Kulturë

Qeveria zotohet për diplomaci kulturore, ende pa strategji e afat

Çështja e emërimit të atasheve kulturorë në disa prej ambasadave të Kosovës ka vite që ka qenë pjesë e fjalorit të udhëheqësve institucionalë. Të martën është bërë një hap në këtë drejtim. Ministria e Kulturës dhe ajo e Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë marrë vesh që të nisin punën për përfaqësim kulturor në diplomaci.

Përderisa zyrtarët qeveritarë këtë e kanë parë si një hap të madh, anëtarë të komunitetit kulturor që shkëmbejnë e bashkëprodhojnë produkte kulturore me organizata anembanë botës, janë shumë skeptikë në suksesin e atasheve kulturorë. Bile krejt nisma dikujt i duket punë koti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë hedhur firmat në Memorandumin e bashkëpunimit për atashetë kulturorë. Pavarësisht zotimeve dyshja nuk ka pasur afat konkret të emërimit të atasheve, ende nuk ka strategji të diplomacisë kulturore dhe shumë e diskutueshme mbetet mbështetja financiare që atashetë të prezantojnë kulturën e vendit në shtetet ku do të shërbenin.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka thënë se në vazhdën e përpjekjeve të fuqizimit të mëtejmë dhe reformimit të shërbimit të jashtëm, bashkë me ministren Vlora Dumoshi kanë nënshkruar “marrëveshjen e shkallës së shërbimit” në mënyrë që të ngrihet niveli i misioneve edhe në përfaqësim kulturor.

“Kosova ka pasur edhe ambasadorë pa kredenciale, pa grada, por që kanë përfaqësuar shtetin në mënyrën më të mirë në kulturë, art e sport. Pas diskutimeve të shumta me ministren Dumoshi, kemi ardhur në përfundim që të nënshkruajmë këtë marrëveshje që është një hap i parë drejt avancimit të kësaj fushe dhe përfaqësimit tonë kulturor në botë”, ka thënë ajo. Ka përmendur se vendi ka ambasadorë kulturorë artistët me nam si Rita Ora, Dua Lipa dhe Ramë Lahaj.

“Nënshkrimi i sotëm është një hap i parë administrativ dhe një gurthemel për të bërë hapat e tjerë rreth definimit të strategjisë së përbashkët të diplomacisë kulturore, por edhe definimin e personaliteteve që ne mendojmë që do të bëjnë një punë të mirë në diplomaci kulturore. Do të kemi shumë punë për ta kompletuar infrastrukturën e nevojshme”, ka thënë Haradinaj.

E ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se dita e nënshkrimit të marrëveshjes është shumë e rëndësishme. Sipas saj, është punuar tre muaj për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Me anë të kësaj marrëveshjeje mundësohet emërimi i atasheve kulturorë që do të promovojnë kulturën tonë në vendet ku emërohen”, ka thënë ajo. Sipas Dumoshit, atashe do të emërohen figura eminente të kulturës dhe sportit që kanë për qëllim përfaqësimin e vendit në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës. Ka thënë se me emërimin e atasheve do të arrihet promovimi i kulturës duke shkëmbyer përvoja e duke paraqitur vlerat e vendit. Ajo ka thënë se mbetet e përkushtuar që t’i kryejë të gjitha obligimet e marrëveshjes, në mënyrë që kultura e vendit të jetë prezente në shtetet ku emërohen atashetë.

“Kjo marrëveshje do të prodhojë rregullore për emërimin e atasheve. Besoj që më 2021 do të fillojmë me emërimet”, ka thënë ajo kur është pyetur për afate. Sa u përket implikimeve buxhetore që do të ketë shteti për pagesën e të emëruarve dhe financimit të punës së tyre, dyshja nuk ka pasur përgjigje konkrete. Kanë përsëritur disa herë se marrëveshja e së martës është hapi i parë.

“Këtë punë nuk e kemi për herë të parë, pasi ne kemi diplomatë në vendet që janë dhe ka një kosto. Gjithsesi do të jetë në baraspeshë të buxhetit që do të kemi. MKRS-ja në këtë marrëveshje ka detyrimet e veta financiare për emërimin e atasheve. Në bazë të marrëveshjes dhe ligjeve, do të sigurojmë gjithçka që është paraparë”, ka thënë Dumoshi.

Por jashtë perspektivës institucionale, nisma zgjon skepticizëm.

Jeton Neziraj është dramaturg dhe udhëheqës i qendrës Multimedia. Dramat e tij janë përkthyer në mbi 10 gjuhë e janë inskenuar në qendra të rëndësishme evropiane. Po ashtu, organizata që ai udhëheq ka shkëmbyer produksione artistike me vendet evropiane e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Neziraj nuk e ka vlerësuar fare iniciativën për emërim të atasheve kulturorë.

“Mendoj që kjo është një ide koti që synon t’i akomodojë nëpër pozita pune disa njerëz shtese, por kaq. Në praktikë, kjo është një ide megalomane, jashtë nevojave dhe jashtë mundësive të një shteti të varfër si ky yni”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, do të bëhen shpenzime koti për rroga e për infrastrukturë, në vend se ato mjete të adresohen tek organizatat e akterët kulturorë në terren, që veçse bëjnë punë e aktivitete kulturore në nivele ndërkombëtare.

Teatri “Oda” është një prej institucioneve të pavarura kulturore që ka bashkëpunim ndërkombëtar për vite me radhë.

Regjisori Florent Mehmeti, i cili udhëheq me “Odën”, ka thënë se Kosova nuk njihet për ndonjë zbulim apo ndonjë ndikim të madh në botë. Sipas tij, duke parë se si ka funksionuar diplomacia deri më tash, shumë pak i është dhënë rëndësi kulturës.

“Krejt çfarë mund t’i tregojmë botës janë vlerat kulturore. Përvoja ime me ambasadat e Kosovës jashtë nuk është prej më të mirave. Nuk kam parë vullnet”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, atashe kulturorë duhet të emërohen njerëz që promovojnë kulturën e Kosovës dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Sipas tij, ata duhet të krijojnë ura bashkëpunimi, e pastaj shteti me iniciativa financiare të mundësojë shkëmbime kulturore.

“Është më shumë qasje e vullnetit për punë. Është e mirëpritur që të emërohet një atashe kulturor. Ai që emërohet duhet të jetë bukur mirë i inkuadruar në rrjedhat kulturore aktuale të të dyja vendeve, të vetit dhe atij ku shkon, e pastaj të jetë edhe me bagazh kulturor”, ka thënë Mehmeti.

Kosova qysh prej vitit 2014, në baza vjetore miraton protokoll të bashkëpunimit kulturor me Shqipërinë. Kalendari i përbashkët kulturor asnjëherë nuk është implementuar i plotë, sidomos nga ana e Shqipërisë. Por, edhe institucionet qendrore të kulturës në Kosovë janë ankuar se për të dhënë shfaqje ose koncerte në Shqipëri duhet të kenë përkrahje financiare nga shteti e jo nëpërmjet buxhetit vjetor që u ndahet në fillimvit. Në maj të vitit të kaluar, Filarmonia e Kosovës është prezantuar me një koncert në Paris pikërisht në 20-vjetorin e çlirimit të vendit. Por, koncerti ka qenë në prag të dështimit, shkaku i financave. E puna e atasheve kulturorë pa mundësi të përkrahjes së prezantimit të artit jashtë vendit, do të binte në ujë.