rikrijim muzikor për Pavarësinë, edhe ne po të dhurojmë një përmbledhje muzikore për Tiranën 100 vjet Kryeqytet i shqiptarëve”, ka thënë Veliaj.

Tenori Lahaj ka falënderuar kryetarin e Bashkisë për mbështetjen dhe është shprehur se realizimin e kësaj vepre e ndiente si detyrim ndaj Tiranës e Shqipërisë ku është formuar profesionalisht.

“E kisha shumë të rëndësishme të sillja një mesazh sadopak pozitiv. Shqipëria, Kosova, por gjithë trojet shqiptare, kanë një kulturë, një traditë vërtetë shumë të veçantë. Përveç kësaj, është edhe pjesa e turizmit, që është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në Tiranë, e shumëçka tjetër që kanë ndodhur vitet e fundit. Tiranës dhe Shqipërisë ia kam pasur për borxh sepse talenti im ka dalë në pah nga Shqipëria, Tirana, ose më mirë, nga Akademia e Arteve, aty ku unë kam ardhur dhe kërkuar ndihmën e parë. Kjo është më e pakta që mund të bëj”, ka thënë Lahaj.

Në Ditën e Flamurit, Lahaj i dhuroi publikut një version unik të këngës së famshme “Për ty Atdhe” me muzikë dhe tekst të Pjetër Gacit (1931 – 1995). Bashkë me këngën nën orkestrim të Shpëtim Saraçit, është lansuar edhe videoklipi që pasqyron vlerat, kulturën dhe traditat shqiptare. “E ndjeva për detyrë, si Ambasador i Kulturës, në botë që ta sjell ripërpunimin e kryeveprës ‘Për ty Atdhe’ të mjeshtrit të madh, Pjetër Gaci të shoqëruar me një video që tregon shqiptarin e mirë: Atë që pas çdo suksesi, rrugën e parë që merr është ajo për në Atdhe. Desha ta ktheja vëmendjen tonë në faktin që shpeshherë harrojmë se ky vend është më i bukuri e më i bekuari në botë, me bukuritë natyrore që ka, me kulturë e traditë unike.
Për hir të atyre që brez pas brezi sakrifikuan gjithçka për këtë tokë të shenjtë që ne e quajmë Atdhe. Për rininë e mrekullueshme që kemi, të jemi më unikë e më të përkushtuar se kurrë për Kombin e të ardhmen e tij”, kishte shkruar Lahaj në rrjete sociale për lansimin e këngës së përpunuar duke uruar 28 Nëntorin, “ditën e madhe të çlirimit e të bukurit Flamur”.