Kulturë

“Dashnoret e presidentit” sfidojnë etikën njerëzore në “Dodonë”

Ishin përhapur fjalët në publik se kreu i një shteti, pos gruas, kishte edhe dashnore. Vdekja e tij kishte sjellë përplasjen e parë të “frikshme” ndërmjet zonjës së parë dhe të dashurës së tij, të cilat vendosën të uleshin për të biseduar duke shpalosur gjëra intime nga e kaluara e presidentit fiktiv. Duke prezantuar fakte të reja në takimin e tyre dramatik me plot emocione, dialogu i tyre herë-herë kalon në fyerje deri në mosdurim. Ato e kishin dashuruar një burrë i cili i në fund të jetës i kishte shpërblyer me vuajtje.

Kjo histori u inskenua në dramën “Dashnoret e presidentit”, e cila u dha premierë si shfaqje mysafire të mërkurën pasdite në teatrin e qytetit të Prishtinës “Dodona”, për publik tejet të reduktuar në numër, për shkak të masave ndaj pandemisë.

Bazuar në tekstin “Dashuritë e George Washingtonit”, të dramaturgut kroat Miro Gavran, kjo dramë, nën regji të Agnes Nokshiqit, vjen si tekst me frakturë dokumentare, ani pse s’ka të bëjë me këtë. Ngjarjet zhvillohet në 14 janarin e vitit 1800, disa vjet pas vdekjes së presidentit të parë të SHBA-së.

Relacioni kryetar-grua dhe dashnore u bart në skenën ku rrinte e varur xhaketa e presidentit, që hiqej si i pari i një ushtrie. Dy personazhet e shfaqjes, Marta Washington dhe Silvia Carver, u ballafaquan në një hapësirë ku ishin të rrethuara me pije, dhe teksa po dëfreheshin në një moment ato shoqëroheshin me realitetin e hidhur që po u përplasej në fytyrë. Ndërmjet situatave me dromca komike të dashurat e të parit të shtetit vendosën t’ia hapin zemrën njëra-tjetrës.

“Roli im të them të drejtën ishte paska i vështirë. Përballja ndërmjet një gruaje dhe dashnores së një burri sjell drama të ndryshme, ndërsa ky tekst për mua është shumë i mirë, pasi që mua si aktore më dha hapësirë për lojë”, ka thënë Adelina Halitjaha për rolin e Silvia Carverit, të dashurës së presidentit.

Procesi për ta sjellë në skenë këtë shfaqje, për regjisoren Agnes Nokshiqi nuk ishte e lehtë, pasi që për të duhet mirë të trajtohen temat intime të cilat shpalosen para publikut.

“E mira e krejt kësaj drame është në atë se si vije deri te zgjidhja e një konflikti të dy rivaleve. Kemi punuar në prova duke qenë të kujdesshme ndaj pandemisë dhe po besoj që sollëm një shfaqje të mirë, e cila sfidon etikën njerëzore”, ka thënë ajo.

“Ne tekstin origjinal të Miro Gavranit e kemi shkurtuar dhe përshtatur për rolet e shfaqjes sonë. Unë e luaj rolin e një guraje posesive që ka qejf të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Kjo dramë ka një tekst shumë real-natyralist. Kemi punuar me një qasje jo shumë eksperimentale. Një konflikt sa të frikshëm, aq edhe të ëmbël”, ka thënë Donika Ahmeti, e cila ka konkretizuar rolin e Marta Washingtonit, gruas së presidentit.

Për regjisorin Ben Apolloni lufta e fuqishme midis gruas dhe dashnores në këtë dramë e dërgon audiencën në situata të papritura.

“Ishte interesante se si na emocionoi teksti i Miro Gavranit në skenën e teatrit ‘Dodona’ nëpërmjet lojës së bukur të dy aktoreve. Unë kohë pas kohe i kam ndjekur ato edhe gjatë provave duke iu dhënë edhe rekomandime se si të reflektojnë me këtë dialog tek publiku”, ka thënë ai.

Për orarin e reprizave të shfaqjes “Dashuritë e presidentit”, sipas regjisores Agnes Nokshiqi, publiku do të informohet përmes rrjeteve sociale.

Për herë të parë drama “Dashuritë e George Washingtonit” u inskenua më 1988 në Teatrin Kombëtar të Kroacisë në Zagreb. Që nga ajo kohë ky projekt teatror për dy personazhe i autorit Miro Gavran (1959) u prezantua në skena prestigjioze të teatrove botërore. Gavran kishte treguar se si ishte motivuar për ta shkruar këtë vepër.

“Mund të shpjegoj se ish-presidenti i Amerikës më erdhi në një ëndërr dhe më preku me historinë që e kam përshkruar në këtë tekst dhe më tha të mos u besoja burimeve historike kur shkruaj një dramë për dashurinë dhe vetminë. Kështu që kjo pjesë është e vërtetë për sa i takon kësaj ëndrre”, kishte deklaruar shkrimtari i njohur kroat.