Kulturë

Margaritari i muzikës popullore

Për herë të fundit live do të këndonte në janar të këtij viti. E pandemia ia kishte prishur planet goxha. I rralloi kafet te Emin Delia në Gjakovë dhe nuk mund të organizohej më “Rendi gjakovar”, ku tok Ismet Peja bëhej tok me miq. Trashëgimia e tij është pjesë e fonotekave gjthandej vendit. Mund të shpaloset sa herë kërkohet një shembull i këngëtarit të perlave

Kënga “Robi plaket kur don vetë” është një prej interpretimeve me të cilin është kujtuar më së shumti Ismet Peja në ditën e vdekjes, të hënën. Një prej arsyeve është padyshim interpretimi prej një mjeshtri me traditë. Por, kjo këngë shkon përtej. Flet shumë edhe për personalitetin e Pejës. Ai nuk plakej. Vazhdonte të këndonte dhe i qëndronte besnik një premtimi publik të cilin e përsëriste shpesh: “Do të këndoj sa të jem gjallë”.

Për herë të fundit live do të këndonte në janar të këtij viti. E pandemia ia kishte prishur planet goxha. I rralloi kafet te Emin Delia në Gjakovë dhe nuk mund të organizohej më “Rendi”. Peja së bashku me një grup miqsh, deri në 15 veta, ka kohë që mbanin ndeja një herë në dy javë, zakonisht të enjteve, në Prishtinë. “Rendi” që njihet edhe si “Rendi i Gjakovës” nuk u mblodh qysh prej fillimit të marsit, kur pandemia shpërtheu edhe në Kosovë.

Udhërrëfyes i traditës

Darkë, këngë, pije e muhabet bëheshin në ndejat e “Rendit”, ku çdo dy javë një prej pjesëmarrësve mblidhte miqtë në shtëpi. Ismet Peja i ishte bashkuar grupit që këto ndeja i bënte në Prishtinë.

Kamuran Goranci kujton se këngëtari Ismet Peja ka nja katër vjet që i ishte bashkuar grupit. Bile, kur Pejës i kishte vdekur gruaja më nuk mund t’i përmbahej “protokollit” të nikoqirllëkut në Gjakovë. E shfrytëzonte mundësinë që të akomodohej tek i biri apo vajza në Prishtinë e të mos hiqte dorë nga ndejat me shoqëri.

“Dimrin e kalonte këtu e në qershor shkonte në Gjakovë”, rrëfen Goranci. Pandemia kishte prishur planet e kësaj vere. E para, rreth një muaji grupi kishte tentuar që të mblidhej prapë me idenë se situata po përmirësohej, por gjërat ndërruan për keq.

“Për ata që nuk e njohin ‘Rendin gjakovar’ aty mblidhemi këndojmë, diskutojmë, bëjmë humor e ndeja qejfi”, ka thënë Goranci, i cili pos që njihet si piktor e po ashtu merakli i këngës, deri në pensionim ka punuar në Ministrinë e Kulturës edhe si drejtor i Departamentit të Kulturës.

Megjithëse ishin miq, krejt të pranishmit respektin për Pejën e kishin të lartë. Goranci thotë me bindje se ai ishte udhërrëfyes dhe se me këngë të tij janë rritur. E përshkruan Pejën si një interpretues të shkëlqyer me një traditë të vjetër familjare në këtë fushë.

“Ka qenë edhe një shembull se si të ruhet dhe kultivohet muzika shqipe. Tash kemi mungesë të madhe të njerëzve të tillë. Baca Ismet ishte një pjesë e thesarit të muzikës sonë të bukur shqipe”, thotë Goranci. Për këtë përmend karrierën e gjatë të Pejës. Numëronte gati shtatë dekada në skenë.

I lindur më 27 prill 1937 në Gjakovë, këngëtari do të rritej në një familje ku kultura muzikore ishte e pranishme edhe te brezat paraprakë. Këngët e vjetra qytetare këndoheshin nga gjyshi e babai i tij. Pas përfundimit të shkollimit fillor dhe të mesëm në qytetin e lindjes, më 1958 Peja do t’ia mësynte Sarajevës me qëllim që të studionte për drejtësi. Por, siç kishte rrëfyer ai, shpejt e kishte marrë vesh që duhej ta ndërronte drejtimin. Për këtë i kishte hyrë në punë edhe një ftesë e kompozitorit Akil Koci që ai të studionte në Akademinë e Muzikës në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës. Por, paraprakisht ishte punësuar në Radio Prishtinën e atëhershme si solist. Ishte zgjedhur nga kompozitorët Rexho Mulliqi e Lorenc Antoni. Dyshja kishin shkuar në Gjakovë për të zbuluar talente të reja të këngës. Ishte viti 1954.

Pas studimeve për një kohë do të jetonte në Prishtinë. Por, me kërkesën e prindërve, ishte kthyer në Gjakovë. Do të bëhej pjesë e shoqërisë kulturore e artistike “Hajdar Dushi”. Me këtë shoqëri ishte prezantuar në shtete të ndryshme. Bashkë me Nexhmije Pagarushën do të shndërroheshin në portretet kryesore të këngës së mirëfilltë shqipe në turnetë e ansamblit “Shota”.

“Dashunija si rrufe”, “Robi plaket kur don vetë”, “Errësinë e pyllit”, “Dal e dal po vjen behari”, “Fustani me pika”, “Moj Selvije”, “Dy dele - 300 pare”, “M’kanë thanë shoqet mramë”, “Po të lutem shoku im”, “Seç po punojshin tre vllazën”, “Mori Shkodër - Shkodra jonë” e “Kush kërcen napolonin”, janë disa prej këngëve të kënduara nga Peja për 68 vjet interpretim.

Në vitin 1993 do të përballej me probleme shëndetësore, kur i ishte paralizuar dora e majtë. Por, Peja nuk ishte ndalur. Me shaka tregonte se u kishte thënë mjekëve që nëse nuk mund të këndojë më, më mirë ishte të vdiste.

“Dëshira për jetë dhe muzikë më ka mbajtur sot e kësaj dite. Besoj që do të këndoj derisa sa të jem gjallë”, kishte rrëfyer ai për Kohavisionin më 2013. Ishte nostalgjik për vitet e rinisë. Tregonte se si punonin shumë për të kultivuar me taban këngën e mirëfilltë qytetare. Për këtë edhe vlerësohet më së shumti nga bashkëpunëtorët.

“Sherbeti i këngës”

Kamuran Goranci kujton se Pejës i referoheshin edhe si sherbeti i këngës pasi ishte i ëmbël si këngëtar. Sipas Gorancit, ai ishte i shkathët edhe në biseda e analiza.

“Ashtu si ka kënduar, edhe ka biseduar. Ka pasur humor shumë të hollë të trashëguar brez pas brezi. Është pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore”, ka thënë Goranci.

I biri i Pejës, Visari, është po ashtu këngëtar. Bashkë kanë interpretuar gjithandej. Ai thotë se i ati ka pasur një disiplinë të madhe në profesion. Të njëjtën gjë e kishte edhe në jetën e përditshme. Sipas Visarit, këngëtari që mbetet një prej emblemave të muzikës popullore në mëngjes zakonisht ka pirë kafen tek Emin Delia në Gjakovë, i rrethuar prej miqsh.

“Pastaj është kthyer në shtëpi dhe pushonte. Sidomos gjatë pandemisë ka qenë shumë i disiplinuar. Pa maskë nuk ka dalë asnjëherë”, ka thënë Peja. Gjatë përvojës së përbashkët profesionale, shpesh e këshillonte të birin.

“Me vijë të kuqe, më ka thënë që të këndoj si më vjen e jo si thonë të tjerët e të mos jem kopje. Më ka thënë se për këngë të reja duhet ta shikoj tekstin shumë. Të mos dilet nga stili. Ka qenë maniak i muzikës”, ka thënë Visar Peja. Ai ka treguar se vazhdimisht është munduar që t’ia vjedhë zanatin të atit.

“Ai ka pasur përgatitje psikike. Si ka hyrë në sallë dhe e ka parë strukturën e njerëzve e ka ditur se si do të shkojë. Më 5 maj 2019 ka kënduar për herë të fundit në një dasmë në Tiranë. Herën e fundit ka kënduar live në janar me Afrim Muçiqin”, ka treguar Visari.

Mjeshtri Peja njihej si person tejet i vullnetshëm për jetë e këngë.

“Deri në 24 orët e fundit të jetës tregonte se çka do të bënte në prill të vitit ardhshëm për ditëlindje. I thosha: ‘Po e shtyn jetën më plane’”, ka kujtuar Visar Peja.

Model për gjeneratat e reja

I pandashëm me Pejën ishte edhe miku i tij e kushëriri, Masar Peja. Kompozitori e instrumentisti gjakovar që ishte pjesë e shoqërisë kulturore e artistike, “Hajdash Dushi”, thotë se vdekja e Ismet Pejës ka qenë një kumt i zi për këngët e mirëfillta popullore, pasi çdoherë ndarjet e tilla janë të zymta dhe pikëlluese.

Image
Ismet Peja në vitet ’60 (Foto nga albumi familjar)

Peja ka thënë se këngëtari ndër vite të tëra karriere shpërndau aromë dhe shije me vokalin e bukur e mjeshtëror.

“Ishte si rrjedha e lumit të Erenikut, i qartë, unikal, sepse repertori i gjerë i këngëve të tij i jepnin krahë e jetë duke lënë gjurmë të thella në traditën e këngëve popullore qytetare”, ka thënë ai. Sipas Pejës, këngëtari ishte dhe një organizator i shkëlqyeshëm. Ka kujtuar se më 1960, Ismet Peja së bashku me figurat politike e qytetare bëri që të krijohet shoqëria kulturore e artistike, “Hajdar Dushi”.

“Ismeti do të mbetet model për gjeneratat e reja. Gjakova pa këngë popullore dhe pa Ismet Pejën është si një kopsht pa lule. Këngët popullore fshijnë pluhurin nga shpirti i jetës së përditshme”, ka thënë klarinetisti, Masar Peja.

Në ditën e vdekjes së Pejës, kompozitori Fahri Beqiri ka thënë se mosha ia ka mundësuar që Pejën ta njohë qysh kur ishte shumë i ri. Ka thënë se i ka rënë që të bashkëpunojë shumë me Pejën.

“Kemi pasur edhe turne në Kosovë dhe botë. Mbaj mend një turne gati një mujor në Turqi. Ismeti dhe Nexhmije Pagarusha ishin bartësit kryesorë të ansamblit ‘Shota’”, ka thënë ai. Ka treguar se është krenar që një program i përgatitur për vitin e ri 1983, ku bënte pjesë edhe Peja është dhënë shumë herë nga Televizioni i Prishtinës e po ashtu nga Radioja.

“Më vjen mirë që kam mundur të jap një kontribut dhe të bashkëpunoj me të ndjerin. Populli i di meritat e tij. Nana ime e ka dashur shumë muzikën dhe nuk ka pasur vajzë. Ajo thoshte se nëse vdes meqenëse nuk kam vajza le të vijë Ismeti, pasi kishte këngë që i bënte njerëzit me lot”, ka thënë Beqiri. Ai ka kujtuar se Peja falë talentit të tij gjatë verave ka qenë shumë i pranishëm në Ulqin duke bërë që të dëgjohej kënga shqipe. Beqiri për herë të fundit e kishte parë Pejën para tri javësh.

“Lum ne që e patëm dhe i lumi ai që na pati ne. Faktikisht na ikën dy emrat kryesorë të këngës shqipe Nexhmija dhe Ismeti”, ka thënë ai. Beqiri ka thënë se koha kur Peja ka kënduar ishte shumë ndryshe nga ajo e sotmja. Në ato vite në Radio këndohej gjallë.

“Ismeti e ka mbajtur Radion e asaj kohe në ditët e para me talentin e tij. Ismeti nisi nga baba i tij që thonë se ka qenë shumë me zë të mirë, kultivoi atë vijë e mandej për fat ia la edhe brezit tjetër, djalit të tij”, ka thënë Beqiri.

Muzikanti Ylber Asllanaj, i cili është udhëheqës artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, ka thënë se Peja ishte prej interpretuesve legjendar të muzikës popullore qytetare shqipe. Sipas tij, bëhet fjalë për një zë brilant i cili s’ka dyshim se i ka dhënë vulën e vet të interpretimit këngës shqipe duke i ndihmuar shumë avancimit dhe ruajtjes së kulturës dhe traditës shqiptare. E ka përshkruar Pejën si njeri tepër energjik me vullnet të çeliktë, adhurues të artit dhe kulturës kombëtare si dhe njohës të jashtëzakonshëm të thesarit të këngës popullore. Portretit të Pejës, sipas Asllanajt, i shtohej edhe sensi i hollë për humor.

“Një prej këngëtarëve me eminentë të muzikës popullore shqipe. Padyshim një prej margaritarëve më të çmuar të trashëgimisë sonë muzikore”, ka thënë ai.

E trashëgimia e Pejës është pjesë e fonotekave gjendej vendit. Mund të shpaloset sa herë kërkohet një shembull i këngëtarit të perlave të muzikës qytetare.