Kulturë

Shkolla e “DokuFestit” – mundësi për hyrje në botën e filmit

Shkolla e Filmit Dokumentar e “DokuFestit” çdo vit sa vjen e avancohet, tek merr formën e një shkolle profesionale. Përmes saj, synim është të krijohet një bazë solide për kinematografinë e vendit. Orientimi në karrierë është vetëm njëri aspekt i saj tek mbulon fusha të kinematografisë për të cilat ka pak mundësi institucionale në Kosovë, si montazhi, dizajni i zërit dhe postproduksioni. Më këto synime, festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër, “DokuFest”, ka hapur thirrjen për të gjithë nxënësit që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kampit dimëror, si pjesë e shkollës së filmit dokumentar ku do të aftësohen për të xhiruar filma dhe duke pasur në dispozicion mjetet e nevojshme.

Për dallim prej viteve të kaluara, sivjet kampi do të mbahet në formë hibride në datat 4-10 janar të vitit që vjen, me aktivitete dhe ligjërata fizike dhe masterklasë virtuale nga profesionistë ndërkombëtarë të filmit.

Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab”, ka thënë se sikurse të gjitha aktivitetet në të gjithë sektorët edhe shkolla e tyre e filmit këtë vit do të jetë e modifikuar në mënyrë që t’i përshtatet situatës së krijuar dhe kufizimeve si shkak i pandemisë.

“Për këtë arsye, këtë vit do ta kemi një qasje të ristrukturuar me një program shumë të pasur me ligjërata dhe trajnime praktike të shoqëruara me shfaqje ekskluzive të filmave dhe diskutimeve me autorët e filmave që kanë për qëllim nxitjen e kreativitetit dhe të inspirimit të këtyre pjesëmarrësve të rinj në punëtori”, ka thënë ai.

Bilibani ka thënë se një e veçantë e këtij edicioni është numri më i madh i ligjëruesve dhe profesionistëve të filmit, të cilët e njohin mirë Kosovën dhe të cilët kanë eksperiencë dhe kanë korrur suksese në fushën e filmit dokumentar.

Ka treguar se kampi do të jetë nën udhëheqjen e mentores së shkollës, regjisores Blerta Zeqiri, e cila do të mbështetet nga ligjëruesit e ndryshëm të specializuar në film dokumentar. Një nga ligjërueset e konfirmuara është edhe Dea Gjinovci, regjisore me prejardhje nga Kosova, e cila jeton në Zvicër, filmi i së cilës “Wake Up on Mars”, korri suksese të jashtëzakonshme në festivalet prestigjioze ndërkombëtare. Javën që vjen do të bëhet edhe publikimi i emrave dhe biografive të të gjithë ligjëruesve që do t’i bashkohen këtij edicioni.

Rezultati konkret i kësaj shkolle janë filmat dokumentarë që do të realizohen gjatë këtij kampi. Ata të shkollës së sivjetme do ta kenë premierën në edicionin e 20-të të “DokuFestit”, që do të mbahet nga 6 deri më 14 gusht.

“Veçoria e filmave të prodhuar në shkollën tonë të filmit është trajtimi i temave të ndryshme shoqërore që janë në interes të këtyre grupmoshave, dhe të cilat mund të shërbejnë si shtytës në nxitjen e debateve për ndryshimet shoqërore që janë të domosdoshme për një shoqëri më të mirë e më të drejtë”, ka thënë Bilibani.

Sipas tij, ky program mund të shërbejë si një bazë e shëndoshë për kinematografinë vendore. Për të zhvillimi i kinematografisë vendore në vitet e fundit nuk është një fazë apo aksident.

“Puna sistematike, iniciativat e ngjashme, festivalet e filmit dhe një numër më i madh i kinemave kanë krijuar dimensione të reja që iu ka ofruar të rinjve edhe programe më të pasura, edhe mundësi e qasje në ekspertizën nga jashtë dhe kështu kemi ardhur në një kohë kur mund të krenohemi me filmbërjen në Kosovë, që së bashku me sportin po janë ambasadorët më të mirë të këtij vendit tonë të vogël”, ka thënë ai.

Sipas tij, një përparësi e madhe e këtyre filmave është fakti se studentët në këtë shkollë kanë trajtuar tema shumë të rëndësishme dhe relevante për shoqërinë, me theks të veçantë brengat e rinisë.

“Shpresojmë se këta filma do t’i frymëzojnë gjeneratat e ardhshme për t’u bërë agjent aktivë të ndryshimit në komunitetet e tyre”, ka potencuar Bilibani.

Deri tani nga Shkolla e Filmit Dokumentar kanë kaluar 8 gjenerata, apo më saktësisht 72 nxënës të shkollave të mesme, të cilët nga viti 2013 kanë prodhuar 49 filma të shkurtë dokumentarë. Disa nga këta filma kanë pasur distribuim në shumë festivale të filmit që prezantojnë filma studentësh, dhe disa nga filmat kanë arritur të marrin edhe çmime duke triumfuar si filmat më të mirë në këto festivale.

Aplikantët e interesuar për këtë edicion duhet të jenë në shkollë të mesme dhe të kenë aftësi komunikimi në gjuhën angleze. Ato do të jenë prezentë në Prizren, së bashku me mentorët, ligjëruesit dhe filmbërësit vendorë. Afati i fundit për aplikim është 20 dhjetori.